“Klan” kosovar, Partizani si një kombëtare e vogël me gjashtë “dardanë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2024 | 23:00

“Klan” kosovar, Partizani si një kombëtare e vogël me gjashtë “dardanë”

Partizani së fundmi e ka përqendruar merkaton më së shumti brenda vendit, duke marrë lojtarët më të mirë të skuadrave të kampionatit tonë.

partizaniiii

Megjithatë, në këto 2-3 vitet e fundit duket se edhe Kosova është shndërruar gjithashtu në një shënjestër për të përforcuar skuadrën e kuqe. Nëse dikur lojtarët nga Kosova ishin jo të shumtë, me ritmin e këtyre muajve të fundit duket sikur po shkojmë drejt një 11-sheje të plotë me lojtarë shqiptarë të Kosovës. Në klubin e kuq aktualisht janë plot 6 lojtarë nga Dardania, duke përbërë rreth një të katërtën e komplet ekipit. Madje, një pjesë e tyre janë elemente të rëndësishme të formacionit të Orges Shehit.

“KLANI” KOSOVAR – Gjelbrim Taipi, i ardhur vetëm në këtë verë te “demat”, është me origjinë nga Bujanovci në Luginën e Preshevës. Një tjetër lojtar i rëndësishëm për ekipin është edhe Adnard Mehmeti, i cili vjen nga Vushtrria, që në vitet e fundit po nxjerr futbollistë shumë cilësorë. Nga i njëjti qytet është edhe Leart Zekolli, një tjetër lojtar i ri dhe premtues i “demave”. Altin Bytyçi, i cili aktualisht ka pësuar një dëmtim të rëndë, por që konsiderohet si një nga mbrojtësit kryesorë të Partizanit, është nga fshati Nishor i Komunës së Therandës. Me origjinë nga Kosova është edhe Andi Janjeva, mbrojtësi i ri i talentuar, i cili në fakt ka lindur në Angli dhe është formuar në futbollin ishullor. Së fundmi ekipit iu bashkua Redon Ismaili, i cili është nga Gjilani. Deri para pak kohësh pjesë e ekipit ishte Eros Grezda, po ashtu nga Gjilani.

LIDHJA – Edhe tani vijon të thuhet se Partizani është i gjithë Shqipërisë, por nga mënyra sesi po rrjedhin ngjarjet, Partizani po bëhet i gjithë shqiptarisë. Gjithsesi, lidhja me Kosovën, nuk nisi sot te Partizani, pasi vetëm në dekadën e fundit emra si Ibrahimi apo Mazrekaj janë bërë ikona në shtëpinë e kuqe. Nëse do të bënim një krahasim të organikës së kuqe, për nga prejardhja e lojtarëve do të dukej si një kombëtare e vogël. E vetmja mungesë janë shqiptarët e Maqedonisë, që për momentin nuk e kanë një përfaqësues. Në janar u largua tetovari Sabit Bilali. I vetmi maqedonas në skuadër është shkupjani Atanaskoski, që dje uroi presidentin Demi në shqip.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"