Imeraj: Gjyqtari duhet pushkatuar pa gjyq!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2012 | 13:29

Imeraj: Gjyqtari duhet pushkatuar pa gjyq!

Ka lënë stolin e skuadrës së tij, pasi është ndëshkuar me karton të kuq nga gjyqtari kryesor i ndeshjes Himara-Partizani, duke qenë se ka protestuar ashpër ndaj vendimeve të tij. Zv.trajneri himarjot, Shpëtim Imeraj, në një prononcim për “Panorama Sport” shprehet: “Ajo që ndodhi në ndeshjen e së mërkurës, ishte një vjedhje e hapur bërë në dëm të ekipit tonë nga ai gjyqtar. Nuk dua të dyshoj se ai ka rënë pre e një manipulimi të rezultatit, por ja që faktet ashtu tregojnë. Na ka mohuar dy penallti të pastra dhe na ndëshkuar pa të drejtë me kartonë të verdhë. Kjo nuk është asgjë para asaj, që do bënte më pas duke i shtuar ndeshjes plot tetë minuta, kur në fakt shtesa e lojës ishte pesë minuta. Por gjyqtari në përpjeke për të ndihmuar Partizanin shtoi nga vetja e tij edhe tre të tjera që Partizani të barazonte. Për mendimin tim, ai gjyqtar nuk duhet lejuar më të arbitrojë ose duhet pushkatuar pa gjyq””, ka thënë Imeraj. Ndeshja mes Himarës dhe Partizanit, që është luajtur në stadiumin e Sarandës, ka qenë mjaft e tensionuar, për shkak të disa veprimeve të dyshimta të marrë nga kryesori i takimit, Koçi. Si himarjotët ashtu edhe të kuqtë pretendojnë se gjyqtari i takimit i ka mohuar dy 11-metërsha të pastër. Ndërsa në fund të takimit ka pasur edhe gurë në fushë nga ana e tifozerisë së pranishme në shkallët e stadiumit.
Altin Pavllo

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"