Iuliano: Alban Hoxha ka thyer rregullat. Krijuam 20 raste ndaj një skuadre që vetëm mbrohej

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2017 | 21:12

Iuliano: Alban Hoxha ka thyer rregullat. Krijuam 20 raste ndaj një skuadre që vetëm mbrohej

Trajneri i Partizanit, Mark Iuliano, e ka marrë me sportivitet humbjen e pësuar përballë Laçit në ndeshjen debutuese në Kategorinë Superiore. Në deklaratën e dhënë pas ndeshjes për “Supersport”, ai tha se kjo ishte një mirëseardhje për të në Shqipëri.

iuliano

Çfarë ndodhi sot, debutimi me humbje

“Më dhanë mirëseardhjen në Shqipëri. Duhet të them se kampionati filloi, u munduam të linim të kuptohej që deshëm të fitonim, por ndeshja e parë është shumë e vështirë. Dominuam në çdo zonë, kemi pësuar dy gola, është e vështirë kur gjuan 20 herë e nuk shënon dhe me kundërsulmin e parë pëson. Është një kampionat ku shumë luajnë kështu, më vjen keq për tifozët dhe klubin.”

Për mungesat në sulm dhe alternativat

“Të flasësh për kë nuk është nuk është e mirë, kush ishte u mundua të jepte maksimumin. Në dhomat e zhveshjeve, djemve u vjen shumë keq. E vërtetë se nuk kishim alternativa para, por i duhet dhënë meritë kundërshtarit se në fund e fituan. Por kur krijon kaq, e nuk shënon, të shënonim do të flisnim për një ndeshje ndryshe”.

Nëse u surprizua nga loja e Laçit dhe njohuria për kampionatin shqiptar

“Pak po. Kampionatin e njoh mirë, e kam studiuar. Nuk do të kisha pranuar ofertën nëse nuk do të kisha studiuar e njohur kampionatin. Kampionati është ai që patë sot. Por nëse prisni që Partizani të luajë kundërsulm, të mos luajë futboll, nuk është e drejtë për emrin e skuadrës, nuk është loja ime, nuk duhet të jetë loja e një skuadre të madhe si Partizanit dhe nuk do të jetë. Tifozët duan fitoren dhe është e drejtë, për atë punojmë, edhe për të dhënë spektakël, jo për asgjë”.

Për mungesën e Hoxhës dhe Bathës

“Atëherë, diskutimi për Albanin është se kemi disa rregulla të brendshme dhe nuk janë respektuar, klubi mori masat e duhura. Batha është një lojtar të cilin e kam për qejf, kjo nuk do të thotë se nuk e kam në konsideratë. Ne luajmë kundër disa kundërshtarëve që sot mbronin në çdo cep, kisha nevojë për lojtarë që më jepnin cilësi, thellësi, pasime brenda fanellave të ngjeshura të Laçit. Vendosmëria nevojitet gjithmonë, por kërkoja diçka ndryshe. Bathën e cilësoj të rëndësishëm, si Albanin, Gjikën, etj., të gjithë ata që kam në dispozicion”.

Gabimet e Herrera dhe Atandës që nuk pengoi kundërshtarin te goli i dytë

“Më vjen shumë keq sepse Herrera ka gabuar një pasim nga dëshira për të luajtur. Kush hyn nuk është e lehtë, sidomos në një ndeshje të vështirë kur nuk di të bësh gol. Situatën e Atandës duhet ta rishoh. Por djemtë kur japin gjithçka, mua më pëlqen, më pëlqeu dëshira që vunë në fushë, nuk u dorëzuan. Nuk është e lehtë, me njerëz që vijën këtu e mbrohen, rrotullohen në tokë. Duhet të luajmë më shpejt, sot nuk ia dolëm sepse topi nuk deshi të hynte”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"