“Kukësi s’ka presion për fitoret, rastet me Koronavirus nuk e cenojnë garën”, Shehi: Për merkaton kam piketuar…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2020 | 10:41

“Kukësi s’ka presion për fitoret, rastet me Koronavirus nuk e cenojnë garën”, Shehi: Për merkaton kam piketuar…

Kukësi lufton në dy fronte, kampionat dhe Kupë, sidomos me fitoren e madhe që kuksianët arritën të marrin në Tiranë kundrejt 24 herë kampionëve. Tashmë Kukësi do të përballet për të dytën herë brenda dy javësh me Teutën, sot në 20:45 në “Elbasan Arena”, por këtë radhë për llogari të kampionatit. Është trajneri Orges Shehi, i cili në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” flet për sfidën, por dhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me ekipin e tij.ORGES SHEHI

Ndeshja nga ndeshja ndryshon, thekson ish-portieri i Kombëtares, por synimi për Kukësin mbetet i njëjtë: fitorja. Trajneri Shehi shton se ngjarja e fundit e infektimit të disa lojtarëve të Partizanit nuk e cenon garën, gjithsesi u takon autoriteteve të përgjigjen. Në fund, Shehi premton se Kukësi do forcohet, ndërsa nuk jep detaje për afrimet që mund të ketë në këtë klub.

Sërish ndaj Teutës, çfarë ndryshon këtë herë dhe sa e ndien ekipi presionin e fitores me çdo kusht?

Po, sërish Teuta, por tani në kampionat. Është i njëjti kundërshtar, por ndryshon kompeticioni. Çdo ndeshje ka historinë e saj. Ne do të luftojmë të lëmë gjurmë në çdo ndeshje dhe përballë çdo kundërshtari. Nuk kemi presion, por thjesht do të bëjmë maksimumin për të marrë 3 pikët.

Duke parë kalendarin, kur mendoni se do të jepet verdikti për titullin?

Varet nga distanca e pikëve, por kam përshtypjen se do jetë e luftuar deri në fund. E theksoj që derbi mund të vendosë shumë (intervistë e dhënë para zhvillimit të sfidës dje në mbrëmje).

Pesë lojtarë të Partizanit rezultuan pozitivë me “COVID”, por ndeshja do luhet. E cenon kjo garën sipas jush?

Nuk mendoj se e cenon garën përderisa gjithë të tjerët janë negativë. Gjithsesi, kjo është detyrë e autoriteteve të vendosin se çfarë duhet bërë. Ne shikojmë punën tonë në takimin tonë dhe të tjerat nuk varen prej nesh.Shehi

Ka diçka që ju shqetëson para ndeshjes me Teutën?

Këto kohë ndeshjet kanë qenë shumë të ngjeshura dhe disa lojtarë shumë të rëndësishëm të skuadrës sonë janë dëmtuar. Arsyeja për këto dëmtime ka qenë pikërisht ngjeshja dhe ngarkesa e madhe. Pra, më shqetëson vetëm ngarkesa fizike, asgjë tjetër. Gjithsesi, kam shumë besim te skuadra dhe te të gjithë futbollistët e mi.

Çfarë ndodh me Shkurtajn dhe Obanor, kur mund të kthehen në fushë?

Shkurtaj dhe Obanor janë duke u riaftësuar. Unë shpresoj që Shkurtajn ta kemi më shpejt në fushë sesa Obanori. Stafi përkatës po punon shumë me të dy, ndërsa gjithashtu ata vetë mezi po presin të riaftësohen me qëllim që të ndihmojnë skuadrën për të arritur qëllimet.

Titullin apo Kupën, çfarë synon realisht Kukësi?

Luftojmë në çdo ndeshje për ta fituar atë. Në fund bëjmë llogaritë.

A keni nisur të mendoni për merkaton dhe a ka ndonjë emër që ju ka bërë përshtypje?

Po, kemi piketuar disa lojtarë sepse dhe koha nuk na mjafton, por me të mbaruar kampionati, do hyjmë në bisedime dhe ishalla i konkretizojmë.SHEHI

Mund të na zbuloni ndonjë emër?

Jemi në aktivitet dhe si profesionist absolutisht nuk më lejohet të them emra e jo më detaje.

U keni kërkuar drejtuesve që me lojtarët të cilëve u skadojnë kontratat të vijohet me bisedimet për rinovim. Kjo pasi lojtarëve thelbësorë të Kukësit si kapiteni Musolli, Ethemi, Musta etj, u skadon kontrata…

Që të jesh kompetitiv, duhet që boshti i skuadrës të mos lëvizë dhe kam besim se kështu do të ndodhë. Nuk do të ketë ndryshime të mëdha dhe pa dyshim që Kukësi do të forcohet më tepër. Historia e këtij klubi e ka treguar këtë gjë dhe më parë.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"