La Torre: Për Kukësin dhe Nicën jam gjithnjë gati, dua gol edhe me “demat e kuq”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2023 | 11:43

La Torre: Për Kukësin dhe Nicën jam gjithnjë gati, dua gol edhe me “demat e kuq”

Sebastian la Torre u tregua “vrasës” në dy momentet që pati në këmbët e tij përballë skuadrës së Erzenit, duke i dhënë në fund edhe tri pikët skuadrës së Kukësit. Një futbollist me potencial, që arrin të shënojë golin e tretë për verilindorët këtë kampionat dhe kthyer në golashënuesin më të mirë të skuadrës.

kukesi

Në bisedën e tij për “Panorama Sport”, 25-vjeçari nuk e fsheh lumturinë, për më tepër që ekipi arriti të kthente ndeshjen, e cila nuk po shkonte në rrjedhën e duhur. “Mund të them që ishte një ndeshje shumë e komplikuar, për mënyrën se si shkuan gjërat. Mendoj se në pjesën e dytë u vendosëm më mirë dhe ndeshja arriti të kthehej në favorin tonë dhe ia dolëm të merrnim tri pikët. Personalisht jam i lumtur për golat, edhe për faktin që jam gjithnjë i përgatitur për të tilla momente para portës. Me ndihmën e Zotit shënova dy gola, të cilët shkojnë për familjen time, që më inkurajon çdo ditë nga larg”, u shpreh fillimisht sulmuesi peruan.

PANKINA – La Torre ishte titullar në dy ndeshjet e para me Rraman Hallaçin në krye, ndërsa me ardhjen e Stavri Nicës është ulur në stol. Një situatë që asnjë lojtari nuk i pëlqen, por peruani tregohet profesionist, duke treguar gatishmërinë sa herë që do t’i kërkohet të ndihmojë skuadrën. “Unë jam gjithmonë i përgatitur dhe jam nën urdhrat e trajnerit. Kur ai të ketë nevojë për mua, unë do të jem aty”, pohoi shkurtimisht sulmuesi i Kukësit, që gjithsesi u tregua po aq efikas edhe nga pankina, pasi dy golat e tij bënë përmbysjen e madhe dhe i dhanë përkohësisht fund krizës së bluve me rezultatin e tretë pozitiv radhazi në kampionat.

OBJEKTIVAT – La Torre është nga ata që nuk i vendos limite vetes apo skuadrës, por gjithsesi, gjithnjë duke qëndruar me këmbë në tokë. Ai pohon se e kënaqin tre golat e shënuar, por objektivat janë për të vazhduar përpara. Synon të bëjnë mirë në kampionat dhe aty të marrin maksimumin si gjithnjë, duke parë edhe nga ndeshja e radhës. “Ndihem i lumtur që kam shënuar tre gola deri më tani, por qëllimet e mia janë të shënoj sa më shumë deri në fund dhe po punoj shumë për këtë gjë. Edhe sa i përket skuadrës, ne duam të marrim maksimumin në çdo ndeshje do të bëjmë të pamundurën. Do të tentojmë më të mirën që nga ndeshja e radhës, ajo me Partizanin. Ata janë një skuadër e mirë, por edhe pse luajmë jashtë shtëpisë sonë, jemi të vendosur për të bërë një lojë të mirë dhe marrim pikët”, përfundoi Sebastian la Torre.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"