HISTORIA QË TË TRONDIT/ “Zbulimi” i bujshëm: vitet ‘60 – perëndimorët që nuk fituan në Shqipëri!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2023 | 21:09

HISTORIA QË TË TRONDIT/ “Zbulimi” i bujshëm: vitet ‘60 – perëndimorët që nuk fituan në Shqipëri!

Nga BESNIK DIZDARI
I. 
Kjo që po bëj këtu nuk është një praktikë fort e njohur: që një autor t’ia kushtojë shkrimin jo një personaliteti, miku apo familjari, por plot 51 njerëzve. Në këtë rast, përveç profesioneve të ndryshme të tyre, ata janë edhe futbollistë. Kështu pra, ua kushtoj këtë shkrim këtyre 51 futbollistëve të viteve ‘60:

1962. PARTIZANI – FK NORRKOPING 1-1. Ndeshja e parë në Shqipëri për Kupën e Kampioneve të Europës. Në foto ajo që sot nuk ngjet më: dy skuadrat së bashku para ndeshjes në një “fair play” më se origjinal. Lojtarët e Partizanit me fanella të errëta (në fakt të kuqe) lart nga e majta: Kraja, Ndini, Resmja, Jashari, M.Papadhopulli. Ulur nga e majta: Gjoka, Frashëri, Deliallisi, P.Pano, M.Janku, Shllaku.

1962. PARTIZANI – FK NORRKOPING 1-1. Ndeshja e parë në Shqipëri për Kupën e Kampioneve të Europës. Në foto ajo që sot nuk ngjet më: dy skuadrat së bashku para ndeshjes në një “fair play” më se origjinal. Lojtarët e Partizanit me fanella të errëta (në fakt të kuqe) lart nga e majta: Kraja, Ndini, Resmja, Jashari, M.Papadhopulli. Ulur nga e majta: Gjoka, Frashëri, Deliallisi, P.Pano, M.Janku, Shllaku.

Foto ANDONI, Neptun BAJKO, Vladimir BALLUKU, Safet BERISHA, Niko BESPALLA, Sabah BIZI, Pavllo BUKOVIKU, Nuri BYLYKU, Luigj BYTYÇI, Bujar CANI, Iljaz ÇEÇO, Arben ÇELA, Torez ÇIRAKU, Fatbardh DELIALLISI, Perikli DHALES, Fatmir FRASHËRI, Mihal GJIKA, Spiro GJIKA, Tomor GJOKA, Shpëtim HABIBI, Skender HALILI, Skender HYKA, Bahri ISHKA, Agim JANKU, Mikel JANKU, Robert JASHARI, Gëzim KASMI, Josif KAZANXHI, Mihallaq KONOMI, Kolec KRAJA, Sulejman MALIQATI, Ali MEMA, Osman MEMA, Bashkim MUHEDINI, Miço NDINI, Panajot PANO, Miço PAPADHOPULLI, Refik RESMJA, Ramazan RRAGAMI, Suvorov SEFERI, Pëllumb SHAQIRI, Tomor SHEHU, Lin SHLLAKU, Gjergji SHULE, Gjergj THAKA, Teodor VASO, Niko XHAÇKA, Gani XHAFA, Andon ZAHO, Astrit ZIU, Medin ZHEGA.

Ua kushtoj edhe trajnerëve:
Loro BORIÇI, Myslym ALLA, Refik RESMJA.

I radhita sipas alfabetit të mbiemrave.
Të gjithë janë protagonistë të futbollit shqiptar, në këtë rast të pjesëmarrjeve të para të klubeve shqiptare në Kupat e Europës. Më saktë, janë ata të cilët në gjithë dekadën e viteve ‘60 nuk lejuan asnjë klub perëndimor të fitonte në Shqipëri. Midis tyre janë edhe katër të cilët nuk luajtën në ndeshjet në Tiranë, por në ato të humbura jashtë fushës. Por edhe ata, aty kanë qenë, duke mos harruar se edhe humbjet e jashtë fushës, kanë qenë më se dinjitoze.

Ndërkaq, habitem me veten time, se si ka mundësi që as unë dhe askush tjetër nuk paska arritur të “zbulojë” se për një dekadë të tërë (1962-1970) asnjë klub i Europës nuk arriti të fitonte radhazi 8 ndeshjet e para me skuadrat tona në debutimet e tyre në Kupat e Europës! E fus në thonjëza fjalën “zbulojnë”, sepse ndeshjet aty kanë qenë, por nuk janë përmbledhur, veçuar e vlerësuar si sot, çka më bën t’i quaj “zbulim”.

Kjo mungesë vlerësimi përmbledhës, është e papranueshme kur kujtoj se me shkrime të pafund, e kam treguar deri në hollësi historinë e pjesëmarrjeve të Shqipërisë në Kupat e Europës. Por për çudi asnjëherë nuk paskam përimtuar se për një dekadë të tërë klube të Europës Perëndimore – e theksoj: “Perëndimore” – nuk paskan arritur të fitojnë ndeshje në Tiranën e Shqipërisë së vogël, ndeshje këto për Kupat e Europës.

Dhe ja, krejt papritmas, e “zbuloj” sot mbas 61 vjetëve. Ndërkaq, kujtoj, se skuadrat të cilat nuk mundën të fitonin ndeshje në Shqipëri, nuk janë si këto të sotmet, të cilave mezi po ua mësojmë emrat. Ato kanë qenë deri skuadra eprore të futbollit europian: Norkoping e Suedisë, Këln i Gjermanisë, Kilmarnok e Skocisë, Torino e Italisë, Standard e Belgjikës, Ajaks i Holandës, Atvidaberg e Suedisë. Dhe vetëm njëra, Spartak i Plovdivit, mbase nuk ishte e këtij rangu, ndonëse asokohe Bullgar-ia përjetonte një zhvillim të paparë të futbollit të saj.

Duke qenë se historitë e këtyre ndeshjeve i kam përshkruar me kohë, shumicën deri në hollësi, për një çast mund të mendohet se nuk kam diçka të re për të përshkruar. Mirëpo, prapë këtu ka një risi, madje një risi krejt të bujshme që na “zbulon” se si këto skuadra Perëndimore nuk mundën të fitonin në Tiranë.

Është e vërtetë: në të gjithë këto 8 edicione (ndeshje të turit të parë) të këtij dhjetëvjeçari të pjesëmarrjes së parë të Shqipërisë, 7 skuadrat kundërshtare u kualifikuan, që do të thotë se skuadrat shqiptare u eliminuan, duke mbërritur vetëm 1 kualifikim: Partizani me fituesen e Kupës së Suedisë, Atvidavberg.

E pra, çfarë eliminimesh ishin ato, të cilët këtu po guxoj t’i vlerësoj disa herë më lart sesa kualifikimet tejet të pakta të sotme me klube të nivelit të ulët europian?

Ato kanë qenë eliminime krejt normale, krejt dinjitoze, madje jo pak edhe dramatike, deri me gola të minutave të fundit ose edhe thjesht me vetëm 1 apo 2 gola ndryshim të ndeshjeve të kthimit. Në tërësi ato kanë qenë ndeshje të rralla, të mëdha, për ne përtej historisë. Dhe u arritën nga skuadra shqiptare, të cilat po merrnin pjesë me shumë vonesë në Kupat e Europës. Përveç të tjerave, skuadra shqiptare këto, jo të një futbolli profesionist, por të një futbolli krejt amator.

Kështu, 8 ndeshjet e tyre të bujshme, që për gati 10 vjet nuk ua dorëzuan assesi kundërshtarëve të famshëm të Europës, ishin këto:
Kupa e Kampioneve të Europës – 12 shtator 1962:
PARTIZANI – NORKOPING E SUEDISË 1-1
Kupa e Kampioneve të Europës – 11 shtator 1963:
PARTIZANI – SPARTAK PLOVDIV I BULLGARISË 1-0
Kupa e Kampioneve të Europës – 9 shtator 1964:
PARTIZANI – KOLN I GJERMANISË 0-0
Kupa e Kampioneve të Europës – 6 shtator 1964:
17 NËNTORI – KILMARNOK I SKOCISË 0-0
Kupa e Kupave të Europës – 18 shtator 1968:
PARTIZANI – TORINO E ITALISË 1-0
Kupa e Kampioneve të Europës – 1 tetor 1969:
17 NËNTORI – STANDARD LIEGE E BELGJIKËS 1-1
Kupa e Kupave të Europës – 2 shtator 1970:
PARTIZANI – ATVIDABERG I SUEDISË 2-0
Kupa e Kampioneve të Europës – 16 shtator 1970:
17 NËNTORI – AJAX I AMSTERDAMIT TË HOLANDËS 2-2

II.
1. Gjithçka kishte filluar më 26 gusht 1962 në qytetin Norrköping (Norçeping) të Suedisë me ndeshjen IFK Norrköping – Partizani 2-0 për Kupën e Kampioneve të Europës.

Duke rezistuar në ndeshjen e parë, atë të 26 gushtit 1962 (dhe kjo është dita përuruese e futbollit shqiptar në arenën e klubeve të Europës) në Norrköping 0-0 deri në të 55’, Partizani i Loro Boriçit kishte mbajtur në ankth “Idrottsparken” të Norrköping-ut, kur mbas dy javëve ndeshja e kthimit në Tiranë, një 1-1 i paharrueshëm, kishte befasuar Europën e futbollit, e cila pyeste: si kishte qenë e mundur që Shqipëria të kishte vonuar kësisoj të merrte pjesë në garat e klubeve? Tre kombëtaras të shquar të Suedisë, Nyhol, Bild dhe Johansson, shto këtu dy kombëtarasit e tjerë të një talenti të madh që sapo mbërrinin, siç ishin 20-vjeçari Nordqvist dhe 19-vjeçari Kindvall, të drejtuar nga trajneri hungarez Vilmos Varszegi, i përvijonin kampiones së Suedisë një skuadër të mrekullueshme, çka bënte që të ngriheshin edhe më lart kuotat e paraqitjes së kampiones shqiptare.

Kishte mbërritur kështu e madhja jonë nr. 1 që ishte kjo:

TIRANË, 12.09.1962.
ST. KOMBËTAR “QEMAL STAFA”
PARTIZANI – IFK NORRKÖPING 1-1
PARTIZANI: Janku, Deliallisi, Frashëri, M.Papadhopulli, Ndini, Shllaku, Gjoka, Kraja, Jashari, P.Pano, Resmja. TRAJNER: L.Boriçi.
IFK NORRKÖPING: Nyholm, Lind, Rosander, Björklund, Johansson, Nordqvist, Lagerlund, Martinsson, Kindvall, Bild, Bergstrand. TRAJNER: V.Varszegi.
GOLAT: Kindvall 6’, Kraja 48’.
GJYQTAR: V.Korelus / CZE.
SHIKUES: 18.000.

2. Një vit më vonë, 1963, Partizani fiton 1- 0 në Tiranë me kampionen e Bullgarisë, Spartak Plovdiv të Teodor Dievit – sulmuesi i parë i Bullgarisë – përsëri me golin e pamungueshëm të Kolec Krajës, sulmues i krahut të djathtë, i shpejtë, teknik, goditës i shkëlqyer. Edhe kjo është historike, sepse përbën fitoren e parë të Shqipërisë në Kupat e Europës. Autori ekipor dihet: trajneri Loro Boriçi. Por humbje 1-3 në Plovdiv. Ja dhe e madhja e jonë nr. 2:

TIRANË, 11.09.1963.
ST. KOMBËTAR “QEMAL STAFA”.
PARTIZANI – SPARTAK PLOVDIV 1-0
PARTIZANI: M. Janku – Deliallisi, M.Papadhopulli, Frashëri, O.Mema, Shllaku, Zaho, Kraja, P.Pano, Ndini, Jashari. TRAJNER: Loro Boriçi.
SPARTAK PLOVDIV: V.Stojnov – Maznev, Manolov, Momin, Dimov, Botev, Diev, Mitkov, Genov, Dishkov, Dushev. TRAJNER: Dimitar Baykushev.
GOLAT: Kraja 8’.
GJYQTAR: K.Zecevic / YUG.
SHIKUES: 20.000.

3. Dhe mbërrijmë te Köln-i.
Të dy golat e kampiones së Gjermanisë të ndeshjes së kthimit u përkasin minutave 80 dhe 90! S’ka nevojë për koment. Loro Boriçi me këto dy ndeshje, përveç ato të IFK Norrköping-ut suedez, po dhe të fitores kundër Spartakut bullgar, ka dy kryevepra të tjera të tij, pa harruar ndeshjet e tij me Kombëtaren apo me Partizanin, të cilin do ta bëjë kampion të Ballkanit më 1970.

Në ndeshjen e Köln-it gjithçka ka qenë një ankth i vërtetë dhe betoni shqiptar është plasaritur vetëm në fund dhe kjo falë sakrificave të jashtëzakonshme të kampionëve të parë të Bundesligës. Dueli ka pasur jehonë në të gjithë Europën dhe sot mbas 60 vjetëve na duket si legjendë, edhe pse nuk përbën një kualifikim. Mirëpo, eliminime kësisoj, dramatike e dinjitoze, prej më të mëdhenjve të Europës, përbëjnë ngjarje fort më të mëdha sesa, bie fjala, dy kualifikimet e fundit të Partizanit të sotëm me Atletic Escaldes të Andorrës apo të Valmeirës së Letonisë, pse jo, po ashtu edhe kualifikimi i SK Tiranës me Dinamo Batumin e Gjeorgjisë.

Vazhdojmë me temën tonë. Në Tiranë vjen pra, kampionia e parë e Bundesligës, 1 FC Köln i Gjermanisë, me në krye kapitenin e kombëtares së Gjermanisë, kampionin e botës (1954) Schaffer dhe Kkampionin e ardhshëm të botës, Owerath, po dhe nënkampionin e ardhshëm të botës, Weber. Dhe Partizani – FC Köln 0-0 para 25.000 shikuesve të shtrënguar në tribunat e gurta të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Është një 0-0 përtej historisë. Është absolutisht një nga ndeshjet më të mëdha të historisë së futbollit shqiptar, një 0- 0 të cilin për 90 minuta të tëra Partizani e kërkoi ta shndërronte të paktën në 1-0 për të. Lin Shllaku ndoshta qe lojtari më i mirë dhe këtë nuk e them thjesht për episodin e paprecedent të fundit të ndeshjes kur kapiteni Schaffer, i ndalur në mesin e fushës, e kërkoi me sy ku ishte dhe nxitoi të shkonte t’i shtrëngonte dorën. Të tilla ishin përmasat e vlerave të kësaj ndeshjeje madhështore, perla nr. 3 e klubeve shqiptare:

TIRANË, 09.09.1964.
STADIUMI KOMBËTAR “QEMAL STAFA”
PARTIZANI – FC KÖLN 0-0
PARTIZANI: Janku, Deliallisi, T.Vaso, Frashëri, O.Mema, Shllaku, Kraja, Bespalla, Ndini, P.Pano, Jashari. TRAJNER: L.Boriçi.
KÖLN: A.Schumacher, Pott, Regh, Weber, Wilden, Sturm, Thielen, Schafer, C.Müller, Overath, Hemmersbach. TRAJNER: G.Knöpfle.
GJYQTAR: S.Varazdinec / YUG.
SHIKUES: 26.483.

4. Në stinën 1965-‘66 Shqipëria paraqitet për herë të parë në Kupën e Kampioneve me 17 Nëntorin e Tiranës (SK Tirana) – Kampionia e re që ndërroi rrjedhën epokale të Partizan Dinamos në kreun e kampionatit shqiptar, dhe vetëm 1 gol e ndan atë nga Kilmarnock e Skocisë: 0-0 në Tiranë dhe 0-1 në Kilmarnock, gol i këtij të fundit vetëm në minutën 76 (Black)! Është 6 shtatori 1965 i “Qemal Stafës” që fikson ditën e shfaqjes për herë të parë në arenën e Europës, të 17 Nëntorit të Tiranës, por dhe të vetë trajnerit Myslym Alla. Ishin Mikel Janku, Fatmir Frashëri, Skënder Halili, Gëzim Kasmi, Ali Mema, Nuri Bylyku, Niko Xhaçka, Pavllo Bukoviku, Luigj Bytyçi, Skender Hyka, Bahri Ishka, kur dihet se portieri Janku ishte i marrë nga Partizani vetëm për këtë pjesëmarrje!

Është kjo arritje e madhe, nr. 4 jona:

TIRANË, 06.09.1965.
ST. KOMBËTAR “QEMAL STAFA”.
17 NËNTORI – KILMARNOCK 0-0
17 NËNTORI: M.Janku, Frashëri, Halili, Kasmi, A.Mema, Bylyku, Xhaçka, Bukoviku, Bytyçi, Hyka, Ishka. TRAJNER: Myslym Alla.
KILMARNOCK: Ferguson – McFadzean, Watson, King – McLean, Beattie, Murray, Black, McIlroy, McInally, Sneddon. TRAJNER: Malky MacDonald.
GJYQTAR: F.Mayer / (aut.)
SHIKUES: 19.000.

5. Dhe ja: viti “fatal” 1968. Ngjarja e parë i përket 18 shtatorit 1968 me vendngjarje stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” të Tiranës. Kupa e Kupave të Europës. Partizani – Torino e Italisë 1-0! Kjo është fitorja e parë e madhe e futbollit të Shqipërisë në një garë europiane. Kësisoj, edhe fitorja e parë e Shqipërisë kundër një skuadre perëndimore në ndeshjet e Kupave të Europës, e për nderin e futbollit tonë, ajo është fitore ndaj njërës prej skuadrave më të lavdishme të vetë Europës, siç ishte Torino – legjendare – më parë e shuar prej katastrofës së Superga-s – deri asokohe 6 herë kampione e Italisë (1928, 1943, 1946, 1947, 1948, 1949) dhe 3 herë fituese e Kupës Kombëtare (1936, 1943, 1968).

Torino 1968 përbën ndërkaq, ndeshjen e parë të Shqipërisë në Kupën e Kupave të Europës. Lojtarët e kombëtares së Italisë, Vieri, Puia, Poletti, Agropi, sidomos kampioni i Europës, Ferrini, si dhe francezi i mirënjohur, Nestor Combin, i kombëtares së Francës – përbënin një gjashtëshe të një kalibri që sillte në Kupën e Kupave një Torino të fortë, për më tepër përfaqësuese e një vendi si Italia, e cila vetëm 3 muaj më parë, saktësisht më 10 qershor 1968, mbas dy finaleve dramatike 1- 1 dhe 2-0 me Jugosllavinë e Dragan Xhaiçit, ishte shpallur kampione e Europës.

Ishim në vitin fatthënë 1968, kur Shqipëria komuniste nis e ndien një sulm të mundshëm nga Bashkimi Sovjetik pas pushtimit të Çekosllovakisë dhe kur tash edhe zyrtarisht ajo bënte tërheqjen e saj nga Traktati i Varshavës. Mjedisi shqiptar ishte kështu, tejet i politizuar, disi dramatik dhe i frikshëm. “Kujtova se nisi lufta, por të nesërmen kam përjetuar një ndeshje të frikshme, kam shijuar një ‘libero’ të rangut europian (Spiro Gjika), një kapiten stoik (Lin Shllaku) dhe një organizim të përsosur në mesfushë (Sabah Bizi – Ramazan Ragami)”, siç do të shkruante një gazetar i vjetër italian mbas ndeshjes, duke i dhënë edhe ai jo pak ngjyra “lufte” mjedisit të rënduar shqiptar.

1968. PARTIZANI - TORINO 1-0. Partizani para ndeshjes. Nga e majta: Shllaku, M.Janku, R.Rragami, Jashari, M.Gjika, Bizi, Shaqiri, T.Vaso, Bajko, S.Gjika, P.Pano.

1968. PARTIZANI – TORINO 1-0. Partizani para ndeshjes. Nga e majta: Shllaku, M.Janku, R.Rragami, Jashari, M.Gjika, Bizi, Shaqiri, T.Vaso, Bajko, S.Gjika, P.Pano.

Në orën 15:30 të 18 shtatorit 1968, rreth 30.000 shikues, siç u njoftua se ishin, Partizani nis dhe interpreton mrekullinë e tij. Ngjyrat e kuqe të fanellave të Torinos, e detyrojnë skuadrën me emrin luftarak Partizani, që të zbresë në fushë me kostumin e bardhë – në të vërtetë ai ishte kostumi rezervë i Kombëtares së Shqipërisë, çka vërtetohet edhe nga stema e Republikës e mbajtur jashtë çdo protokolli mbi fanellë! Edhe ky fakt “i rastësishëm” disi “nacional-komunist”, të duket se hynte në gjeopolitikën e futbollit shqiptar 1968.

Partizani i Shqipërisë ka zhvilluar ndeshjen e madhe me plot gjuajtje e raste që do të çonin te goli historik i Pëllumb Shaqirit në minutën e 46-të. Fituesja e Kupës së Shqipërisë pikërisht në pjesën e dytë ka treguar pjekurinë taktike të një skuadre europiane.

Edmondo Fabri, më parë trajner i kombëtares italiane, pohonte pa mëdyshje:

“Ne erdhëm në Shqipëri plot shpresa se do të ktheheshim në vendin tonë me fitore. Kjo bindje u trondit nga zhvillimi i ndeshjes dhe kur vendësit kaluan në avantazh, e kuptova se jo vetëm që s’mund të fitonim, por as për barazim s’bëhej dot më fjalë… Më ka pëlqyer e gjithë skuadra. Luajti me ritëm, na imponoi vullnetin e saj dhe diti të fitonte”.

Partizani i kërkon dy lojtarë Vllaznisë për ndihmë, Bizin e Ragamin, duke vënë syrin tek ylli i saj më i ri, siç ishte 20-vjeçari Sabah Bizi, të cilin mbasi e kërkon vetëm për ndeshjet me Torinon, me prepotencë gjeneralësh, nuk ia kthen më. Partizani përforcohet ndërkaq edhe me Teodor Vason e Skënderbeut dhe në fushën e blertë derdhet një 11-sh thuajse i pagabueshëm, në harmoni të plotë, ku gjejmë plot 8 futbollistë kombëtaras: M.Janku, M.Gjika, T.Vaso, R.Ragami, L.Shllaku, Bizi, Pano, Jashari.

Ky ishte 11-shi i trajnerit Refik Resmja, i cili mbasi kishte lënë mbrapa karrierën e tij të bujshme si futbollist, regjistronte në historinë e tij këtë kujtim madhështor të futbollit si trajner me këtë fitore përtej historisë kundër mbajtëses së Kupës së Italisë – kampione e freskët e Europës! Humbja 1-3 e Partizanit në ndeshjen kthimit në Torino, tash me bashkëtrajner Loro Boriçin, më 2 tetor 1968, ka pasur dramaticitetin e saj dhe Partizani e ka lënë “Stadio Comunale” të Torinos me kryet lart.

Tek është ndërkaq dhe skeda jonë historike nr. 5 e kësaj historie të paarritshme:

TIRANË, 18.09.1968.
ST. KOMBËTAR “QEMAL STAFA”.
PARTIZANI – TORINO 1-0
PARTIZANI: M.Janku – M.Gjika, S.Gjika, T.Vaso, R.Rragami, Shllaku, Bajko, Bizi, Shaqiri, Pano, Jashari (Çiraku 46′). TRAJNER: Refik Resmja.
TORINO: Vieri, Poletti, Fossati, Puia, Cereser, Bolchi, Carelli (Mondonico 30′), Ferrini, Baisi, Moschino, Facchin (Corni 56′). TRAJNER: Edmondo Fabbri.
GOLAT: Shaqiri 46′.
GJYQTAR: M.Gugulovic (Jugosllavi).
SHIKUES: 20.000

6. 17 Nëntori i rikthehet Kupës së Kampioneve në stinën 1969-‘70 përballë kampiones së Belgjikës, me një skuadër mbretërore belge, Standard i Liezhit, me emrin kuptimplotë origjinal “Royal Standard Club de Liege”, dhe 1-1 i stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” – një përfundim më se i pranueshëm, kur mendon se në 11-shin belg kishte firma të rangut si Piot, Thissen, apo dhe dy kombëtarasit e mëdhenj të Jugosllavisë, Galic dhe Takac.

Ndonëse në ndeshjen e Liezhit, kampionia e Shqipërisë ka në njëmbëdhjetësh dy partizanas, Mikel Jankun dhe Panajot Panon, i cili në mënyrën më enigmatike nuk “lejohet” të luajë në ndeshjen e dytë në “Qemal Stafa”!

Kjo është skeda jonë historike nr. 6:

TIRANË, 01.10.1969
ST. KOMBËTAR “QEMAL STAFA”.
17 NËNTORI – STANDARD LIEGE 1-1
17 NËNTORI: M.Janku, Dhales, Frashëri, Kasmi, A.Mema, Kazanxhi, Xhaçka (A.Çela 60’) Bukoviku – Bytyçi, Hyka, Ishka. TRAJNER: Myslym Alla.
STANDARD LIEGE: Piot, Beurlet, Dewalque, Jeck, Thissen, Depireux, Pilot, Cvetler, Galic, Kostedde, Takac. TRAJNER: René Hauss.
GOLAT: Galic 60’, Kazanxhi 89’.
PËRJASHTIME: Jeck (89’)
GJYQTAR: G.Schulenburg / GER.
SHIKUES: 20.010.

7. Më 2 shtator 1970, si për të dashur ta zgjerojmë më tej këtë gjeopolitikë të çuditshme shqiptare në futbollin e klubeve, do të ndodhë kualifikimi i parë i Shqipërisë në Kupat e Europës në pamjen e një ndeshjeje po aq të jashtëzakonshme.

Ajo është ndër më të rrallat në historinë tonë, jo thjesht sepse është kualifikimi i parë i një klubi shqiptar në Kupat e Europës, në këtë rast në Kupën e Kupave, por mbi të gjitha, për nivelin e lartë që paraqiti Partizani nën drejtimin e shkëlqyeshëm të trajnerit Loro Boriçi, i cili do të mbyllte pikërisht në këtë 1970, pjesën tjetër të karrierës së tij të rrallë për një trajner shqiptar, atë të klubeve në Kupat e Europës: Norköping i Suedisë, Köln i Gjermanisë, Torino e Italisë (së bashku me Resmen), Spartak i Bullgarisë dhe më së fundi kualifikimi i parë i një klubi shqiptar në Europë. Dhe me skuadrën e një vendi që kishte mbërritur deri në nënkampion i botës: Suedia! Kjo do të ndodhte vetëm pak ditë përpara se Boriçi do ta bënte Partizanin kampion të Ballkanit, i vetmi rast sot e kësaj dite për ne. Kishte formuar një skuadër të mrekullueshme, një kombinim i shkëlqyeshëm Shllaku-Bizi-Pano (R.Ragami merrej nga Vllaznia) çka e bënte boshtin e skuadrës tejet të fuqishëm, në një kohë që shtatlartësia e treshes Berisha-Ziu-Cani, nuk ishte parë kurrë në një mbrojtje shqiptare që gjente një përkryerje më tepër te shpërthimet e krahëve të sulmit Balluku e A.Janku.

Ndeshja është ndër më të rrallat në historinë tonë, jo thjesht sepse është kualifikimi i parë i një klubi shqiptar në Kupat e Europës, në këtë rast në Kupën e Kupave, por mbi të gjitha, për nivelin e lartë që paraqiti Partizani nën drejtimin e madh të trajnerit Loro Boriçi. Do të eliminohej në turin tjetër prej Wacker të Austrisë. Ka qenë një eliminim krejt aksidental, për ashtu si u zhvilluan ngjarjet, dhe kësisoj ai nuk “guxon” të hyjë këtu e të ma “prishë” madhështinë e 8 ndeshjeve të përshkruara.

Do të mbetej 1970-ta një vit i një vije .demarkacioni, me guximin shqiptar për t’u përfshirë në Europë, me stepjen se përballë një dalje nga izolimi befasuese (pjesëmarrje jo në një, por në dy Kupa tashmë, atë të Kampioneve dhe të këtë Kupave) dhe në fund të fundit, me nëpërmendjen e parë për të mos vazhduar, për të ndërprerë pra. Dhe bash ndërprerja do të ishte “arma” gjeopolitike më e dashur e regjimit. Histori të tjera këto…

Skeda jonë historike nr.7 është kjo:

2 SHTATOR 1970.
STADIUMI KOMBËTAR “QEMAL STAFA”.
PARTIZANI – ATVIDABERG I SUEDISË 2-0
PARTIZANI: Muhedini – Seferi, Berisha, Ziu, Cani – Shllaku, R.Rragami, Bizi, Balluku (Thaka 66’), P.Pano, A.Janku. TRAJNER: L.Boriçi.
ATVIDABERG: Blomberg – Olson, Karlson, Anderson, Gustavson, Augustson (Franzen), L.Anderson, Ljungberg, Vallinder, Eklund, Sandberg (Johanson). TRAJNER: B.Gustavson.
GOLAT: P.Pano 15’, R.Rragami 44’.
GJYQTAR: Babadzan (Turqi).

8. Dhe mbërrijmë te 17 Nëntori – Ajax i Amsterdamit, 2-2.

Ajax-i? Ende nuk ishte bërë i madhi i të mëdhenjve, ndonëse një vit më parë, më 1969, kishte luajtur fundoren me Milanin po për Kupën e Kampioneve dhe kishte humbur 1- 4! Për fatin e çuditshëm të historisë, ai do të niste të bëhej i madh pikërisht në këtë ditë të Tiranës të 16 shtatorit 1970.

Do ta niste me këtë barazim 2-2 me 17 Nëntorin e Tiranës. Dhe ndeshja që nuk i shpëton assesi politikës e gjeopolitikës së bashku, të mbylljes së Shqipërisë diktatoriale. Do të ricitoj këtu vetëm një pasazh nga trajtesa historike e autorit Erik Brouwer. Shkruan Brouwer:

“…Ajax i Amsterdamit do të kishte probleme të llojllojshme në shtatorin e vitit 1970 për të hyrë në këtë vend për të zhvilluar ndeshjen e shkuarjes së Kupës së Kampioneve kundër skuadrës 17 Nëntori i Tiranës. Vetëm mbas tratativave me UEFA-n u arrit në një ‘modus vivendi’: u pranua t’iu jepet viza vetëm me kusht që lojtarët e Ajax-it të mos shëtisnin fort rrugëve të Tiranës dhe të mos nxisnin biseda me qytetarët. Tri herë kampionët e ardhshëm kontinentalë do të deklaronin me hidhërim faktin se kundërshtarët e tyre refuzonin të bisedonin me ta. Por këta të huaj flokëgjatë dhe mjekroshë, nuk e dinin se stadiumi ishte i mbushur me agjentë të policisë sekrete…”

Kur ka mbaruar ndeshja, me cilësinë e gazetarit të së përditshmes “Bashkimi” të Tiranës, në dhomën-garderobë të Ajax-it, kemi gjetur trajnerin Rinus Michels duke thirrur fort drejt lojtarëve të tij me një nervozizëm të pashoq. Në të vërtetë, barazimi për ta, mbas kryesimit 2-0, nuk justifikohej. Ata heshtnin, ndërsa Michels thërriste! Michels nuk pranoi të thoshte dy fjalë për ne, madje shfaqi pakënaqësinë që gazetarë shqiptarë kishin guxuar të hynin aty. Stepje! Dhe papritmas ndërhyn edhe kapiteni i Ajax-it, jugosllavi i madh, Velibor Vasovic. Ky vuri buzën në gaz, iu shkëput të thirrurave të Michels-it dhe na u afrua pranë krejt i gatshëm për të folur, duke shpëtuar dhe incidentin me trajnerin.

1970. 17 NËNTORI - AJAX 2-2. 17 Nëntori para ndeshjes. Lart nga e majta: Kasmi, A.Çela, G.Xhafa, Frashëri, Dhales, Konomi. Ulur nga e majta: Hyka, A.Mema, Kazanxhi, Xhaçka, Zhega.

1970. 17 NËNTORI – AJAX 2-2. 17 Nëntori para ndeshjes. Lart nga e majta: Kasmi, A.Çela, G.Xhafa, Frashëri, Dhales, Konomi. Ulur nga e majta: Hyka, A.Mema, Kazanxhi, Xhaçka, Zhega.

Ndeshja madhështore e Tiranës, në të vërtetë ka rrokullisjen e vet. Pata shkruar te “Bashkimi”:

“…E pamë me sytë tanë dje, se cili ishte ‘Ajaksi’. Një skuadër me lojtarë shtatlartë, të përgatitur shumë mirë fizikisht, teknikisht, e shpejtë, e qetë dhe shumë e qartë. ‘Ajaksi’ luante një futboll të kohës… Kish kaluar minuta e 69-të e lojës e në tabelën e rezultateve ish fiksuar 2-0 për ‘Ajaksin’. Një minutë më parë Surbie (Nr. 3) kish gjuajtur rreth 25 metra larg. Topi pasi takoi shtyllën pingule përplaset në rrjetë, sepse portieri ynë, Konomi, nuk vepron siç duhet. Edhe golin e parë e kish shënuar po ky lojtar në minutën e19-të të pjesë së parë… Por dy tre minuta pas pësimit të golit të dytë, ‘17 Nëntori’ e mori veten mirë. Dhe ja tek kroson Frashëri, kërcen portieri holandez Stuij, por pa sukses. Topi është para portës, para vijës ‘fatale’, pak mbi tokë. E aty është edhe Kazanxhiu aq i gjallë sot e këmbëngulës. (Ai ka zëvendësuar në pjesën e dytë Xhaçkën). Hidhet ai, godet me kokë dhe gol! Tani skuadra jonë ka lirshmëri. Por ja, Frashëri pëson traumë e mbas pak edhe Dhales. E në këtë situatë të vështirë spikatin në lojë tiparet më pozitive të sportit tonë: kolektiviteti, sakrifica, nderi sportiv. Shumë rëndë qe Frashëri, por nuk e braktisi fushën, rëndë qe gjithashtu edhe Dhales, por qëndroi edhe ai me shokët. Dy lojtarë më pak për “17 Nëntorin”, por 9 që ishin kompaktë, që shkriheshin në një të vetme, të vendosur. Kalojnë minutat në këtë gjendje dhe loja e kampiones sonë nuk bie. Përkundrazi. Ajo ngrihet, gjithnjë ngrihet. Ajaksi kujtoi se fitoi. Por ja Çeço tek kalon mbrojtjen e holandezëve, ndërsa Zhega që kupton shokun, niset vrullshëm, merr pasin e saktë nga ai dhe në ecje e sipër shënon një gol të shkëlqyer, atë të barazimit…”

Ky ishte pasazhi përshkrues i stilit të një gazetarie jo pak “nacionaliste” të Shqipërisë komuniste të 53 vjetëve më parë. Një ditë më pas do të emociononte tejet shqiptarët me gjithë patetizmin e epokës së një gazetari 27- vjeçar, siç qëlloi të isha, po që as sot mbas 53 vjetëve, nuk ndien asgjë për t’u krenuar. Gjithçka ishte në kontekstin e Shqipërisë së mbyllur…

Më 30 shtator 1970, në Amsterdam, 17 Nëntori humbet 2-0 me gola të Keizer dhe Swart (9’, 72’) në një ndeshje që i paharrueshmi Myslym Alla, projektuesi i gjithë kësaj drame, krenohej jo më pak se me ndeshjen e 2-2-shit. Kampionia e Shqipërisë, 17 Nëntori, (sot SK Tirana), ndonëse kësaj radhe ka në 11-sh edhe portierin e Skënderbeut të Korçës, Koço Dinella, përveç tre dinamasve G.Xhafa, Zhega e Çeço, po aq e lë me kryet lart stadiumin e kryeqytetit holandez.

Skeda historike e barazimit famëmadh, nr. 8, është kjo:

16 SHTATOR 1970.
STADIUMI KOMBËTAR “QEMAL STAFA”.
17 NËNTORI TIRANË – AJAX AMSTERDAM 2-2
17 NËNTORI: Konomi (Habibi 65’), Frashëri, Dhales, Kasmi, G.Xhafa, A.Çela, Çeço, A.Mema, Hyka, Zhega, Xhaçka (Kazanxhi 46’). TRAJNER: M.Alla
AJAX: Stuy, Vasovic, Suurbier, Hulshoff, Krol, Neeskens, Rijnders, Swart, Van Dijk. G.Muhren, Keizer. TRAJNER: R.Michels.
GOLAT: Surbier 19’, 31’, Kazanxhi 58’, Zhega 87.
GJYQTAR: Schiller (Austri)

III.
Këtu mbyllet “zbulimi” ynë sensacional! Dhe pyetjet që mund të lindin, natyrisht mund të jenë të pafund:

Si ka mundësi që klube shqiptare amatore, me përvojë krejt të pakët garash zyrtare të Europës, klube të një vendi me plot probleme, thuajse i izoluar, ndalojnë për gati 10 vjet fitoret në Shqipëri të ekipeve të famshme të Suedisë, Gjermanisë, Skocisë, Italisë, Belgjikës, Holandës, qoftë dhe të Bullgarisë?

Kjo është një pyetje së cilës vetëm studiuesit seriozë e të ditur të futbollit e sportit shqiptar – për fat ata mungojnë – mund t’i përgjigjen. Pra, askush nuk ka guxuar t’i përgjigjet, t’i zbërthejë dhe të japë meritat e ndërrimet e duhura. Dhe më e papranueshmja: edhe një gazetar i përvojës si autori i këtij shkrimi, apo dhe i kolegëve të brezit të tij, deri më sot nuk ia paskan arritur të veçojnë, të përimtojnë, të evidentojnë, në një bashkim kësisoj afirmues historik, këto ndeshje të pashlyeshme që sa nder i bëjnë Shqipërisë!

Ne që i kemi përjetuar drejtpërdrejt në shkallët e stadiumeve, ndeshjet e këtyre 51 futbollistëve, shumë prej të cilëve madje, i patëm miq, shokë, e moshatarë – e falë profesionit të gazetarit, sa të afërt u bëmë edhe me trajnerët e tyre (vërtet, jo rrallë edhe i kritikuam, ndërsa ata qytetarë të klasit të parë, asnjëherë nuk u revoltuan) – kemi qenë pra, me fat. Sepse brenda asaj kohe të vështirë jemi bërë pjesë e gëzimit të interpretimeve të pashlyeshme europiane të tyre.

Dhe po veçoj ndërkaq, ata që luajtën shumicën e këtyre ndeshjeve. Përbëjnë një katërshe mitike për ne. Janë: Fatmir Frashëri 6 ndeshje, Mikel Janku 6 ndeshje, Lin Shllaku 5 ndeshje, Panajot Pano 5 ndeshje.

Megjithatë, ky “zbulim”, nuk absolutizon asgjë. Sepse më vonë klubet shqiptare herë pas here, dhuruan ndeshje të pashlyeshme, madje edhe kualifikime, ndaj skuadrave të rangut të lartë të Europës. Kanë qenë këto:

Vllaznia – Austria e Vjenës 2-0, Partizani – Celtic 1-0, Partizani – Malmoe 0-0, Partizani – Austria 1-0, Dinamo – KZ Jena 1-0, Dinamo – Aberdin 0-0, Dinamo – Sporting 0-0, SK Tirana – Dinamo Bukuresht 1-0 e 2- 1, Flamurtari – Barcelona 1-1 e 0-0, Flamurtari – Partizan Beograd 2-0, Flamurtari – Barcelona 1-0, Dinamo – Dinamo Bukuresht 1- 0, Dinamo – Olimpik Marseille 0-0, Goteborg – Flamurtari 0-0 e 1-1, Partizani – Feyenoord 0-0.

Për fatin tonë tejet të diskutueshëm e polemik, qoftë dhe të kritikueshëm, me këto ndeshje marrin fund ngjarjet e mëdha në Europë të klubeve shqiptare. Të duket si një kapitull i mbyllur plot 32 vjet më parë, në vitin 1991!

Siç e shihni, pa mëdyshje, jemi bukur tri dekada mbrapa me klubet në Europë.

Por ky shkrim, mirëfilli nuk është kritik. Ky shkrim vetëm shpalosi “zbulimin” e madh të një starti po të madh të para 61 vjetëve të klubeve shqiptare në Europë. Kjo është një histori futbolli që të trondit…

* Riprodhimi i këtij shkrimi dhe i çdo pjese të tij është i rezervuar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"