Kërkohet ngjitja në Superiore / Klubi i Kategorisë së Parë merr 4 lojtarë në provë, mes tyre dy nigerianë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 8, 2023 | 14:41

Kërkohet ngjitja në Superiore / Klubi i Kategorisë së Parë merr 4 lojtarë në provë, mes tyre dy nigerianë

Tërbuni prej tri ditësh ka startuar përgatitjet nën drejtimin e trajnerit Alert Alcani. Sa i takon grupit të lojtarëve, të gjithë kanë qenë të pranishëm, ndërsa janë parë edhe lojtarë të rinj, të cilët i janë nënshtruar provës së stafit teknik. Mes tyre dy lojtarë nigerianë, që duket të jenë mjaft cilësor. Mosha e tyre është 22 dhe 24 vjeç.

terbuni-besa

Trajneri Alcani, në një prononcim për “Panorama Sport”, shprehet i kënaqur nga lojtarët që kontribuan në fazën e parë, por pret që atyre t’u bashkohen edhe të tjerë.

“Për momentin në provë janë dy të rinj 19-vjeçarë, por edhe dy nigerianë. Njëri prej tyre ka qenë pjesë e Skënderbeut në Superiore. Me afrimet në këtë merkato besoj se ekipi do të jetë edhe më i fortë se në fazën e parë të kampionatit. Kemi edhe tri javë kohë për t’u përgatitur për ndeshjen në transfertë që do ta luajmë ndaj Orikut. Objektiv i vetëm është rezultati pozitiv. Lojtarët e rinj që janë ofruar në stërvitje mund të vijnë edhe në formë huazimi. Kam besim se këto dy ditë do të na bashkohet në stërvitje Ermir Rezi, që ka munguar prej kohësh për arsye familjare. Mbrojtja dhe mesfusha janë dy repartet ku kemi më shumë nevojë për afrime, sepse sulmi është ‘i blinduar’”, përfundoi Alcani.

Tërbuni zhvillon sot një miqësore me Tiranën në kompleksin “Skënder Halili” duke nisur nga ora 11:30.

DITMIR PEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"