Hima: Në Luz për 3 pikë, Burreli duhet të tregojë vazhdimësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2024 | 11:53

Hima: Në Luz për 3 pikë, Burreli duhet të tregojë vazhdimësi

Nuk ka pushim për matjanët. Një ditë pas fitores së të mërkurës kundër Bylisit, skuadra është vënë nën urdhrat e trajnerëve Hima për t’u përgatitur për ndeshjen e radhës. Të dielën skuadra matjane do të udhëtojë drejt Luzit, ku do të ndeshet me ekipin vendës. Skuadra e Luzit është ndër katër ekipet, që i ka marrë pikë të plota skuadrës matjane.

HIMA BURRELI

Humbja e pësuar me rezultatin 5-1 kundër Luzit në 11 nëntorin e kaluar është më e thella e pësuar nga skuadra matjane këtë kampionat. “Fitorja e arritur kundër Bylisit ka shtuar dukshëm optimizmin në radhët e skuadrës. Këtë moment të mirë që po kalojmë, duhet ta zgjasim dhe më shumë”, thotë mes të tjerash numri një i pankinës matjane, Klevis Hima. Në ndeshjen e së dielës për shkak kartonësh do të mungojnë dy futbollistët e formacionit bazë. Bëhet fjalë për Farrukun dhe Kolecin. Pavarësisht koeficientit të vështirësisë që ka ndeshja e nesërme, trajneri i matjanëve është i qartë në objektivin e tij.

Në fund Hima shton: “Skuadra do të udhëtojë në transfertën e radhës për të marrë maksimumin e pikëve. Klima optimiste që po e shoqëron skuadrën jep premisa se mund të arrijë një objektiv të tillë”. Matjanët renditen në vendin e tetë.

NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"