Ismailaj: “Lider” falë shokëve, Tomori e rinis sezonin ku e… lamë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2022 | 18:17

Ismailaj: “Lider” falë shokëve, Tomori e rinis sezonin ku e… lamë

Në Berat e kanë cilësuar si futbollistin e momentit dhe këtë status Lauren Ismailaj e ka merituar plotësisht. Janë shifrat që flasin për të. Ka shënuar 3 gola në 180 minutat e fundit, që i kanë dhuruar dy fitore Tomorit.

tomori

Janë 6 pikë, të cilat e kanë kthyer në “shina” ekipin. Mesfushori beson se do ta rifillojnë aty ku e kanë lënë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, 27-vjeçari premton se nuk do ta diskutojë qëndrimin në Kategorinë e Parë.

“Po e nis nga vetja. E dija që të gjithë kishin kërkesë dhe pritshmëri të lartë ndaj meje. Ky ishte një motiv më shumë që të shtoja marshin. Më duhet të falënderoj trajnerin, i cili nuk hoqi dorë nga unë. Por jo vetëm, pasi edhe e gjithë skuadra dhe tifozët nuk e humbën asnjëherë besimin. Edhe pse kalova një dëmtim, që më la jashtë fushave për më shumë se një muaj, ata më qëndruan pranë dhe më dhanë zemër. Falë punës dhe vullnetit në stërvitje, u riktheva edhe më i fortë. Tani kam gjetur plotësisht formën, duke i shërbyer totalisht Tomorit. Në Berat më quajnë ‘lideri’ i ri i ekipit, por pa shokët nuk do ta meritoja aspak këtë status.

Jam i lumtur për tre golat e shënuar në dy ndeshjet e fundit, pasi me gjashtë pikë të plota iu larguam edhe zonës së kuqe të renditjes. Ky është vetëm fillimi ama. Tani dua të vazhdoj me të njëjtin ritëm. Premtoj se nuk do të ndalem edhe në shënimin e golave, sepse kam gjetur motivimin. Bashkë me mua, nuk do të stopohet as Tomori. Më vjen keq për ndërprerjen e kampionatit, sepse ishim në superformë dhe me një dozë entuziazmi shumë të lartë. Por, do të rifillojmë aty ku e lamë”, përfundoi Ismailaj.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"