I premton besnikëri Barcelonës, ylli i katalanasve drejt firmës për 4 vitet e ardhshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2022 | 14:50

I premton besnikëri Barcelonës, ylli i katalanasve drejt firmës për 4 vitet e ardhshme

Kontrata në skadencë pas një viti i kishte trembur disi drejtuesit e Barcelonës, të cilët nuk u stepën nën presionin e klubeve më të pasura dhe ditën të gjejnë gjuhën e dialogut me një nga produktet më të mira të akademisë në vitet e fundit.

gavi

Bëhet fjalë për mesfushorin Gavi, i cili thuhet se ka arritur akordin për rinovimin e kontratës me klubin katalanas.

Sipas “Sport”, mungojnë vetëm detajet e fundit përpara se 18- vjeçari (në fakt do t’i mbushë më 5 gusht) të nënshkruajë kontratën e re e cila do të ketë si afat skadence 30 qershorin e vitit 2026.

Pra, minimalisht edhe katër vite të tjera si blaugrana për Gavin që pavarësisht zërave për largim, nuk është tunduar kurrë për të lënë Barcelonën.

Nuk dihet ende rroga teksa thuhet se klubi ka vendosur një klauzolë prej 100 milionë eurosh për të frenuar çdo klub që dëshiron ta blejë.

Sezonin e fundit, ai e nisi duke luajtur një ndeshje me Barçën B, përpara se të kalonte në ekipin e parë ku fitoi një rol prej protagonisti.

Këtë e dëshmojnë më së miri 46 ndeshjet me katalanasit mes kampionatit dhe Champions-it.

Për Gavin, janë kënaqësi personale si dy golat në La Liga dhe 6 asistet e shpërndara nëpër kompeticionet ku ekipi i drejtuar nga Ksavi mori pjesë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"