“Isha kritik në fillim”, ish-sulmuesi Nimani: Vllaznia pa aleatë, tani fillon “lufta”! Ja çfarë ndryshoi Osmani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2024 | 23:28

“Isha kritik në fillim”, ish-sulmuesi Nimani: Vllaznia pa aleatë, tani fillon “lufta”! Ja çfarë ndryshoi Osmani

Valdano Nimani ësh të një emër që ka dhënë kontributin e tij me fanellën e Vllaznisë. Kritik dhe tepër i drejtpërdrejtë, ish-sulmuesi shkodran analizon për “Panorama Sport” situatën e kuqebluve, ndryshimin me trajnerin Osmani, si edhe shanset për titullin kampion. Ai shprehet po ashtu se në përballjen me Egnatian do të bënte punë edhe një pikë.

nimani

Keni qenë një zë kritik për Vllazninë në nisje të këtij sezoni, si e shihni tani situatën e shkodranëve?

Po, është e vërtetë. Ashtu siç u paraqitën të gjithë ishim kritikë. Madje edhe pas takimit me Egnatian që e humbëm 0-3 dhe që është humbja e fundit, isha kritik, por rezultatet në vijim folën ndryshe.

Çfarë ka ndryshuar ardhja e trajnerit Osmani?

Është e dukshme harmonia që ka krijuar trajneri Osmani dhe eksperienca që ai disponon, ka shërbyer në qetësinë e ekipit, plus dhe stili i lojës që ka aplikuar, është përshtatur me lojtarët që ka në organike. Ai ia ka gjetur për mendimin tim edhe pozicionet e duhura lojtarëve.

Ju lutem, na sillni një shembull.

Trajneri i ka dhënë më shumë përparësi lojtarëve anësore që të jenë me ofensivë. Energjitë që kanë t’i përdorin vetëm për sulmin dhe jo për mbrojtjen. Të mendojmë që vetëm Gruda me ardhjen e trajnerit Osmani ka shënuar 7 gola sepse ka më shumë përparësi përpara.

Por, këtu do të shtoja edhe mospërfshirjen e trajnerit të parë në punët e përgatitësit atletik të ekipit. Që me ardhjen e Osmanit në krye të pankinës dëmtimet kanë qenë thuajse me pikatore. Trajneri i parë bën punën e vet, ai i përgatitjes fizike punën e tij.

Përballë është Egnatia, a mendoni se do të vazhdojë ecuria e rezultateve pozitive për Vllazninë?

Me formën që po tregon ekipi, besoj se po. Vllaznia ka më shumë motiv për rezultate pozitive, ndryshe nga Egnatia që është shkëputur dhe vështirë të motivohet njësoj, pasi me këtë skemë janë me një këmbë në katërshen e parë.

Ku duhet të bëjë më shumë kujdes Vllaznia në këto momente?

Gjithmonë është vet kënaqësia. Ajo na ka dëmtuar shumë herë, por se besoj se kjo do të ndodhë në këto momente, sepse në ekip ka lojtarë me pjekuri dhe trofe mbi supet e tyre.

Fitorja, objektiv i vetëm ndaj Egnatias, apo edhe 1 pikë bën punë?

Siç është kjo skema e kampionatit, e rëndësishme është të mos të dalësh pa pikë. Kjo edhe për vetë faktin se në vitet e fundit Egnatia ka bilanc pozitiv me Vllazninë. Por, them se ekipi kuqeblu ka ardhur në formën e duhur dhe do të marrë tri pikëshin.

Mendoni se Vllaznia ka siguruar një vend në katërshen e parë?

Në mënyrën më absolute jo. Vllaznia nuk duhet ta mendoje këtë gjë. Pikërisht tani fillon lufta më e fortë dhe tani duhet të jetë edhe më e kujdesshme. Ka ekipe me shumë eksperiencë dhe për më tepër Vllaznia është pa aleatë. Janë ekipet që e kanë treguar se kur vjen puna për të arritur një trofe, e kanë realizuar atë objektiv.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"