La Superligën e Kosovës për Kategorinë e Dytë, rrëfehet Ramadani: Ringrihemi, ndryshe nuk i thosha “po” Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2021 | 21:35

La Superligën e Kosovës për Kategorinë e Dytë, rrëfehet Ramadani: Ringrihemi, ndryshe nuk i thosha “po” Flamurtarit

La Superligën e Kosovës për Kategorinë e Dytë, megjithatë Behar Ramadani nuk i bie pishmanit. Është hera e parë që do të luajë në kampionat të këtij niveli, por mesfushori e merr shtruar.

Behar Ramadani Flamurtari

Gjatë një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” ai qartëson se Flamurtari do të ringrihet dhe ky ishte shkaku që i tha “po” ofertës së Sinan Idrizit.

Nga Drenica në Superligën e Kosovës, te Flamurtari i Kategorisë së Dytë. Si u bind Ramadani për këtë lëvizje?

Më bindën disa gjëra njëherësh të bëhem pjesë e Flamurtarit. Kryesorja është që drejtuesit kanë dëshirën dhe idetë të qarta që të rikthejnë Flamurtarin aty ku e ka vendin. Pikërisht ky projekt bëri që unë të pranoja të vija në Vlorë. Kam shumë besim te ky projekt për ta çuar Flamurtarin në vendin që e meriton të jetë.

Cili ishte ai person që jua mbushi mendjen të vinit në Vlorë, mos ndoshta Sukaj?

Jo. Nuk kam folur me Sukajn që të vija në Vlorë. Kanë qenë të tjerë persona që u bënë shkaktarë që të vishesha kuqezi. Por biseda që pata me presidentin Idrizi vulosi çdo gjë.

E shikoni të shpejtë ringritjen e Flamurtarit?

Nëse nuk do ta shikoja të shpejtë rikthimin e Flamurtarit, nuk besoj se do isha sot këtu në Vlorë. Shpresoj që me punë dhe kontributin e të gjithëve të ngrihemi sa më shpejt të jetë e mundur. Kam shumë shpresë e shumë besim që do ta arrijmë këtë.

Pavarësisht se keni eksperiencën, e vlerësoni të vështirë Kategorinë e Dytë?

Në fakt, është hera e parë që do luaj në këtë kategori. Në Shqipëri çdo kategori bëhet e vështirë nëse nuk ia bën hyzmetin e duhur dhe aq më tepër Kategoria e Dytë. Gjithsesi, kemi eksperiencën e duhur për të bërë më të mirën dhe për të dhënë maksimumin tonë. Kjo gjë do të na ndihmojë shumë.

Tashmë që i keni mësuar kundërshtarët, si e shikoni këtë grup?

Po, patjetër që i kam mësuar kundërshtarët. Një pjesë prej tyre i njoh. Me informacionet që kam marrë, do jetë një garë e fortë. Ne do vlerësojmë çdo kundërshtar dhe shpresoj që në fund të kemi arritur objektivin që ka vendosur klubi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"