Kaos total në Vlorë, Flamurtarit i rrinë larg të gjithë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2019 | 15:07

Kaos total në Vlorë, Flamurtarit i rrinë larg të gjithë

Flamurtari, në kaos total. Asnjë shenjë për nisjen e përgatitjeve. Dje ishte lënë një takim i fundit mes administratorit Sinan Idrizi dhe trajnerit Julian Ahmataj për të zgjidhur çështjen, por takimi nuk është realizuar.

ahmataj

Mësohet se anulimi i takimit mes administratorit dhe trajnerit që përflitet se do të marrë drejtimin e kuqezinjve, është bërë për shkak të angazhimeve që ka pasur jashtë Vlorës, administratori Idrizi. Por situata mbetet e paqartë. Nuk dihet se kur do të nisin përgatitjet dhe për këtë nuk ka ende një datë nga drejtuesit.

Edhe pse u tha se do të ishte kjo javë që do të niste përgatitjet edhe pa trajner, nuk ka ndodhur kështu. Por, Flamurtari nuk ka as lojtarë me të cilët ta fillojë. Situata në fakt është më se kaotike dhe nuk dihet se kur dhe si do të zgjidhet.

Sinan Idrizi Flamurtari

Burimet bëjnë me dije se në dispozicion të stafit teknik pritet që të jenë Fjoralb Deliaj, Mateo Qarri, Arbër Beqaj, Arrinaldo Rrapaj, Shqair Haruni, Ardit Ziaj dhe Ariel Muçollari. Këtyre lojtarëve u është thënë edhe pse jo zyrtarisht që përgatitjet do të nisnin këtë javë, por asgjë në horizont.

REFUZIMI

Por, Flamurtarin po e refuzojnë. Kapiteni Artim Pollozhani nuk po kthen ende përgjigje për shkak se është i pavendosur si pasojë e situatës që po kalon klubi. Edhe pse Idrizi i propozoi postin e drejtorit sportiv, Pollozhani nuk po kthen ende përgjigje.

Pollozhani

Nga lojtarë dhe trajnerë nuk e preferojnë më klubin vlonjat për shkak të pasigurisë financiare që e ka mbërthyer. Edhe pse kohë më parë e lakmonin, për kontratat e “majme, tani nuk po ndodh më kështu. Në këto kushte, në mes të kësaj pasigurie, asnjë nuk e preferon më Flamurtarin, as lojtarët e sezonit të shkuar të cilët nuk pritën dhe as të tjerë nuk presin, por do të vijojnë të firmosin me ekipe të tjera.

ANKTHI

Në Vlorë ka ankth për të ardhmen. Asgjë nuk është e sigurt. Fryma mbahet te 31 korriku dhe te ndonjë vendim që mund të marrë FSHF për të mos licencuar klubin të marrë pjesë në sezonin futbollistik të këtij viti.

flamurtari

Klubi duhet që të shlyejë detyrimet për t’u licencuar, por deri më tani nuk ka asnjë hap. Në rast se edhe pas këtij afati kriteri financiar nuk do të jetë përmbushur, materialet do t’i paraqiten Komisionit të Licencimit të Klubeve në gjendjen aktuale, çka do të thotë se Flamurtari mund të rrezikojë mosmarrjen e licencës e për rrjedhojë edhe mospjesëmarrjen në kampionatin e këtij viti, gjë që do të ishte një situatë skandaloze dhe një goditje e rëndë për Flamurtarin.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"