“Kam dy oferta nga elita”, mbrojtësi i Apolonisë: Në Superiore nuk do të luajmë vetëm për mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2020 | 20:51

“Kam dy oferta nga elita”, mbrojtësi i Apolonisë: Në Superiore nuk do të luajmë vetëm për mbijetesën

Ndonëse vetëm 24 vjeç, Denis Duda është një nga “veteranët” e skuadrës fierake. I rritur në akademinë e Apolonisë, për të kaluar me radhë te Flamurtari U-19 dhe tek ekipi i parë vlonjat, një sezon në Serinë D në Itali, te Turbina e Cërrikut, për t’u rikthyer aty ku u formua, në Fier, ku tashmë ka mbyllur sezonin e tretë.

Denis Duda

Kampionati i fundit ka qenë një rikthim bindës për qendërmbrojtësin, teksa një sezon më parë ka vuajtur nga dëmtimet e shumta, ku ka zbritur në fushë vetëm 47 minuta gjithsej. Këtë vit, Duda është aktivizuar 1646 minuta në 21 ndeshje, duke formuar dyshen e prapavijës me kapitenin Eljon Sota. Tashmë lojtari fierak duket shumë i lumtur për arritjen e ekipit dhe pjesëmarrjen në elitë për edicionin e ardhshëm.

“Ka qenë një arritje e merituar për skuadrën tonë”, thotë Duda. “Grupi ku ne kemi marrë pjesë, ka pasur shumë konkurrencë dhe luftë të ashpër sportive, ndërsa ia dolëm të shpalleshim kampionë”. Për numrin 21 të Apolonisë, e shkuara i përket arkivës dhe prej kohësh në kampin fierak ka filluar puna për sezonin e ri. “Tani do të luajmë në Superiore, në një kompeticion shumë të vështirë, që ka skuadra më cilësore se Kategoria e Parë. Unë e kam provuar një përvojë të tillë shumë vite më parë me Flamurtarin dhe i pres me padurim këto sfida.

apolonia-kampion-me-u19

Ne kemi një ekip me lojtarë kryesisht të rinj, por të talentuar dhe të afirmuar, një grup që kanë ambicie dhe që tanimë ia dinë vlerat suksesit, ndaj besoj se sërish do e synojmë suksesin. Një grup i shëndoshë, shoqëruar dhe me përforcimet që klubi dhe stafi teknik ka ideuar, pa dyshim që do të krijojë një Apoloni të bukur dhe dinjitoze, e cila nuk do të luajë thjesht për mbijetesë”. Duke qenë periudhë e nxehtë merkatoje, edhe Apolonia aktualisht më shumë duket e fokusuar për ruajtjen e kontingjentit të lojtarëve kryesorë, ku ofertat për talentet e skuadrës vijnë çdo ditë në drejtim klubit. Duda ka edhe një vit kontratë me Apoloninë, ndërsa pyetjes nëse ka pasur oferta ai i përgjigjet:

“Është diçka normale në kohë merkatoje. Më kanë kontaktuar dy ekipe të Superiores, por unë jam nën kontratë me Apoloninë dhe mbetem pjesë e kësaj skuadre, me të cilën dua të shijoj të tjera arritje në elitë. I marr me qetësi ofertat dhe respektoj kontratën e çdo vendim që merr klubi”, përfundoi Duda.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"