Kukësi i karikuar, Nica ka gati “aset nën mëngë” për sfidën me Egnatian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2023 | 10:38

Kukësi i karikuar, Nica ka gati “aset nën mëngë” për sfidën me Egnatian

Fitorja ndaj Vllaznisë ishte e fundit e një ecurie mbresëlënëse të Kukësit, një skuadër që në javët e fundit ka bërë një kapërcim galopant në klasifikim. Nga vendi i fundit dhe i pashpresë pak javë më parë, tani është në mesin e tabelës me 13 pikë të grumbulluara, një më pak sesa pozicioni që të çon në “Final 4”.

kukesi

Edhe pse mes problemesh dhe me mungesa përgjatë këtyre javëve, blutë kanë ditur të vënë në zbatim udhëzimet e Stavri Nicës dhe të marrin më të mirën e mundshme. Për mënyrën se si erdhi, me një lojtar më pak në fushë, ajo fitore ndaj Vllaznisë tregoi karakterin e skuadrës së Kukësit.

“ASET NËN MËNGË” – Nëse diçka ndodh një herë ose dy, mund të cilësohet rastësi, por kur kthehet në modë, atëherë nuk është më e tillë. Është një strategji që në Kukës duket se po funksionon më së miri dhe Nica ka zbuluar “aset nën mëngë” te skuadra që ai stërvit çdo ditë.

Thuhet kështu, pasi në tri fitoret e fundit të Kukësit, respektivisht ndaj Erzenit, Laçit dhe së fundmi ndaj Vllaznisë, golat me vlerën e tri pikëve kanë ardhur në pjesën e dytë dhe mbi të gjitha nga… stoli.

Ndaj Erzenit në pjesën e parë humbisnin 1 me 0, arrijnë ta kthejnë në të dytën me dopietën e peruanit Sebastian la Torre, i cili hyri në fushë si zëvendësues dhe i dha fitoren skuadrës. Për të vijuar më pas me Laçin, ku goli i tri pikëve erdhi nga Abdou Mbarak, i futur gjithashtu nga pankina në fushë dhe duke u dhënë tri pikë verilindorëve.

“Profecia” e golave nga stoli u vu në zbatim edhe në sfidën e fundit ndaj Vllaznisë, ku ishte Atdhe Rashiti që shënoi si zëvendësues dhe skuadra mori tri pikët.

Me pak fjalë, Nica ka gjetur “çelësin” për të marrë fitoret dhe larguar përkohësisht nga kriza Kukësin, edhe pse ka një skuadër të mbushur me djem të rinj dhe pa shumë eksperiencë.

EGNATIA – Rrogozhinasit janë skuadra që i ka shkaktuar humbjen më të thellë Kukësit këtë sezon, pasi i ka mundur në shifrat e thella 4 me 0. P

ër këtë arsye, në Kukës shpresojnë të përfitojnë nga morali i lartë dhe ecuria pozitive për t’i ndalur kryesuesit e kampionatit, edhe pse bëhet fjalë për një sfidë transferte. Mbetet për t’u parë nëse edhe për Egnatian, Stavri Nica do të ketë gati “kurthin” e radhës.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"