Gvozdenoviç mbledh Skënderbeun, trajneri kërkon kujdes: Bëni një sforco për kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2023 | 14:45

Gvozdenoviç mbledh Skënderbeun, trajneri kërkon kujdes: Bëni një sforco për kreun

Skënderbeu kërkon që të “çimentojë” kreun në Burrel. Janë të vetëdijshëm për vazhdimësinë e kësaj transferte, por nuk kanë as në plan që të lëshojnë pikë dhe aq më pak vendin e parë. Dhe bardhekuqtë duan që të dalin me maksimumin e pikëve nga kjo ndeshje, pasi çdo pikë e lënë do t’i kushtonte renditjen.

gvozdenovic

Kësaj i ka mëshuar edhe Ivan Gvozdenoviç në analizën e zhvilluar dje në ambientet e klubit. Trajneri është përpjekur të mbajë lart frymën dhe moralin e grupit, por ka qartësuar misionin.

Kur kanë mbetur 9 javë deri në finish, pret tri pikët në çdo takim deri në fund të këtij kampionati. Serbi u ndal gjatë kësaj mbledhjeje edhe te Luzi, që e fituan. Vuajtën shumë që ta mundin këtë kundërshtar, ndaj nuk do që të përsëritet historia.

“Kemi fituar një ndeshje tejet delikate, duke marrë dhe kryesimin e kampionatit. Tashmë ndodhemi në vendin e parë në renditje.

Por kjo nuk është arritje kryesore për ne. Tani na lind detyra të mbajmë këtë vend në klasifikim dhe kjo do të kërkojë më shumë sforco për ne.

Duhet të jemi të vetëdijshëm për atë që na pret në pjesën e mbetur të sezonit. Në ndeshjen e fundit mund t’ua them se ka pasur disa situata në të cilat nuk kemi vepruar mirë dhe i kemi dhënë më shumë hapësirë se sa duhet kundërshtarit. Ndaj edhe për këtë, duhet të rikuperojmë shumë në këtë pjesë.

Në këtë kategori nuk duhet të çedojmë asgjë, pasi është tepër e vështirë për të rikuperuar më pas. Më vjen mirë që keni reaguar dhe sidomos kur Luzi na barazoi, por janë gjëra që duhet t’i shmangim sa më shumë të jetë e mundur.

Tani kemi përpara Burrelin dhe duhet të përqendrojmë aty të gjithë kërkesën tonë maksimale. Duhet të mbajmë këtë vend deri në fund dhe kjo do të jetë detyra jonë më e vështirë. Mos harroni që nuk ka më kundërshtar të lehtë.

Do të respektojmë çdo ekip që kemi përballë, por jo më shumë se veten. Jemi Skënderbeu dhe mund të fitojmë me çdokënd. Kjo është pak, por e sigurt”, tha mes të tjerash trajneri i Skënderbeut.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"