Goli i parë në Superiore për lojtarin e Shpresave, Mjaki: Fitore për ringritjen e Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2023 | 23:56

Goli i parë në Superiore për lojtarin e Shpresave, Mjaki: Fitore për ringritjen e Laçit

Mbrojtësi i djathtë i Laçit, Agan Mjaki, luan sezonin e tij të parë në Kategorinë Superiore. 20-vjeçari që ka lindur në Amsterdam të Holandës shënoi golin e fitores në ndeshjen e fundit kundër Skënderbeut, i cili ishte i pari për të në futbollin profesionist.

agan mjaki

Më parë, lojtari që është pjesë edhe e Kombëtares U-21 të Shqipërisë, ka luajtur në Holandë me Groningen, ndërsa ka qenë edhe në akademinë e Tuentes. “Së pari jam shumë i lumtur për golin tim të parë si profesionist. Ka qenë një fitore e rëndësishme për ne, në një ndeshje shumë të vështirë dhe delikate në transfertë. Por, jemi të lumtur për tri pikët e marra në këtë takim.

Ishte e rëndësishme më shumë për të krijuar vetëbesim tek ekipi që nuk po kalonte një moment të mirë. Tani duhet të vazhdojmë kështu me kokën lart. Të mendojmë për ndeshjen e radhës dhe shpresoj që kjo fitore të na ndihmojë që të marrim tri pikët edhe në takimin e fundit për këtë vit kundër Kukësit.

Goli për mua është i rëndësishëm më shumë, sepse përkthehet në tri pikë për ekipin. Ia dedikoj familjes sime, mamit dhe babit, që janë në Holandë. Nuk jam pranë tyre tani dhe ua ndiej shumë mungesën”, deklaroi mbrojtësi i Laçit, i cili i dha fitoren skuadrës pas më shumë se dy muajsh vuajtje. Si për ironi të fatit, triumfi i fundit i bardhezinjve ka qenë në fillim të muajit tetor ndaj Skënderbeut, ndërsa tani rigjetën tri pikë po ndaj korçarëve, këtë herë në një ndeshje jashtë fushe.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"