I fundit shkëlqente Ekuban, Partizani vuan për gola/ Bomberi, stres për “demat”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2021 | 20:57

I fundit shkëlqente Ekuban, Partizani vuan për gola/ Bomberi, stres për “demat”

Plot 106 ditë pa futboll në Shqipëri gjatë muajve të verës dhe plot tre muaj merkato. Kohë e mjaftueshme për ekipet në Shqipëri të piketojnë lojtarët që duan të afrojnë, të vazhdojnë me bisedimet dhe të mbyllin me sukses negociatat.

Partizani

Sidomos për një ekip si Partizani, ku përveç emrit të madh që ka si klub, siguroi edhe më shumë se gjysmë milioni euro nga pjesëmarrja në Ligën e Konferencës. Nuk duhet shumë njohuri sportive për të kuptuar se Partizani ka vite që vuan për një sulmues goli, një bomber, një “pykë”, por kur kanë kaluar 5 vite, të kuqtë ende nuk e kanë sjellë në kryeqytet lojtarin gol.

ZHUNIOR – Në merkaton e janarit, Partizani afroi sulmuesin brazilian Stenio Zhunior. 30-vjeçari nuk është një sulmues tipik numër 9, pasi gjatë gjithë karrierës së tij ka luajtur në krahët e ofensivës, por megjithatë te Partizani u aktivizua në majë të sulmit, me shpresën se do të ishte pikërisht ai zgjidhja emergjente për golat. Sezonin e shkuar, Zhunior e mbylli me 6 gola, ndërsa këtë sezon të ri, kishte mundësinë ta niste me gol, por shpërdoroi një penallti kundër Teutës. Edhe pse një lojtar me cilësi shumë të mira, vështirë të thuhet se Zhunior është njeriu bomber që i ka munguar Partizanit, pasi lojtarë me karakteristika të njëjta si braziliani kanë qenë edhe Çinari dhe Asani, por që nuk kanë luajtur kurrë si sulmues kryesorë.

Stenio Zhunior

EKUBAN – Goleadori i fundit i Partizanit ka qenë Kaleb Ekuban. Në sezonin 2016-’17, sulmuesi shënoi plot 17 gola në Superiore, me një mesatare 1 gol çdo 2 ndeshje. Statistika të tilla e bëjnë një lojtar të konsiderohet bomber. Edhe në sezonet e mëparshme, Partizani ka pasur lojtarë goli. Xhevahir Sukaj në sezonin 2015-’16 shënoi plot 18 gola në Superiore, ndërsa në sezonin 2014- ’15, Stevan Raçiç shënoi 14 herë. Prej 5 vitesh tashmë, asnjë lojtar i Partizanit nuk arrin të shënojë të paktën 10 gola në 38 ndeshjet e Kategorisë Superiore.

ekuban

MERKATO – Partizani afroi plot 18 futbollistë në merkaton e verës, por sa i takon sulmit, mori vetëm dy lojtarë. Fillimisht, me “demat” firmosi Gresild Lika, por 23- vjeçari është lojtar krahu dhe që luan më shumë në anësore. Më pas, në ditën e fundit të merkatos, u afrua Filipoviç. U mendua se kroati do të ishte zgjidhja e Partizanit për pozicionin e qendërsulmuesit, por në debutimin kundër Teutës, u kuptua se Daja do ta aktivizojë në të djathtë të ofensivës, pasi Filipoviç është mëngjarash dhe tenton shpeshherë të futet në qendër, duke na kujtuar kohën e Jasir Asanit. Pra, 3 muaj kohë për të firmosur me një sulmues dhe Partizani afron dy anësorë.

DEVID DE SILVA – Është e lehtë për drejtuesit e klubit dhe stafin teknik që të justifikohen me faktin se tregu nuk ofron shumë mundësi të mira, si në aspektin e cilësisë, ashtu dhe në atë financiare. Por, Partizani e kishte bomberin para syve. Devid de Silva bëri një sezon të shkëlqyer me Kastriotin në Superiore, duke shënuar 10 gola në 30 sfida. Normalisht, në një ekip që pretendon kreun, De Silva mund të kishte shënuar edhe më shumë gola. Cilësitë i plotëson, kampionatin shqiptar e njeh, por sërish mund të diskutohet për anën financiare. Por, De Silva ka firmosur në Ligën e Dytë portugeze me skuadrën SC Korvilja, me një pagë mujore rreth 5 mijë euro. Ndoshta, Partizani mund të përforcohej me De Silvën ose me ndonjë lojtar tjetër që e njeh mirë kampionatin shqiptar, ndërsa Filipoviç vjen me 4 gola nga sezoni i shkuar…

VERONIK ISTREFAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"