“I kaluam problemet”, Pjeshka sheh vetëm fitore me Elbasanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2023 | 22:35

“I kaluam problemet”, Pjeshka sheh vetëm fitore me Elbasanin

Te Flamurtari e marrin shtruar. Janë të parapërgatitur për garën e ashpër që i pret dhe SE ngjitja do të jenë “malore” e kjo i detyron që të mos bëjnë shumë llogari. Vëmendja është vetëm te ndeshja e radhës dhe jo më larg se kaq.

pjeshka flamurtari

Këtë e thotë edhe kapiteni i kuqezinjve, në një intervistë për “Panorama Sport”. Denis Pjeshka sheh rritje të skuadrës dhe mbi të gjitha problemet i quan pjesë të së shkuarës. Nuk kishte si të mos fliste edhe për Elbasanin, kundërshtarin e radhës në kampionat. Nuk e mbivlerëson dhe as nënvlerëson, por qartazi e thotë që do fitoren.

Pas fitores me Besën, a është më e qetë situata në ekip?

Jemi më të qetë, edhe pas dy ditëve pushim. Kemi filluar punën për ndeshjet e ardhshme, që do të luhen javën që vjen. Fillimisht kemi Kupën e Shqipërisë, ku përballë do të kemi Luftëtarin dhe më pas Elbasanin për llogari të kampionatit. Jemi të fokusuar te seancat stërvitore dhe do të punojmë fort për objektivin.

Si mendoni se do të ndikojë pushimi i kampionatit?

Nuk është se ka ndonjë ndikim as për mirë dhe as për keq. Por, mendoj që kemi kohë më shumë për t’u përmirësuar. Kemi hasur edhe probleme gjatë këtyre javëve dhe ndalesa na jep mundësinë që të punojmë për t’u korrigjuar dhe perfeksionuar. Një lloj ndihme është edhe kjo.

A ka ardhur grupi në 100- përqindëshin e tij?

Ekipi gradualisht ka ardhur në formë të mirë pas problemeve që ne kishim në fillim të sezonit me rezultatet. Megjithatë, po përmirësohemi dhe bëjmë maksimumin në përgatitjet tona. Por unë mendoj se ne kemi shumë punë përpara dhe për këtë jemi shumë të ndërgjegjshëm.

Me Elbasanin parashikohet “malore”. Po ju, çfarë prisni?

Ndeshjet janë të gjitha në këtë kampionat. Në fund të fundit të gjitha vlejnë tri pikë. Nuk mund ta mohoj që kjo ndeshje meriton vlerësim maksimal, edhe prej kundërshtarit. Çfarë pres unë pastaj? Do të kërkojmë fitoren, ashtu sikundër bëjmë çdo javë.

Cilët janë kundërshtarët e Flamurtarit?

Sikundër e thashë edhe më sipër, ne vlerësojmë çdo kundërshtar njësoj. Pastaj për pretendentët besoj se është ende herët për të folur. Rivali ynë? Gjithmonë është ndeshja e radhës.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"