Kritika në analizë, Gvozdenoviç ngre tonet: Qartësoni mendimet, nuk po shkoni askund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2023 | 16:35

Kritika në analizë, Gvozdenoviç ngre tonet: Qartësoni mendimet, nuk po shkoni askund

Skënderbeu nuk di të arratiset, ndonëse e ruajti kreun. Vërtetë janë të pathyeshëm prej 11 ndeshjesh dhe për këtë kanë merita të padiskutueshme, e megjithatë janë e njëjta skuadër që po lënë shumë pikë rrugës. Barazimi i fundit në Lezhë “dogji” vërtetë shumë.

Skenderbeu stervitje

Skuadra tregoi probleme në finalizim dhe përballë një skuadre që mbyll tabelën e renditjes. E megjithatë, në Korçë e kanë kaluar pa shumë zhurmë dhe kjo ishte pasojë e supersfidës që u zhvillua në Vlorë.

Kur dihet që edhe përballja mes rivalëve direkt u mbyll me fitoren e Dinamos, të paktën nuk iu bashkëngjit Flamurtari.

E megjithatë, stafi teknik nuk e sheh kaq përciptazi këtë situatë. Edhe pse nuk humbasin, u bënë katër ndeshje që skuadra shfaq probleme në lojë dhe pasoja janë dy fitore të vuajtura dhe dy barazime.

E thënë troç, diçka nuk po shkon si duhet te korçarët dhe nevoja për një “shkundje” është e madhe. Me tone të ashpra trajneri i Skënderbeut ka kërkuar nga të tijtë përqendrim dhe mbi të gjitha reflektim kryesisht në lojë.

Në analizën e zhvilluar menjëherë pas ndeshjes, Ivan Gvozdenoviç është munduar të shkundë mesfushën dhe sulmin, reparte, të cilat, sipas tij, nuk janë në lartësinë e duhur.

“Kemi ndeshje me radhë që nuk po shkojmë atje ku duhet dhe kjo është shqetësuese. Nxjerrja e ekipit para dhe finalizimi, po më shqetësojnë shumë. Nuk mund të shkojmë askund me këtë ritëm. Duhet të kemi përqendrim dhe të ulemi me këmbë në tokë, pasi gjithçka është ende e hapur dhe askush nuk mund të parashikojë një sezon kaq intensiv. Dua reflektim që nga kjo ndeshje e radhës dhe në vazhdim. Kemi disa ditë pushimi dhe duhet që t’i shfrytëzojmë për të qartësuar mendimet dhe për të rikthyer tjetër frymë në momentin kur do të rifillojmë përgatitjet”.

Me këto fjalë u është drejtuar të tijve trajneri bardhekuq. Pauza e kampionatit vjen si me porosi, pasi serbi do të ketë ditë të mjaftueshme në dispozicion për të korrigjuar çfarë nuk shkon te Skënderbeu i tij.

Gvozdenoviç kërkon të mbyllë një fazë të plotë nën drejtimin e tij me rekord pikësh. Korçarët kanë grumbulluar 25 pikë në 11 takime të një faze. E ndërsa kryesojnë Kategorinë e Parë, objektivi mbetet që korçarët të rinisin me një fitore.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"