“Jemi në punë nuk vijmë dot”, 3 senatoret mungojnë në grumbullimin e Kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2017 | 13:53

“Jemi në punë nuk vijmë dot”, 3 senatoret mungojnë në grumbullimin e Kombëtares

Tri basketbolliste nuk janë paraqitur në seancat stërvitore të ditës së djeshme, Gera Bujari, Dorina Mema dhe Igena Qypi. Pritet që Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Basketbollit të marrë masa për të trija këto basketbolliste, të cilat nuk kanë pranuar që t’i bashkohen ekipit tonë kombëtar të drejtuar nga trajneri Viron Toska.

Kombetarja e femrave

Sipas rregullores, ato mund të dënohen deri me përjashtim, me mospjesëmarrje në disa ndeshje, apo thjesht me gjobë. Lidhur me këtë problem, Igena Qypi sqaron se pse tri vajzat nuk kanë qenë në grumbullimin e ekipit kombëtar.

“Unë jam në punë e nuk mund ta ndërpres për asnjë çast atë, pasi më përjashtojnë pa një leje të arsyeshme. Kështu që, për të arsyetuar këtë gjë, më duhet një shkresë zyrtare nga ana e federatës ku të përcaktohen datat kur unë do të jem e grumbulluar dhe një leje e VKM (Vendimi Këshillit të Ministrave), që unë ta dorëzoja atë në vendin e punës, për të justifikuar mungesën time.

Kombetarja basketboll femra

Për të njëjtat arsye, edhe dy vajzat e tjera, Dorina Mema (Studenti) e Gera Bujari (Tirana), nuk janë paraqitur”, ka shpjeguar basketbollistja e Goga Basket, gjatë një bisede telefonike. Siç kemi vënë në dijeni edhe më parë, ekipi kombëtar në basketboll për femra qëndron i grumbulluar në Vlorë ku po përgatitet për eliminatoret e Europianit 2019.

Ekipi do të qëndrojë aty deri më 10 nëntor dhe më pas do t’i drejtohet drejt kryeqytetit, ku më 11 nëntor, do të zhvillojë edhe ndeshjen e parë në këto eliminatore kundër Rusisë. Ndërsa më 14 nëntor, ndeshja e radhës do të jetë në Hungari, dhe në shkurt të vitit tjetër, skuadra jonë do të luajë përsëri në Tiranë, kundër ekipit kombëtar të Lituanisë.

Kombetarja e femrave

Në përbërje të ekipit tonë kombëtar janë thirrur vajza të reja në moshë, që kanë qenë të grumbulluara edhe me ekipet U-16 e U-18. Gjithsej janë 11 lojtare, Edona Barrenja, Sara Gjoni, Enxhi Xhanaj, Elektra Zykaj, Adela Aliaj, Xhesika Toska, Ornela Lalaj, Eliverta Bujari, Silvi Sinani, Bernarda Reshpja, Artemida Myrto.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"