Isaji: Skenar i turpshëm ndaj Shkumbinit, trajneri vijon punën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2013 | 13:02

Isaji: Skenar i turpshëm ndaj Shkumbinit, trajneri vijon punën

isaj-gjate-prezantimitShefi i klubit të Shkumbinit, Astrit Isaji, i cili ka qenë në rolin e trajnerit të skuadrës në sfidën përballë Laçit, në një bisedë për “Panorama Sport” u shpreh se ndaj peqinasve është bërë një skenar i turpshëm, në mënyrë që të binte nga kategoria. “E kishim paralajmëruar kohë më parë se drejtues të skuadrave rivale me Shkumbinin po përgatisnin një skenar të turpshëm ndaj nesh, në mënyrë që të dilnim jashtë objektivave. Dhe ky skenar filloi që një javë më parë dhe u zbatua në ndeshjet e luajtura të shtunën, kur në mënyrë të dukshme dhe mjaft flagrante Besa u tolerua nga Vllaznia, e cila luajti me ekipin e të rinjve. Jo më kot numri një i presidencës kavajase, Nexhat Bizhdili, deklaronte se e kishte 200% të sigurt qëndrimin e skuadrës së tij në Kategorinë Superiore, pasi skenari ishte bërë që më parë. Kjo i dha fund garës së ndershme që tri javë përpara fundit të kampionatit”, – deklaroi Isaji.
Trajneri – Duke vijuar më tej, shefi i klubit peqinas ka sqaruar edhe çështjen e trajnerit. Sipas tij, numri një i pankinës së Shkumbinit, Kristaq Mile, ka munguar për arsye familjare në Laç. “Trajneri Mile ka pasur arsye familjare, ndaj dhe nuk ka qenë prezent në pankinë në përballjen me Laçin. Në këtë sfidë ne kemi zhvilluar një lojë të mirë dhe sigurisht mjaft korrekte, por jemi ndëshkuar nga një gabim në mbrojtje. Në ndeshjet e mbetura Shkumbini do të vazhdojë të jetë i impenjuar njësoj dhe do ta respektojë kampionatin deri në fund”, – përfundoi Isaji.

Tifozët peqinas: Drejtuesit, përgjegjës për zbritjen
Shkumbini është zyrtarizuar si një prej katër skuadrave që sezonin e ri do të luajë në Kategorinë e Parë. Humbja e pësuar në Laç përballë kurbinasve i ka vënë “vulën” rënies së peqinasve, të cilët largohen nga Superiorja pas plot 19 sezonesh përfaqësimi në të. Kjo situatë po përjetohet në mënyrën më të keqe në qytetin e Peqinit, ku futbolli është pa dyshim evenimenti kryesor dhe më i ndjekur nga sportdashësit, që e kishin paralajmëruar me kohë në fakt rrezikun. “Në fillim të sezonit u bënë shumë premtime nga drejtuesit në lidhje me ndërtimin e një skuadre cilësore. Megjithëse faza e parë tregoi shumë defekte dhe probleme në mjaft aspekte, sërish në merkaton e janarit nuk u kryen afrimet e duhura për ta përforcuar Shkumbinin, me qëllim që të sigurohej mbijetesa. Të gjitha këto fakte tregonin qartë për neglizhencën e drejtuesve të klubit dhe kjo natyrisht që i ngarkon ata me pjesën më të madhe të përgjegjësisë. Mirëpo, njëfarë përgjegjësie kanë edhe lojtarët, të cilët duhet të kishin dhënë më tepër për këtë fanellë. Nga ana tjetër, natyrisht që edhe drejtuesit e klubeve të tjera si Besa, Vllaznia etj., nuk mund të jenë më pak përgjegjës, sepse ishte ‘çorba’ e gatuar prej tyre një javë më parë ajo që mbylli në mënyrë të turpshme një garë të ndershme. Pavarësisht çdo gjëje, ne do të jemi në mbështetje të ekipit tonë për ta përkrahur atë sezonin e ardhshëm dhe për të kërkuar ringritjen sërish në Superiore”, – citohej në faqen e tifozëve në rrjetin social “Facebook”.
Fatmir Ahmeti

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"