Dy perla për nga një pikë, por në Durrës kënaqet Tirana…

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Mars 13, 2014 | 14:57

Dy perla për nga një pikë, por në Durrës kënaqet Tirana…

TIRANA-KRYESORETeuta barazon 1-1 me Tiranën. Supersfida përmbyllëse e javës së 23-të, edhe pse prodhoi futboll të bukur, dhuroi dy eurogola, në fund nuk pati fitues. Megjithatë, nga kjo pikë e marrë më të kënaqur janë bardheblutë, të cilët rikthehen në vendin e tetë, duke iu larguar zonës së rrezikut. Ndërsa për durrsakët kjo nuk mjafton, pasi janë të gjashtët dhe larg objektivave. Ka qenë një takim i ndarë në dy tablo, me një pjesë të parë të dominuar nga miqtë, ndërsa në të dytën gjithçka u balancua, pasi Teuta u shfaq më e rrezikshme. Të parët që kaluan në avantazh ishin kryeqytetasit, me anë të një perle të Karabecit, por pas 7 minutash Teuta baraspeshoi gjithçka, me një goditje potente me kokë të Rustem Hoxhës.

TEUTA-TIRANA 1-1
GOLAT: R.Hoxha 43’/ Karabeci 36′
TEUTA: A.Osmani, Idrizaj, T.Osmani, Hoxha, Da Silva, Nika (Shala 58′), Hodo, Ahmataj (Çyrbja 80′), Dosti, Kalu (Joel 46′), Xhafaj; Trajner: I.Biturku.
TIRANA: I.Lika, Sina, Muça, Pashaj, Kalari, Kërçiku (Korreshi 69′), Taku (Deliç 80′), Karabeci, Kahata (Morina 46′), Gilberto, Ndikumana; Trajner: G.Magani.
KARTONË TË VERDHË: R.Hoxha 55′, Hodo 62’/ Sina 81′, Ndikumana 85′
VËZHGUES: Sokol Jareci (Tiranë)
DELEGAT: Enton Lita (Tiranë)
GJYQTARET: L.Jemini, R.Avdo, E.Biçaku (Tiranë)

MINUTAT
5′ A.Osmani gabon dhe ia jep topin Gilbertos, sulmuesi përfiton, por prek vetëm rrjetën e jashtme.
18′ Kërçiku mbron topin, provon të godasë, por mbrojtja largon topin, i cili shkon te Karabeci, gjuan, por nuk gjen kuadratin.
21′ Kahata merr një top në mesfushë, kalon dy lojtarë të Teutës, gjuan në zonë, por pa krijuar rrezik.
25′ Taku nxjerr të lirë Kahatën, i cili pason te Ndikumana, ky kombinohet me Kërçikun, por Da Silva largon rrezikun në kohë.
32′ Karabeci befason. Gjuan nga jashtë zone, por portieri Osmani bën mrekullinë.
36′ Eurogol i Karabecit, i cili gjuan nga 35 metra dhe topi përfundon drejt e në rrjetë dhe 0-1.
38′ Ndikumana pason te Taku, që gjuan, por topi shkon vetëm shumë pranë portës.
41′ Ndikumana provon nga distanca, por topi përfundon jashtë.
43′ Goditje dënimi Për Teutën, ekzekuton Ahmataj, R.Hoxha gjuan me kokë, topi përfundon drejt e në rrjetë dhe 1-1.
46′ Joel rrezikon, por Lika grushton.
50′ Xhafaj kontrollon topin, futet në zonë, ka kontakt me Muçën, por për gjyqtarin nuk është faull.
53′ Hodo ka rast për të shënuar, por vonohet në zonë dhe i jep mundësi mbrojtjes mike që të spastrojë zonën.
72′ Goditje dënimi, Karabeci gjuan, por topi përfundon shumë larg kuadratit.
82′ Ndikumana ka rast të artë, kombinohet me Gilberton, braziliani ia kthen sërish, lojtari nga Burundi e ul topin me kokë, gjuan me të majtën, por topi ndalet në trupin e Idrizajt.
83′ Xhafaj gjuan fort, por Lika pret në dy kohë dhe bën mrekullinë.
85′ Goditje dënimi, gjuajtje e fortë e Da Silvës, por përfundon mbi traversë. 91′ Korreshi kombinohet me Morinën, gjuan sulmuesi, por topi devijohet nga mbrojtja durrsake.
92′ Goditje dënimi, Deliç pason te Ndikumana, i cili gjuan me kokë, por topi përfundon mbi tra.

Pjesa e parë Në një stadium të tejmbushur dhe një atmosferë elektrizuese nga tifozët, ndeshja nisi e qetë dhe me të dyja skuadrat të kujdesshme në fushë, të cilat po mundoheshin të studionin njëra-tjetrën. Me kalimin e kohës, Tirana është shfaqur rrezikshëm me Gilberton, por nuk ka arritur të shënojë. Në të 5- ën minutë, A.Osmani gabon dhe pason te braziliani, i cili përfiton, por topi i tij prek vetëm rrjetën e jashtme. Loja vazhdon të kontrollohet prej Tiranës dhe në të 18-ën ka një tjetër rast. Kërçiku mbron topin, provon të godasë, por mbrojtja largon topin, që shkon te Karabeci, i cili gjuan, por nuk gjen kuadratin. Në të 21-ën Kahata merr një top në mesfushë, kalon dy lojtarë të Teutës, gjuan në zonë, por pa krijuar rrezik. Nuk ndalen me kaq bardheblutë, pasi në të 25-ën Taku nxjerr të lirë Kahatën, i cili pason te Ndikumana, ky kombinohet me Kërçikun, por Da Silva largon rrezikun në kohë. Karabeci befason në të 32- ën. Gjuan nga jashtë zone, por portieri Osmani bën mrekullinë. Megjithatë, kapiteni i bardhebluve, vetëm 4 minuta më vonë, konkretisht në të 36-ën shtang stadiumin me një eurogol. Goditje nga 35 metra dhe topi përfundon drejt e në rrjetë dhe 0-1. Ky gol ndez takimin, megjithatë Teuta nuk dorëzohet dhe tenton vazhdimisht që të barazojë rezultatin. Dhe në të 43-ën ia dalin. Goditje dënimi Për Teutën, ekzekuton Ahmataj, R.Hoxha gjuan me kokë, topi përfundon drejt e në rrjetë dhe 1-1. Pjesa e parë mbyllet këtu, me shifra të barabarta.
Pjesa e dytë Pjesa e dytë nis me lëvizje në të dyja formacionet dhe futja e Joelit sjell një rast të rrezikshëm që në start, sulmuesi gjuan, por Lika grushton. Në të 50-ën Xhafaj kontrollon topin, futet në zonë, ka kontakt me Muçën, por për gjyqtarin nuk është faull. Pas tri minutash, Hodo ka rast për të shënuar, por vonohet në zonë, dhe i jep mundësi mbrojtjes mike që të spastrojë zonën. Minutat pasuese nuk sjellin asgjë, madje skuadrat gabojnë shumë në pasime, duke zbehur bukurinë e lojës. Ka tentativa nga bardheblutë, por më së shumti me goditje standarde, të cilat nuk krijojnë rrezikshmëri. Ndikumana ka rastin e artë për të shënuar golin e fitores në minutën e 82-të. Sulmuesi kombinohet me Gilberton, i cili ia kthen pasimin, lojtari nga Burundi e ul topin me kokë, gjuan me të majtën, por topi ndalet në trupin e Idrizajt. Kundërpërgjigjet shpejt Xhafaj, por Lika pret në dy kohë dhe bën mrekullinë. Ka disa tentativa deri në fund të lojës prej kryeqytetasve të Maganit, me anë të Morinës e Korreshit, por asgjë nuk ndryshon, pasi takimi mbyllet me shifrat 1-1. Me një Tiranë që është e teta me 27 pikë, ndërsa me Teutën që merr barazimin e tretë radhazi, dhe qëndron në vendin e 6-të me 32 pikë.

MË I MIRI
Erando Karabeci ka qenë pa dyshim lojtari i ndeshjes. Mesfushori realizoi një eurogol nga 35 metra, por jo vetëm kaq, pasi ai bëri mjaft mirë edhe detyrat e veta në mesfushë. Pas nuk mbetet as autori i golit të Teutës, Rustem Hoxha, i cili jo vetëm bëri sulmuesin në golin e shënuar, por arriti që të mbulonte mjaft mirë sulmuesin e Tiranës, Ndikumana.

MË PAK AKTIVI
Ikeçuku Kalu ka qenë në hije gjatë ndeshjes së djeshme. Sulmuesi, që dje zuri vendin e Joelit, i cili nuk ishte në kondicionin e duhur fizik, nuk bëri thuajse asgjë. Megjithatë, edhe rastet i munguan, pasi mesfusha nuk i shërbeu gjatë pjesës së parë. Kjo ishte arsyeja që trajneri Ilir Biturku e zëvendësoi në pushim të takimit dhe futi Joelin për t’i dhënë freski sulmit.

karabeci-me-kupe-fredi“Magjistari” Karabeci: Goli më i bukur i karrierës!
Erando Karabeci realizoi një eurogol, të cilin e cilëson si më të bukurin e karrierës. Ai ka një dedikim special për trajnerin Magani, i cili dje festoi ditëlindjen. Megjithatë, kapiteni ndien keqardhje që perla e tij nuk mjaftoi për t’i dhënë skuadrës së tij tri pikët. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori i bardhebluve tha se Tirana meritonte të dilte me pikë të plota nga “Niko Dovana”, teksa rrëfen edhe sekretin e golit të shënuar nga 35 metra.
Erando, shënuat një eurogol. Mendoni se është goli më i bukur i karrierës suaj futbollistike?
Kam përshtypjen se po. Mendoj se ky ishte goli më i bukur i karrierës. Sigurisht jam shumë i lumtur për këtë gol dhe shpresoj që të shënoj edhe të tjerë, ndoshta edhe më të bukur se ky. Mirëpo, goli nuk mjaftoi për të siguruar fitoren, fakt që më ka mërzitur disi.
Ishte rastësi ai gol, apo…?
Jo, nuk është rastësi. Në stërvitje e kam aplikuar shpeshherë dhe kam shënuar madje. Sot erdhi momenti që ta bëja edhe në ndeshje.
Ia dedikuat Maganit golit, pse?
Sepse para ndeshjes i kishim premtuar se po të fitonim, do ia dedikonim për ditëlindje. Ndaj shkova direkt te trajneri pas golit.
Çfarë do të thotë barazimi i sotëm?
Në pozitat ku ndodhemi e konsideroj rezultat pozitiv. Kishim ardhur në Durrës për fitore dhe i kishim të gjitha mundësitë që të dilnim me pikë të plota nga kjo përballje shumë e fortë, por nuk mundëm të shënonim golin e sigurisë gjatë pjesës së parë. Mendoj se e meritonim më shumë se kundërshtari fitoren, pasi e dominuam në pjesën më të madhe të lojës. Kjo pikë na bën shumë punë për të siguruar mbijetesën.
Pra, barazimin mund ta konsiderojmë si rezultat pozitiv për Tiranën?
Sigurisht. Për ne çdo pikë është e vlefshme. Pra, mjafton të mos humbim, aq më tepër që barazimi u arrit në transfertë dhe kundrejt një kundërshtari shumë, shumë të fortë. Mirëpo, nga mënyra se si u zhvillua ndeshja, mendoj se kemi lënë dy pikë.
Ku mendoni se gaboi skuadra që nuk mundi të arrinte objektivin, që ishte fitorja?
Nuk e gjetëm dot golin e dytë. Pasi shënuam të parin, krijuam disa raste, të cilat duhet t’i kishim shfrytëzuar. Krijuam volum loje, sidomos nga minuta e 20-të deri tek e fundit, dhe e kërkuam me ngulm fitoren. Mirëpo, gabuam në rastin e golit të barazimit.
Përfshi edhe barazimin ndaj Teutës, si e konsideroni ecurinë e Tiranës?
Ne jemi ende në zonën e ftohtë. Pavarësisht rezultateve pozitive të javëve të fundit, duhet të rikuperojmë dhjetëra pikë të tjera.MaganiMagani: Pikë e vlefshme, skuadra më bindi në lojë
“Për ne është e vlefshme çdo pikë”. Kështu e ka nisur deklaratën e tij pas ndeshjes trajneri i Tiranës, Gugash Magani. Peqinasin e kënaq barazimi dhe loja e të tijve. “Për ne është e vlefshme çdo pikë. Barazimin do ta konsideroja rezultat pozitiv. Skuadra zhvilloi një lojë të mirë, ku përgjithësisht jam i kënaqur nga nga lojtarët. Kishim ardhur në Durrës me qëllimin për ta fituar këtë ndeshje, por edhe duke marrë parasysh faktin që luanim përballë një kundërshtari shumë të fortë dhe aq më tepër në transfertë. E nisëm mirë lojën, duke sulmuar vazhdimisht dhe e ngritur gradualisht ritmin. Fatmirësisht arritëm të zhbllokonim me anë të Karabecit, me një gol të shkëlqyer. Por gabuam, ishim të përgjumur kur pësuam golin e barazimit. Gjatë pjesës së dytë bëmë zëvendësim të detyruar dhe sërish insistuam në kërkim të fitores. Megjithatë, tani do të mendojmë për të ardhmen, pasi kemi ende edhe 10 finale për të luajtur”, – u shpreh Magani.
Biturku“Mungesat na kushtëzuan, barazimi rezultat më i drejtë”
Tekniku durrsak Ilir Biturku, gjatë analizës që i bëri ndeshjes, tha se barazimi është një rezultat i merituar nga të dyja skuadrat. “Ishte një sfidë shumë e fortë, sikurse kishim parashikuar. Skuadra luajti relativisht mirë dhe jam i kënaqur nga paraqitja. Gjatë pjesës së parë kundërshtari ishte më mirë se ne, por me kalimin e minutave u rikthye në lojë. Duke marrë parasysh cilësitë e kundërshtarit në repartin e sulmit, po luanim shumë të kujdesur në mbrojtje. Por erdhi ai gol nga distanca i Karabecit, për të na e bërë më të vështirë punën. Pas shumë përpjekjesh arritëm të barazonim. Pas pushimit mendova të freskoja disi sulmin dhe futa në fushë Joelin, i cili iu përgjigj pritshmërive. Duke marrë parasysh lojën e zhvilluar, mendoj se barazimi është rezultat i drejtë. Megjithatë, te ne ndikuan edhe mungesat. Përveç Samb të pezulluar, nuk kishim të gatshëm as Jakupin e Bathën. Tani duhet të tentojmë fitoren me Flamurtarin”, – përfundoi Biturku.
Rustem Hoxha“Duhet të fitonim, Goli? Zbatova vetëm skemën”
Rustem Hoxha, përveçse shënoi golin e barazimit, një gol shumë i bukur për nga mënyra e ekzekutimit, ishte i pakalueshëm në prapavijë. Qendërmbrojtësi mbajti një peshë të madhe në këtë përballje, duke qenë se përballë kishte një sulm të frikshëm. Hoxha është shumë i zhgënjyer me rezultatin dhe i pakënaqur me pikën e siguruar prej golit të tij. “Nuk ishim në lartësinë e kërkuar. Gjatë javës skuadra ishte përgatitur për fitore, por nuk ndodhi kështu në fushën e lojës. I kishim frenat e lojës në dorë, por gjithçka e ndërlikoi goli i Karabecit nga distanca. Pas kësaj nuk na duhej vetëm një gol, por dy. E, ndërsa minutat kalonin, arritëm të barazonim me anë të asaj goditjeje të lirë. Jam i kënaqur për golin, por dua të them që ajo është një skemë që ne e kemi provuar shpesh ditët e fundit në stërvitje. Pjesën e dytë e nisëm mirë, kontrolluam për shumë minuta lojën dhe krijuam disa raste. Mirëpo, me kalimin e minutave, skuadrat menduan të mbroheshin, duke kërkuar të mos dilnin pa pikë nga kjo ndeshje. Pra, menduam më shumë që të mos pësonim sesa për të shënuar. Kjo ishte një ndeshje shumë e vështirë, ku dua të vlerësoj kundërshtarin për karakterin që tregoi në fushë. Për Teutën mendoj se ka hedhur një tjetër hap të gabuar sot (dje), i cili duhet rikuperuar sa më shpejt të jetë e mundur”, – tha qendërmbrojtësi, i cili ndeshjet e fundit ka luajtur si titullar në radhët e skuadrës durrsake.
Tirana humbi 10 mln lekë premio
Pak para se ekipi të zbriste në fushë, donatorët Refik Halili dhe Lulzim Morina u futën në dhomat e zhveshjes. Arsyeja: premtuan 10 milionë lekë të vjetër në rast fitoreje, para që lojtarët nuk i përfituan dot, pasi në fund morën vetëm një pikë. Drejtuesit e kishin vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë takim, megjithatë Tirana, edhe pse e dominoi përgjithësisht ndeshjen dhe prodhoi lojë të bukur, në fund mori vetëm një barazim 1-1. Sponsorët u kërkuan bardhebluve që ta fitonin përballjen, për të përmirësuar edhe më shumë gjendjen në renditje. Ata i karikuan, por shpërdorimi i një mori rastesh, kryesisht në fundin e pjesës së parë, solli edhe këtë rezultat final. Morina e Halili e ka kthyer në zakon vendosjen e shpërblimeve, teksa para çdo takimi të rëndësishëm nuk kanë nguruar që t’i motivojnë lojtarët me shumë të larta financiare.
Dekor dhe spektakël në tribuna
Nga java në javë, stadiumi “Niko Dovana” sa vjen dhe tejmbushet. Teuta-Tirana dje ka sjellë interesin e afro 4000 ultrasve, ku binte në sy një numër i konsiderueshëm tifozësh të ardhur nga kryeqyteti. Tifozeria durrsake dhe ajo e Tiranës, mike të njëra-tjetrës, kanë qenë të shumta në numër dhe kanë dhuruar spektakël në tribunat e stadiumit të Durrësit, me koreografitë e tyre. Asnjë incident nuk u regjistrua në tribunat respektive, ku gjithçka nisi dhe përfundoi më së miri. E thënë ndryshe, dje spektakli nuk ishte vetëm në fushë, por edhe në tribuna.
LEONIDHA MUSAJ






www.minuta90.com