Kaos me borxhet, FSHF shtyn gjashtë ndeshje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2015 | 14:37

Kaos me borxhet, FSHF shtyn gjashtë ndeshje

Albpetroli-TepelenaKategoria e Dytë është futur në një kaos nga i cili nuk dihet nëse do të dalë lehtë. Dje është luajtur e përgjysmuar java e dytë e këtij kompeticioni, ku marrin pjesë në total 24 ekipe, por një pjesë e madhe e tyre nuk kanë luajtur. Kjo, për shkak se nuk kanë shlyer detyrimet e pjesë- marrjes në kampionat në Federatën Shqiptare të Futbollit, detyrime që kanë të bëjnë me federimin e futbollistëve. Mirëpo, një problematikë e tillë është vënë re që në javën e parë, kur numri i ekipeve që kanë luajtur ka qenë shumë i paktë dhe kryesisht ato private. Ndërsa skuadrat e tjera janë dënuar nga Komisioni i Disiplinës me -3 pikë, edhe pse duhet thënë se vendimi është mjaft i diskutueshëm, duke qenë se janë dënuar edhe dy ekipe që luanin me njëri-tjetrin.

Kompromisi

Në një situatë të tillë, klubet që nuk kanë arritur të paguajnë kanë kërkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit që të luanin gjatë ditës së djeshme dhe të bënin pagesat sot, duke qenë se bankat kanë qenë pushim dhe nuk mund të kryheshin transaksione. Pagesat nga klubet në fjalë nuk mund të bëhen kesh, për shkak se janë në varësinë e bashkisë së qyteteve përkatëse. Megjithatë, një gjë e tillë nuk është pranuar nga FSHF-ja, e cila u ka bërë me dije klubeve se nuk do të marrë asnjë masë, përkundrazi do të presë ditën e sotme që këto klube të kryejnë pagesat e tyre dhe të mund të luajnë në ndeshjet e kampionatit rregullisht. Pas pagesës që pritet të bëjnë klubet gjatë ditës së sotme, FSHF ka menduar që pjesa e skuadrave që nuk ka luajtur në fundjavë, t’i zhvillojnë nesër ndeshjet e tyre. Në këtë mënyrë do të kompensohet edhe koha. Por, në rast të kundërt, pra nëse klubet nuk paguajnë sot, kur është edhe afati i fundit, do të ketë pasoja për ta. Komisioni i Disiplinës do të mblidhet për të marrë vendim për ata klube që nuk kanë paguar. Gjithsesi, duhet pritur fundi i ditës së sotme, ose të paktën orari kur mbyllet edhe aktiviteti bankar për të parë se cilat nga klubet kanë pasur mundësinë të paguajnë dhe të luajnë të martën ndeshjen e javës së dytë të kampionatit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"