Ka idhull Kevin De Bryjnen, mesfushori Bejzade tregon shpërthimin tek Apolonia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2024 | 15:00

Ka idhull Kevin De Bryjnen, mesfushori Bejzade tregon shpërthimin tek Apolonia

Abjel Bejzade është një prej lojtarëve që ka lënë shenjë tek Apolonia në muajt e fundit dhe në ndeshjet e fundjavës ndaj Vorës ka shënuar golin e tretë në kampionat. 

bejzade apolonia

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, 22-vjeçari pohon se skuadra deri në fund do të tentojë të parakalojë Vorën dhe të marrë vendin e katërt në renditje.

Çfarë vlere dhe rëndësie merr fitorja e fundit në “Loni Papuçiu”?

Fitorja ka vlerë të dyfishtë dhe merr rëndësi të veçantë, pasi na ka dhënë një lloj frymëmarrje në “play off” duke qenë rivalë direkt, pasi Lushnja dhe Burreli janë 12 pikë larg nesh. Së dyti, kemi mundësinë “e artë” për t’u renditur më mirë në klasifikim, pse jo për të parakaluar Vorën e vendit të katërt, e cila është vetëm 2 pikë larg nesh.

E prisnit këtë fitore kundër rivalit direkt, Vorës?

Në çdo ndeshje kemi objektiv marrjen e rezultatit pozitiv, pavarësisht kush është kundërshtari. Skuadra hyri e mobilizuar dhe me mentalitetin e duhur. E dominuam sfidën dhe e merituam fitoren, por sërish nuk e  mbyllëm ndeshjen me rastet e krijuara. Tani rëndësi kanë pikët.

Goli i shënuar ndaj Vorës është i treti, cilin do të veçonit?

Jam shumë i lumtur për golin e shënuar, por ndihem mirë që skuadra u rikthye te fitorja. Çdo gol ka peshën dhe rëndësinë e vet, por do të veçoja ekzekutimin perfekt nga goditja standarde ndaj Kastriotit.

Apolonia sikur ka ndryshuar fytyrë në fazën e tretë, çfarë ka ndodhur?

Kemi arritur një formë stabël falë punës së përditshme me trajnerin Mërgjyshi. E dyta, kemi marrë rezultate pozitive radhazi falë dëshirës, grintës, seriozitetit dhe ambicies të gjithë lojtarëve. Mendoj që momenti ynë negativ kaloi me përfundimin e fazës së dytë dhe tani e tutje do të vijojmë të hipotekojmë rezultate pozitive.

Jeni dy pikë larg Vorës, sa shanse ka Apolonia për vendin e katërt?

Përpara kemi ndeshje të vështira, pasi çdo ekip ka objektivat e veta dhe do na duhet të sakrifikojmë shumë. Jemi të fokusuar për t’i marrë ndeshjet me radhë dhe do të bëjmë maksimumin tonë për t’ia arritur.

Si ndiheni tek Apolonia, pasi jeni kthyer në një titullar të padiskutueshëm dhe a e prisnit këtë “shpërthim” kaq të shpejtë?

Që në ditën e parë që kam mbërritur këtu e kam parë se është një atmosferë shumë pozitive, si nga shokët e ekipit dhe drejtuesit e klubit. Më kanë pritur shumë mirë dhe kanë parë tek unë me besim rritjen e formës fizike dhe të kapacitetit futbollistik. Ndoshta e konsideroni “shpërthim”, pasi kam shkuar në kuotën e 3 golave, por ky nuk është maksimumi im. Pres dhe kam për të dhënë më shumë nga vetja.

Kush është idhulli juaj në futboll?

Simpatizoj shumë Kevin De Bryjnen. Është një prej mesfushorëve më të mirë, lojtar i fortë fizikisht, i disiplinuar taktikisht dhe shumë cilësor. Jam në të njëjtin pozicion si ai dhe gjithmonë e kam pasur idhull që kur kam qenë i vogël.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"