Keqardhja e Martinit: Ishim më mirë se Partizani, Teuta del nga kriza. Ja çfarë pres nga Faust

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2024 | 21:20

Keqardhja e Martinit: Ishim më mirë se Partizani, Teuta del nga kriza. Ja çfarë pres nga Faust

Prej 11 ndeshjesh Teuta nuk po arrin të dalë nga kriza me një fitore. Së fundmi durrsakët u mposhtën nga Partizani me një penallti të shkaktuar nga Kotobelli dhe të shënuar nga Cara. Në një prononcim për mediat, trajneri Martini shprehet se fati ishte në anën e Partizanit, por ka besim se ekipi i tij e ka stofin për të dalë nga kriza.

martini

Ndeshja e tretë ndaj Partizanit, por ende nuk po arrini t’i “thyeni”. Çfarë ju pengoi në këtë përballje?
Është hera e tretë që luajmë ndaj Partizanit në këtë sezon. Një herë na ka mundur me gol në minutën e 93-të, kur ne kishim humbur penallti më parë. Një herë na ka barazuar në Durrës në minutat e fundit dhe këtë herë fituan me një penallti. Kështu që diferenca mes nesh dhe atyre është shumë e vogël. Fati ishte në anën e tyre. Djemtë luajtën shumë mirë. Kishim rastet tona për të shënuar. Nuk e bëmë për meritë të fatit dhe të portierit të tyre, kështu që ata fituan. Por sa i përket lojës ne ishim më mirë se Partizani.

Mendoni se ishte e shmangshme penalltia e shkaktuar nga Kotobelli ndaj Hadrojt?
E kishim diskutuar edhe para ndeshjes, sepse ai është momenti i fundit. Ia kishim frikën Hadrojt edhe para ndeshjes. E kisha porositur Gjinollarin të kishte kujdes tek ai aksion, sepse me një rast të ngjashëm na ka barazuar edhe në Durrës. Ishte mungesë eksperiencë dhe përqëndrimi. Ndërhyrja e Kotobellit është e fundit, por sërish duhej të ishim më të kujdesshëm.

U duk sikur herë pas here topi ngecte në zonën e Partizanit dhe mungonte sulmuesi që shtyn topin në rrjetë. Çfarë prisni nga blerja e re, Faust?
Pres që Faust të na ndihmojë shumë. Ai nuk ka qenë në gjendjen optimale, sepse ka kohë që është pushim. Shpresoj dhe mendoj se do na ndihmojë shumë gjatë javëve në vazhdim.

Sa e vështirë bëhet situata me 11 ndeshje pa fitore?
Është e vështirë dhe është për të të ardhur keq. Mund të luash 11 ndeshje në mënyrë të keqe, je më dobët se kundërshtari dhe nuk ke justifikim. Por kur je i barabartë, madje edhe superior ndaj kundërshtarëve, dhe nuk arrin të fitosh, atëherë të vjen me të vërtetë keq. Gjithsesi, sapo ka nisur pjesa e dytë e kampionatit. Kemi kohë për të rikuperuar dhe për të ecur përpara, sepse e dimë potencialin që kemi.

Do të vijoni ende me afrime në merkato?
Do të ketë ndonjë lëvizje që e presim këto ditë, por unë them se ekipi është. Ne nuk na çalon loja, na mungon një lojtar që të bëjë golin dhe për këtë kemi marrë Faustin. Them se do të ketë shumë pak gjëra për të bërë në vazhdim. Të kemi besim te vetja dhe fitoret do të vijnë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"