Kapiteni i vendos ultimatum Vllaznisë: Pres edhe 4 ditë, kam oferta të tjera!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2017 | 11:03

Kapiteni i vendos ultimatum Vllaznisë: Pres edhe 4 ditë, kam oferta të tjera!

Vllaznia mund të humbasë për sezonin e ardhshëm një prej lojtarëve të saj më të mirë, siç është kapiteni Ndriçim Shtubina. Ky i fundit, prej kohësh nuk po stërvitet me ekipin, ndërkohë që u ka lënë katër ditë afat drejtuesve të klubit të zgjidhin mosmarrëveshjet që kanë me të, në të kundërt do të largohen.

shtubina

Vetë Shtubina ka bërë me dije se problemi i tij me klubin nuk ka lidhje me mosshlyerjen financiare, por për të ardhmen. Ndërkohë që administratori Gjyrezi, pak ditë më parë, në një mbledhje që ka pasur me kryebashkiaken Ademi dhe drejtues të tjerë të klubit, ka bërë me dije se disa prej lojtarëve kanë kërkuar rritje pagash.

Kjo, sipas të gjitha gjasave, mendohet të jetë edhe shkaku që Shtubina nuk po del në stërvitje. I pyetur se kur do të bashkohet me skuadrën, kapiteni u shpreh:

“Nuk di çfarë të them. Jam në pritje të një përgjigjeje të drejtuesve të klubit. Ata e kanë kërkesën time dhe jam në pritje. E thënë në gjuhën e futbollit, topi është në fushën e tyre. Unë tanimë jam edhe mërzitur duke pritur, pasi kanë kaluar disa ditë. Nuk do të pres me shumë se tre apo katër ditë dhe, nëse nuk marr një përgjigje, do të largohem nga Vllaznia. Më vjen keq, pasi nuk jam unë që kërkoj të largohem, por mospërgjigjja e tyre për t’i dhënë zgjidhje situatës”, ka thënë Shtubina.

OFERTAT

Kapiteni 30-vjeçar dihet se ka një kontratë me Vllazninë edhe për sezonin e ardhshëm. Por, prishja e saj nuk duket një shqetësim nga ana e lojtarit, që gjatë ditëve të fundit, kur nuk ka dalë në stërvitje me klubin, ka marrë edhe oferta nga një sërë klubesh të Superiores, emrat e të cilëve nuk dëshiron që t’i bëjë me dije.

“Nuk do ta kem problem për t’i dhënë fund kontratës. Gjatë këtyre ditëve që kam qenë larg ekipit, të jem i sinqertë, nuk më kanë munguar ofertat nga skuadrat e Superiores. Mirëpo nuk e quaj etike që në këto momente që nuk kam marrë një përgjigje nga klubi, të futem në bisedime apo qoftë edhe të përmend emra ekipesh.

Prandaj e thashë edhe më lart. Nuk kam pse të pres më shumë se tre apo katër ditë, pasi dua të vendos për të ardhmen time”, ka mbyllur Shtubina. Në rast se lojtari largohet përfundimisht nga ekipi, atëherë situata në kampin kuqeblu do të vështirësohej edhe më shumë.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"