Ka mbetur rrugëve, sulmuesi i Kamzës rrëfen dramën: Situatë e çmendur, dua vetëm të shkoj në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2019 | 15:17

Ka mbetur rrugëve, sulmuesi i Kamzës rrëfen dramën: Situatë e çmendur, dua vetëm të shkoj në shtëpi

Dënimi i Kamzës ka lënë viktima pa fund rrugës. Njëri prej tyre është sulmuesi Nestor Martinena. Argjentinasi, i cili erdhi te blutë për t’i mbajtur në Superiore, prej një muaji jeton në Shqipëri, në pritje të rrogës dhe një bilete avioni për në Argjentinë. Është me mijëra kilometra larg shtëpisë, por endet rrugëve të Tiranës.

Martinena

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Martinena thotë se është mirë, por kërkon nga të gjithë një zgjidhje. “Për momentin jam mirë. Prej javësh jam duke pritur për një zgjidhje, e cila nuk po vjen. Po stërvitem te shoku im Roland Peqini dhe asgjë tjetër. Thjesht jam duke pritur zgjidhjen që do të japë Kamza dhe federata, por si njëra dhe tjetra nuk janë bërë të gjalla”, është shprehur në fillim Martinena. Argjentinasi zbulon edhe anën e errët të kësaj situate që sipas tij kalon çmendurinë.

“Më vjen keq ta them, por unë kërkoj një zgjidhje. Të paktën të kthehem në shtëpi. Askush nuk garanton për pagesat. Është një situatë e çmendur. Nuk di ç’të them më shumë”, ka mbyllur argjentinasi për “Panorama Sport”. Prej një sezoni Martinena është pjesë e Superiores, edhe pse më parë e kishte provuar aventurën shqiptare.

kamza-kukesi

Në vitin 2010 Martinena linte elitën e futbollit argjentinas dhe provonte Kategorinë Superiore. Sulmuesi tashmë 32 vjeç, vishte fanellën e Dinamos dhe me blutë u aktivizua në 27 ndeshje. Shënoi vetëm 6 gola, por ra në sy për paraqitjet e tij. Atë vit shkoi në finalen e Kupës së Shqipërisë me kryeqytetasit, por nuk triumfuan dot kundër Tiranës.

Këtë sezon me Kamzën ka luajtur 20 ndeshje, duke shënuar edhe një gol. Prej ditës që skuadra e Kamzës ra në Kategorinë e dytë, Martinena ka mbetur rrugëve të Shqipërisë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"