Gvozdenoviç: Duhet kthesa ndaj Dinamos, do të luajmë futboll sulmues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2024 | 11:09

Gvozdenoviç: Duhet kthesa ndaj Dinamos, do të luajmë futboll sulmues

Skënderbeu luan sot një ndeshje deçizive në Korçë përballë Dinamos. Korçarët kërkojnë vetëm fitoren në këtë takim, duke parë situatën në klasifikim dhe mbi të gjitha rezultatet e fundit, që nuk janë aspak pozitive.

gvozdenovic

Për trajnerin Ivan Gvozdenoviç, një ndeshje e tillë duhet të fitohet me çdo kusht, kjo edhe për shkak se diferencat mes shtatë ekipeve në renditje janë shumë të vogla dhe një humbje mund të rrezikojë sezonin. Në konferencën para ndeshjes, trajneri i Skënderbeut është i bindur se ekipi do të dijë të reagojë mirë dhe të marrë maksimumin e mundshëm. Nga ana tjetër, me dy mungesa të rëndësishme në këtë ndeshje, Gvozdenoviç beson se lojtarët do të dinë të menaxhojnë më së miri cilësitë e tyre dhe se janë gati për të nisur kthesën e rezultateve.

Ivan, është ndeshja më e rëndësishme e sezonit kjo ndaj Dinamos?

Nuk mund të them krejtësisht kështu. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, por jo absolutisht më e rëndësishmja e sezonit. Kemi shtatë skuadra me pikë të barabarta apo me diferencë të vogël dhe prandaj çdo ndeshje për ne është si një finale. Kështu ka qenë gjithmonë në fakt, kështu e kemi konsideruar që nga java e parë e deri në këtë pikë të kampionatit. Është e rëndësishme dhe do të shikojmë nesër (sot) se si do të dalim në fushë.

Me dy mungesa të konfirmuara për këtë takim. Si është gjendja e ekipit për këtë ndeshje?

Po, të them të drejtën janë dy mungesa shumë të rëndësishme për ne dhe kam përshtypjen se do të ndihet mosprania e tyre në fushë. Por ne kemi 25 lojtarë në organikë dhe të gjithë i kemi të gatshëm për të luajtur titullarë. Kemi lojtarët e duhur dhe do të gjejmë një opsion të mirë për skuadrën, për të përballuar me sukses këtë takim.

Mbi të gjitha, duket sikur këto mungesa ju diktojnë paksa formacionin ndaj Dinamos. A do të jetë kështu?

Formacioni nuk është shumë i rëndësishëm për mua, sesa qasja që lojtarët do t’i bëjnë këtij takimi. Unë e kam thënë edhe më herët, nuk fiton formacioni, por lojtarët. Nëse ne luajmë 4-3-3, 3-5-2 apo 4-2-3-1, nuk ka shumë rëndësi. E rëndësishme është që lojtarët të fitojnë këtë takim.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Do të thotë që do të luajmë fort, do të luajmë një futboll ofensiv. Kjo është ajo që dua të them. Jemi të përqendruar vetëm te fitorja dhe te rezultati maksimal në këtë takim.

Çfarë iu keni thënë lojtarëve për humbjen e fundit?

Ne kemi analizuar gjithçka. U kam folur në analizë dhe ata kanë kuptuar se ku kanë gabuar në atë takim. Ishte një gabim individual, por tashmë e kemi lënë pas krahëve. Mendojmë vetëm të rikthehemi te fitorja dhe Dinamo duhet të jetë pika jonë e kthesës. Për këtë të gjithë jemi gati për ndeshjen e radhës.

Statistikat tregojnë se Skënderbeu ka sulmin më të dobët dhe mbrojtjen që ka pësuar më shumë gola. Ju shqetëson kjo situatë?

Unë nuk i shoh shumë statistikat dhe mund të them që nëse kam pikët nuk më interesojnë fare statistikat. Nëse do të referohemi statistikave në ndeshjen me Egnatian ne patëm më shumë raste për shënim, por fituan ata. Pikët janë ato që kanë vlerë për mua, mbi të gjitha në këtë moment, kur kampionati ka hyrë në fazën më të nxehtë të sezonit.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"