Skënderbeu goleadë, siguron gjysmëfinalet. Presidenti Takaj “kërcënon” me Champions

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2013 | 13:05

Skënderbeu goleadë, siguron gjysmëfinalet. Presidenti Takaj “kërcënon” me Champions

Skenderbeu-Kastrioti 5-1, ndeshje kupeSKËNDERBEU-KASTRIOTI 5-1
GOLAT: Pejiç 43′, Plaku 47′, 54′, 89′, Radas 78’/ Gocaj 74′
SKËNDERBEU: Shehi, Soza, Bici, Gvozdenoviç (Çipi 63′), Dimo, Radas, Çaushaj, Shkëmbi, Tomiç (Kërçiku 59′), Pejiç (Tahirllari 73′), Plaku. Trajner: M.Josa
KASTRIOTI: Moçka, Caca, Hoxha, E.Xhafa, Erj.Xhafa, Sykaj, Karapici (Tanushi 50′), Daja, Çela (Shaba 54′), Kalari, Shehaj (Gocaj 70′). Trajner: Sh.Dallaku
KARTONË TË VERDHË: Radas 62′, Dimo 69’/ Daja 49′, Caca 54′
DELEGAT: Arjan Mali (Patos)
VËZHGUES: Hiqmet Kuka (Tiranë)
GJYQTARET: K.Cjapi, I.Tartari, O.Grabova (Fier)

MINUTAT
36′ Mesfushori kroat i Skënderbeut, Tomiç, kroson bukur nga e djathta, duke gjetur të lirë Plakun, i cili gjuan me kokë, por pret Moçka.
39′ Pejiç përfiton nga një gabim i mbrojtjes krutane, teksa gjuan nga një pozicion diagonal dhe topi kalon ngjitur me shtyllën.
41′ Plaku nxjerr të lirë Çaushajn, por ky i fundit tregohet më altruist seç duhet, sepse pasimi i tij është i gabuar.
43′ Çaushaj fut një top të bukur për Pejiçin, i cili fillimisht e stopon atë dhe me një goditje të fuqishme mposht Moçkën, 1-0.
45′ Pejiç gjuan me kokë pas një harkimi të Dimos, por pret Moçka.
47′ Çaushaj jep një pasim tokazi në zonë dhe aty Plaku i shpëton mbulimit të mbrojtësve, teksa godet saktë dhe shënon, 2-0.
52′ Tomiç jep një asist perfekt për Pejiçin, por gjuajtja e tij e menjëhershme përfundon jashtë.
54′ Pejiç dhe Plaku kombinojnë bukur brenda zonës dhe ky i fundit finalizon saktë, duke shënuar golin e tretë, 3-0.
74′ Sulm pa pretendime i Kastriotit, por që kthehet në gol. I sapofuturi Gocaj godet tokazi nga një pozicion i prirët dhe Shehi tregon pasiguri, duke bërë që topi të përfundojë në rrjetë. 3-1.
78′ Goditje dënimi për Skënderbeun, ekzekuton mjeshtërisht Radas dhe Moçka mposhtet për herë të katërt, 4-1.
84′ Goditje këndi për Skënderbeun. Pas krosimit në zonë është Bici që godet me kokë, por Moçka eviton golin. 86′ Shkëmbi harkon bukur nga e djathta, Plaku godet me kokë, por topi përplaset në traun e portës.
88′ Sërish shtyllë për Skënderbeun. Këtë herë është Dimo që godet me kokë, pas krosimit të Shkëmbit, por fati nuk është me të.
89′ Plaku pengohet në mënyrë të parregullt brenda zone dhe kryesori Cjapi akordon 11-metërsh. Sulmuesi merr përsipër gjuajtje dhe vulos fitoren e Skënderbeut, 5-1.

Skënderbeu rikthehet me goleadë në stadiumin e Korçës. Dje bardhekuqtë mposhtën 5-1 Kastriotin dhe siguruan një biletë për turin gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë. Pas katër ndeshjeve të para në Grupin A, korçarët e shikojnë veten në krye të renditjes me 12 pikë. Takimi u bë më i lehtë për vendësit, nisur edhe nga fakti se krutanët u shfaqën inferiorë në lojën e tyre. Pasi rezistuan 43 minuta, miqtë u shpërbënë më pas. Heroi i takimit ishte sulmuesi Sebino Plaku, i cili realizoi tre gola, ndërkohë që nuk mungoi në listën e shënuesve kroati Pero Pejiç. Një gol të bukur shënoi edhe mbrojtësi Marko Radas, i cili dje ishte vendosur nga trajneri Mirel Josa në një pozicion jo të zakonshëm.
Pjesa e parë – Ndeshja filloi e qetë dhe pa emocione. Për shumë minuta janë parë dyluftime fizike dhe gabime të njëpasnjëshme të lojtarëve, teksa kanë munguar rastet për shënim. Të dy skuadrat ishin pothuajse inekzistente në portat kundërshtare, derisa në minutën e 36-të Skënderbeu jep sinjalin e parë për të vijuar më pas me një dominim total. Është dyshja kroate Tomiç-Pejiç që zgjon skuadrën. Asisti për Pejiçin nuk kthehet në gol, por gjithsesi shënjestra e kroatit rregullohet më pas. Kastrioti luan me shumë forca në mbrojtje, i kushtëzuar edhe nga disa mungesa të rëndësishme në formacion. Plaku dhe Pejiç janë aktivë, por nuk gjejnë shumë hapësira në zonën kundërshtare. Çaushaj ka rastin më të mirë për ta kaluar ekipin në avantazh, por tregohet më altruist seç duhet. Dy minuta para përfundimit të pjesës së parë është Pejiç që e qetëson ekipin, duke i dhënë avantazhin. Një krosim i bukur i Caushajt kthehet në gol nga sulmuesi shtatlartë, pas një gjuajtje të fuqishme me të majtën nga brenda zonës.
Pjesa e dytë – Në pjesën e dytë Skënderbeu ka një marsh më shumë se kundërshtari. Dyfishimi i rezultatit vjen shpejt me anë të Plakut, i cili mposht Moçkën me një diagonale të bukur. Ky gol e huton plotësisht Kastriotin, që nuk mendon për gjë tjetër veçse mbrojtjen. Skuadra e Josës bëhet e papërmbajtshme. Plaku dhe Pejiç merren vesh mirë me njëri-tjetrin dhe është pikërisht kroati, i cili me një pasim të bukur e nxjerr të lirë shokun e repartit, që nuk fal, duke e çuar rezultatin në 3-0 për Skënderbeun. Më pas është Kastrioti që zgjohet, duke organizuar sulmin e parë dhe të vetëm të takimit. Gocaj godet fuqishëm tokazi nga një pozicion i prirët dhe rezultati ngushtohet në 3-1. Mirëpo takimi ende nuk ka mbaruar. Nga një goditje dënimi rreth 28-30 metra është Radas, që me një goditje mjeshtërore e kalon topin mbi murin mbrojtës dhe mposht Moçkën për herë të katërt. Kastrioti është i dorëzuar, kurse Skënderbeu më i etur se kurrë. Nga një goditje këndi, Shkëmbi kroson në shtyllën e parë, Bici godet me kokë, por Moçka eviton golin. Dy minuta më vonë Plaku dhe Dimo do të godasin respektivisht traun e portës, pas krosimeve të kapitenit Shkëmbi. Ndërsa minuta e fundit e kohës së rregullt ka kohë për një tjetër gol. Sulmuesi Plaku pengohet në mënyrë të parregullt në zonë dhe kryesori Cjapi akordon 11-metërsh. Këtë të fundit e ekzekuton vetë Plaku dhe shënon, duke vulosur fitoren e korçarëve, që tashmë në dy takimet e fundit do të luajnë pa presionin e rezultatit, pasi kanë siguruar kalimin në turin gjysmëfinal.

Shehi duke rinovuar me presidentin TakajTakaj “kërcënon” me Champions-in
Presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj, ka folur dje për “Panorama Sport” rreth çështjeve më të fundit në klubin korçar. Kreu i klubit komentoi përplasjet me Orelesin, rinovimin e kontratave dhe blerjen e re, Nimaga Bakary. “Shumica e futbollistëve i ka firmosur kontratat e reja, madje edhe Sabien Lilaj. Dua të theksoj se lojtarët që kanë rinovuar, do të jenë pjesë e ekipit në Ligën e Kampioneve, ndërsa ata që nuk e kanë bërë një gjë të tillë dhe që refuzojnë ta bëjnë, nuk do të jenë pjesë e grupit për ndeshjet ndërkombëtare që do të zhvillojmë”, – shpreh fillimisht Takaj, duke u dhënë indirekt një mesazh lojtarëve që nuk pranojnë të rinovojnë kontratën. Në lidhje me Orelesin, ai sqaroi: “Për momentin duhet të merremi vesh me lojtarin, lidhur me kërkesat e tij dhe ato pakënaqësi që fliten. Do të takoj së shpejti edhe menaxherin e tij për të sqaruar këto mosmarrëveshje që kemi pasur ditët e fundit. Rrezik parakontrate me klubet e tjera? Nuk mendoj se ka rrezik për sa i përket kësaj çështje, pasi në radhë të parë e ndalon rregullorja dhe së dyti klubi i Krivbasit është mjaft korrekt dhe nuk mendoj se një gjë e tillë do të ketë ndodhur. Në rast se ka ndodhur, atëherë do të merren masat përkatëse për cilindo nga futbollistët që shkel rregulloren e klubit, jo vetëm për Orelesin”. Ndërkohë, në fund Takaj foli edhe për mesfushorin nga Mali, Bakary. “Është një futbollist i talentuar dhe me shumë të ardhme. Ai pritet të bashkohet me ekipin shumë shpejt, sapo të pajiset me vizë, pasi janë procedura që kërkojnë pak kohë. Ju siguroj se kur të jetë pjesë e Skënderbeut ka për t’i surprizuar të gjithë tifozët me aftësitë e tij. Vlera e tij do të rritet shpejt”, – përfundoi Takaj, i cili dje ndoqi nga tribuna VIP ndeshjen me Kastriotin.

“Ja pse e lashë jashtë nigerianin”
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, pas ndeshjes së djeshme sqaroi lënien jashtë të nigerianit Orelesi, si dhe foli për kalimin në turin gjysmëfinal. “Matematikisht kemi kaluar turin dhe duhet të përqendrohemi në kampionat. Duhet të futemi në ritmin e lojës, ndërsa sot (dje) u vu re se ekipi reagoi me vonesë në fushë. Këto mangësi janë të justifikuara, por shpresoj se në ndeshjen e radhës do të jemi më mirë. Për këtë përballje kam lënë jashtë Orelesin për dy arsye. Së pari doja të provoja një tjetër lojtar në rolin e tij dhe së dyti, për sa kohë nuk do t’i zgjidhë problemet me klubin, ai nuk do të jetë pjesë e skuadrës”.

“Problemet me drejtuesit po i zgjidh”
Mesfushori Nuredin Orelesi ka bërë dje një takim disa minutësh me presidentin Ardian Takaj. Pas bisedës me këtë të fundit, nigeriani sqaroi për “Panorama Sport” se problemi i tij është drejt zgjidhjes. “Kemi biseduar për disa gjëra, të cilat nuk kanë shkuar mirë këto ditë të fundit, dhe mendoj se jemi në rrugë të mbarë. Kemi zgjidhur ato pak mosmarrëveshje që kemi pasur dhe tani jam më i qetë. Për të ardhmen time ende nuk është mbyllur asgjë, pasi do të presim ofertat deri në fund të muajit. Do të vendos bashkë me menaxherin tim dhe me presidentin për këtë çështje”.

Marko Radas, si mesfushor
Mbrojtësi kroat i Skënderbeut, Marko Radas, është parë dje në një rol jo të zakonshëm. Duke qenë se skuadrës i mungonin mesfushorët shkatërrues Lilaj dhe Orelesi, trajneri Josa mendoi ta aktivizonte kroatin në qendër të këtij reparti. Edhe pse për Radasin ishte një rol i ri, ai e justifikoi plotësisht besimin e trajnerit, duke zhvilluar një ndeshje të shkëlqyer dhe të kurorëzuar me një supergol. Sipas të gjitha gjasave, kroati do të luajë si mesfushor shkatërrues edhe në takimin e së premtes me Vllazninë.

Tifozët
Pas një periudhe të gjatë larg Korçës, dje Skënderbeu zhvilloi një ndeshje zyrtare në stadiumin e vet. Klubi korçar kishte vendosur që në takimin ndaj Kastriotit hyrja të ishte falas për sportdashësit. Edhe pse jo në numrin që jemi mësuar t’i shikojmë, përsëri dje në shkallët e stadiumit “Skënderbeu” kishte rreth 2 mijë tifozë. Këta të fundit u argëtuan me lojën dhe golat e skuadrës. Të premten ndaj Vllaznisë pritet një dyndje tifozësh.

Mungesat
Në ndeshjen e radhës, këtë herë për kampionat ndaj Vllaznisë, Skënderbeu do të vuajë mungesën e të paktën tre titullarëve. Bëhet fjalë për mbrojtësin Arapi, i cili është i dëmtuar (ndërkohë që dje i është bashkuar në grumbullim Kombëtares), si dhe mesfushorët Orelesi e Lilaj. Nigeriani ka plotësuar numrin e kartonëve, ndërsa korçari vazhdon fazën e riaftësimit. Probleme ka shfaqur edhe mbrojtësi Vrapi, por pritet të jetë i gatshëm.

Dallaku
Pas ndeshjes, trajneri i Kastriotit, Shaban Dallaku, deklaroi: “Skënderbeu e meritoi plotësisht fitoren, duke dominuar takimin. Dihet që kishim përballë një ekip të fortë, ndoshta më të mirin në kampionatin shqiptar. Ne vinim në këtë sfidë me shumë mungesa në formacion, ku mbi të gjitha ishte ajo e sulmuesit Fataki. Këto mungesa kanë ndikuar shumë në rezultatin final. Tani do të përqendrohemi në kampionat për të treguar vlerat tona”.
LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"