“Jam komplet i pakënaqur”, Mema shkund Kastriotin para Erzenit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2023 | 12:45

“Jam komplet i pakënaqur”, Mema shkund Kastriotin para Erzenit

Trajneri i Kastriotit, Ardian Mema, ka mbetur i pakënaqur nga paraqitja e skuadrës në ndeshjen e kthimit ndaj Dinamos, që u luajt të enjten në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës. Krutanët u kualifikuan pas fitores 3-1 në ndeshjen e parë në “Selman Stërmasi”, ndërsa në kthim barazuan me shifrat 0-0.

mema

Tashmë Kastrioti do të sfidojë në turin çerekfinal Tiranën, teksa ndeshja e parë do të luhet më 1 mars në Kamzë, ku skuadra e Memës do të jetë pritëse.

“Në ndeshjen me Dinamon kisha në plan që të luanin lojtarët e rinj, ashtu siç u pa edhe nga formacioni që hodha në fushë. Bëhet fjalë për lojtarë që kanë pasur pak minuta në këmbë, por edhe për të bërë një rrotacion, pasi kalendari ka qenë i ngjeshur këtë periudhë. Ngarkesa ka qenë e plotë për shumicën e lojtarëve, ndërsa për ndeshjen me Dinamon nuk jam i kënaqur nga skuadra. Qoftë në pjesën e parë, ashtu edhe në dytën, nuk bëmë atë që duhej. Skuadra nuk u shpreh mirë në fushë dhe Dinamo na vendosi shumë në vështirësi. Kundërshtari na vendosi nën presion sidomos edhe me lojën poshtë, pra duke qarkulluar topin. E kundërta ndodhi me lojtarët e mi, që preferuan më shumë topin e gjatë. Kjo ndoshta erdhi edhe prej rezultatit të favorshëm në ndeshjen e parë në Tiranë, ku fituam 3-1. Pra, administrimi i rezultatit ka të bëjë edhe me specifikën që ka kompeticioni i Kupës, duke qenë se është me dy takime. Megjithatë, jam komplet i pakënaqur, sepse kjo është një vazhdë jo e mirë e ekipit. Doja të shikoja lojtarët e rinj, por ndoshta vetëm një ose dy prej tyre mund t’i kemi fituar. Duam t’i kemi të gatshëm në çdo moment gjatë kampionatit”, ka thënë kreu i pankinës krutane, i cili tashmë pret një reagim nga skuadra në ndeshjen e kampionatit, që do të luhet të martën ndaj Erzenit.

Kastrioti pret në shtëpi shijakasit dhe do të kërkojë rikthimin te fitorja, për t’iu larguar fundi të tabelës.

SH. HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"