Ka pësuar vetëm 7 gola, Sherri më i miri në Superiore. Egnatia perfekte në prapavijë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2022 | 12:21

Ka pësuar vetëm 7 gola, Sherri më i miri në Superiore. Egnatia perfekte në prapavijë

Me ardhjen e Shpëtim Duros në drejtim të Egnatias, skuadra ka marrë një tjetër fytyrë dhe kundërshtarët ia kanë më shumë frikën. Një nga repartet që ka funksionuar më mirë në 12 javë të luajtura deri më tani te rrogozhinasit, është mbrojtja.

b0662717-81c0-4fa5-a870-d0bdb663d8b3

Egnatia ka pësuar vetëm 7 gola në Kategorinë Superiore, më pak se të gjitha skuadrat e tjera, përfshirë dhe kryesuesit e Tiranës.

SHERRI – Padyshim për këtë tregues pozitiv kanë merita të gjithë lojtarët që ndihmojnë në lojën mbrojtëse, por një përqindje të madhe të meritës e merr edhe portieri Alen Sherri, i cili në këtë sezon po tregon një formë të frikshme dhe po përjeton ndoshta një nga periudhat më të mira në karrierë. Shkodrani është gardiani që e ka nxjerrë më pak herë nga porta topin në krahasim me të gjithë homologët e tij në Superiore. Ai ka arritur ta mbajë portën e pastër në tri nga katër ndeshjet e fundit, çka do të thotë se që nga ardhja e Duros ka pësuar vetëm një gol ndaj Tiranës. Nga 12 ndeshje gjithsej, Sherri e ka mbajtur portën e pastër në plot tetë të tilla në Kategorinë Superiore, çka përbën një rekord më vete deri më tani në këtë periudhë të kampionatit. Skuadrat që kanë arritur ta kalojnë 24-vjeçarin deri më tani janë vetëm kryesuesit e Tiranës dhe Teuta, në një ndeshje ku nuk funksionoi i gjithë ekipi.

PIKAT E FORTA – Sherri është një nga portierët më të mirë në Shqipëri në brezin e tij dhe këtë e ka treguar me aftësitë e tij, duke bërë disa pritje shpëtimtare për Egnatian dhe qenë një garanci pas shpinës së mbrojtësve. Shkodrani ka gjithashtu edhe një saktësi mjaft të lartë në lojën me këmbë, çka përbën një plus të madh për skuadrën, pasi aksionet mund të nisin që nga kuadrati. Sherri është rritur në ekipet e të rinjve të Vllaznisë, teksa ka luajtur edhe me Laçin për dy sezone. Verën e shkuar u bë pjesë e Egnatias, ku falë paraqitjeve shumë të mira arriti edhe ëndrrën për të veshur fanellën e Kombëtares, me të cilën luajti një pjesë ndaj Katarit, organizator i Kupës së Botës. Me këto paraqitje, nuk është çudi që Sherrin ta shohim në një ligë më të fortë jashtë vendit në sezonin e ardhshëm.

F.EFICA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"