Korabi, në pritje të Hoxhajt dhe Serxhios

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2017 | 23:27

Korabi, në pritje të Hoxhajt dhe Serxhios

Korabi vijon rregullisht stërvitjet nën drejtimin e Gerd Haxhiut. Të shtunën dibranët kanë programuar miqësoren e parë, pikërisht kundër Bylisit në Pezë, në orën 13:00. Drejtuesit po punojnë për të afruar disa lojtarë dhe për momentin më afër firmës duket mesfushori që është aktivizuar me Dinamon në pjesën e parë të sezonit, Besmir Arifaj.

Serxhio Zhunior Skenderbeu 2016

Nga ana tjetër, klubi shpreson se do të huazojë nga Skënderbeu dy lojtarë, pikërisht sulmuesit Ardit Hoxhaj dhe Serxhio Zhunior. Për të parin ka pasur negociata edhe për blerjen e kartonit.

Ndërkohë, duke qenë se Korabi këmbëngul për kontratën me Sebinio Plakun, i cili po stërvitet te Skënderbeu, gjasat janë që palët të gjejnë një rrugë të mesme. Kësisoj, duket se çështja e Plakut mund të mbyllet me një marrëveshje huazimi mes klubeve. Nëse nuk gjendet gjuha e përbashkët, atëherë ajo që do të vendosë për të ardhmen e sulmuesit është Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve.

Ndërkohë, drejtuesit dibranë janë duke bërë përpjekje për të rikthyer ish-sulmuesin Sindrit Guri, i cili është pjesë e Kukësit, por nuk po gjen hapësira në këtë të fundit. Trajneri Gjoka nuk dëshiron ta lërë të lirë sulmuesin, pasi e ka në plane, ndërsa te Korabi kërkojnë që ta huazojnë për 5 muajt e ardhshëm.

Nga ana tjetër, dibranët po shikojnë mundësinë për të afruar lojtarë nga Kosova. Duke pasur pak alternativa brenda vendit, tregu kosovar shikohet si më i përshtatshmi. Natyrisht, drejtuesit nuk kanë lënë pas as negociatat me lojtarë ballkanas, të cilët përshtaten më lehtë.

A.Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"