Kastrioti/ Trajneri Ndreu: Ndaj Elbasanit nuk dalim pa pikë, japim shpirtin në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2024 | 9:23

Kastrioti/ Trajneri Ndreu: Ndaj Elbasanit nuk dalim pa pikë, japim shpirtin në fushë

Krutanët do të ndeshen në “Redi Maloku” të Fushë-Krujës me Elbasanin kryesues. Ndeshja ka një rëndësi të veçantë për Kastriotin, pasi një fitore e mundshme do të krijonte një hapësirë te re për daljen nga zona e vendeve të fundit të tabelës.

Ramadan Ndreu, trajneri i Kastriotit

Trajnerit Ndreu, pauza e garës i ka shërbyer për të punuar më shumë me të tijtë dhe për rikuperimin e disa futbollistëve që kanë shfaqur shenja lodhje. Ndreu beson se Kastrioti do të dijë të mos dalë pa pikë brenda në shtëpi. “Fitorja e fundit në transfertën e Vorës ka kthyer qetësinë e pritur në ekip. Ndaj Vorës ishte një ndeshje e interpretuar mirë, duke pasur parasysh kundërshtarin, sepse vorakët kanë një ekip shumë të mirë.

E kam thënë edhe më parë, se nëse lojtarët japin maksimumin dhe futen në lojë më besim për fitore ia dalin të realizojnë objektivin. Ndeshja me Elbasanin ka një shkallë vështirësie më të lartë, pasi është një ekip i mirëpërgatitur e kryeson me meritë. Kur luajmë me ekipe të forta, ekipi mobilizohet më shumë, dhe kam besim se do të jemi më kërkues se Elbasani, i cili ndodhet në vendin e parë. Kastrioti është në pozitë të vështirë, ndaj do të japim shpirtin në fushë për të marrë pse jo tri pikët e radhës, që janë të domosdoshme për ne”, tha Ramadan Ndreu.

Shkëlqim Hasani- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"