Kukësi i sezonit të ri, skuadër pa yje. Stoli rezulton efikas, shënon më shumë se titullarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2023 | 16:40

Kukësi i sezonit të ri, skuadër pa yje. Stoli rezulton efikas, shënon më shumë se titullarët

Kukësi i këtij sezoni është një skuadër me shumë lojtarë, por pa “yje”. Mjafton të shohësh edhe lëvizjet që bëhen në formacion ndeshje pas ndeshjeje, për të kuptuar se bëhet fjalë për një ekip, ku lojtarët janë të gjithë pak a shumë të një niveli dhe diferencat midis tyre nuk janë të mëdha.

kukesi

Të paktën, kjo gjë është vënë re deri më tani në këto tetë javë kampionat. Nga njëra anë, fakti që futbollistët janë të një niveli, është diçka pozitive për skuadrën, sepse edhe ata që futen në fushë nga stoli mund të jenë po aq të frytshëm sa edhe titullarët. Dhe te Kukësi duket se më efikasë janë lojtarët që vijnë si alternativë.

STOLI EFIKAS – “Panorama Sport” i ka bërë një vëzhgim situatës te verilindorët këtë sezon dhe bie në sy se janë pikërisht rezervat ato që po bindin më shumë, të paktën sa u përket golave të shënuar. Blutë kanë realizuar gjithsej nëntë gola deri më tani në tetë javë të luajtura. Pesë prej rrjetave, çka i bie më shumë sesa gjysma e totalit, janë shënuar nga lojtarë të futur në fushë në pjesën e dytë. Përmendim këtu golin e Salamit ndaj Dinamos, atë të Beshirajt ndaj Tiranës, dopietën e La Torres në përmbysjen ndaj Erzenit dhe rrjetën e Hasajt në sfidën e fundit ndaj Partizanit. Të gjithë këta gola kanë ardhur nga lojtarë që janë futur në fushë si alternativa.

Sa u përket titullarëve kanë shënuar vetëm në tri raste, Reçi ndaj Skënderbeut, La Torre ndaj Vllaznisë dhe Salami në përballjen me Partizanin. Një gol është shënuar autogol, pikërisht ndaj të kuqve, nga një “ish” si Altin Bytyçi. Me pak fjalë, shifrat tregojnë se Kukësi shpresat më të mëdha i mban te lojtarët që hyjnë në fushë në pjesën e dytë, edhe pse jo gjithnjë golat e shënuar përkthehen edhe në pikë. Vetëm dopieta e Sebastian la Torres ndaj Erzenit i shërbeu skuadrës për të marrë fitoren, sepse rrjetat e tjera kanë qenë thjesht statistika.

PËRGATITJET – Sakaq, skuadra është duke vijuar me përgatitjet nën drejtimin e trajnerit Stavri Nica, në kuadër të ndeshjes që do të kenë me Laçin javën e ardhshme. Një përballje e rëndësishme për blutë, të cilët duan të rikthehen te rezultatet pozitive, me shpresën që do t’i largohen vendit të fundit. Gjendja e skuadrës paraqitet e mirë, ku shpresohet edhe te rikuperimi i sulmuesit Atdhe Rashiti, i cili mungoi në sfidën e kaluar ndaj Partizanit për arsye dëmtimi.

VLADIMIR MEMA  -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"