Kushtet skandaloze, klubit historik shqiptar po i “rrëmbejnë” dhe anekset

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2020 | 20:55

Kushtet skandaloze, klubit historik shqiptar po i “rrëmbejnë” dhe anekset

Lushnja është ndër skuadrat që ka vështirësitë më të mëdha sa u takon ambienteve stërvitore. Për verdhejeshilët, terreni i vetëm stërvitor është fusha e stadiumit “Roza Haxhiu”, pjesa tjetër e infrastrukturës është në gjendje alarmante, madje edhe atë po ia “rrëmbejnë”.

Lushnja aneksi logo

Aneksi para stadiumit është tejet i amortizuar dhe i lënë në harresë prej vitesh, nuk plotëson asnjë standard. Kushtet e këqija dhe mungesa e barit janë shkak edhe për dëmtimet e futbollistëve të moshave që stërviten aty, ndaj një pjesë e tyre tërhiqen për t’u sistemuar diku tjetër. Ndërtimi i gjimnazit “Vath Korreshi” ka bërë që muri rrethues i shkollës gati të bashkohet me portën veriore të aneksit, duke e dëmtuar shumë edhe në përmasa. Aneksi i dytë, që ndodhet në jug të stadiumit, është një tjetër “xhungël”. Amortizim total edhe këtu, ndaj dhe zgjidhja e vetme është rikonstruksioni i plotë i këtyre terreneve me një investim serioz.

Aneksi i Lushnjes logo

BASHKIA – Vit pas viti Bashkia e Lushnjës, që ka në pronësi këto ambiente, nuk ka bërë asgjë për përmirësimin e situatës. Njësia vendore duhet të kryejë pjesën e saj të investimit, që FSHF-ja të sjellë pastaj tapetin dhe aksesorë të tjerë. Edhe pse skuadra e qytetit e ka të domosdoshme këtë gjë, bashkia nuk ka hedhur asnjë hap, pasi nuk e mbulon dot pjesën e saj të shpenzimeve.

Shpenzimi i vetëm i saj është aktiviteti futbollistik. Investimi jashtë sh.a-së për të ndërhyrë në terrenet sportive do të vijojë të mungojë, pasi në buxhetin e 2020-ës nuk ka asnjë plan-projekt për infrastrukturën sportive. Edhe në buxhetet afatmesme 2020-2022 nuk ka asnjë parashikim.

Bashkia është aksionerja e vetme dhe investimin në terrenet sportive e ka të pamundur. Treguesi më i qartë ishte precedenti i një dekade më parë, kur FSHF-ja solli një tapet plastik për fushën e Plugut dhe priti 8 muaj që të realizohej investimi. Klubi lushnjar nuk përfundoi pjesën e tij të punimeve dhe tapeti “udhëtoi” drejt Kukësit për të eliminuar amortizimin.

Alban Alushi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"