Korabi në “ajër”, klubi ngec në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 8, 2017 | 9:49

Korabi në “ajër”, klubi ngec në merkato

Përveçse u kanë bërë një mbyllje jo shumë të mirë dy fazave të para të kampionatit sa i takon pozitës në tabelën e klasifikimit, skuadra e Korabit vazhdon të jetë në “ajër” sa i takon merkatos. Nga dibranët momentalisht janë larguar dy futbollistë, siç është Plaku dhe Zguro, që kanë mbajtur një peshë të madhe në formacion, ndërsa kanë kërkuar të njëjtën gjë edhe disa të tjerë.

korabi

Në një situatë të tillë, drejtuesit janë duke menduar për merkaton, por edhe në këtë drejtim vështirësitë janë të mëdha. Mungesa e tregut i ka detyruar ata që të kërkojnë huazime nga skuadra të tjera dhe një prej tyre është Skënderbeu. Nga korçarët priten tre futbollistë, por deri në momentin që transferimi të realizohet, asgjë nuk mund të quhet e mbyllur.

Nga ana tjetër, drejtuesit duhet të frenojnë edhe kërkesat e largimeve, pasi bëhet fjalë për lojtarët titullarë, siç është edhe Çela. Këta elementë janë të rëndësishëm për trajnerin Haxhiu, por do të jetë shumë e vështirë që ata të vazhdojnë me Korabin edhe në pjesën e dytë të sezonit. Ndërkohë që dje ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij zëdhënësi i shtypit, Eduard Ilnica, që bëri me dije se në skuadër ka konfuzion dhe për këtë arsye po largohej.

Por pavarësisht këtyre problemeve, trajneri Haxhiu mendon se rifillimi i kampionatit do ta gjejë ndryshe skuadrën e tij. “Pa diskutim që do jetë ndryshe, gjëja e parë do të jetë fusha, pasi nuk do të shtegtojmë më. Kemi shpresa që me Laçin të luajmë në shtëpi dhe pastaj mendojmë të kemi disa ndërhyrje. Kuptoj interesat personale të lojtarëve, ndërsa edhe ata duhet të kuptojnë interesat e klubit. Ka opsione në merkato si shkëmbim lojtarësh, me pagesë dhe nuk pengojmë askënd”, ka thënë Haxhiu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"