Gjysma e Superiores zhvillohet pa tifozë, supersfida në… arrati

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2018 | 17:40

Gjysma e Superiores zhvillohet pa tifozë, supersfida në… arrati

Shqipëria ka “alergji” nga tifozët. Për të kuptuar situatën se ku ndodhet futbolli ynë, mjaft të përmendet një statistikë se 200 ndeshje në shtatë vitet e fundit janë luajtur me impiante të boshatisura. E kur përgatitet që të luhet java e tretë e Kategorisë Superiore, 40% e ndeshjeve do të luhen pa tifozë.

kamza partizani

SITUATA – Në vigjilje të javës së tretë të futbollit elitar në Shqipëri, dy takime do të luhen me dyer të mbyllura. Për shkak të vendimeve të Komisionit të Disiplinës, ndeshja mes Partizanit dhe Kastriotit si dhe Skënderbeut e Laçit do të zhvillohen me impiante të boshatisura, ku të pranishëm do të jenë vetëm një numër i përcaktuar drejtuesish në tribunën VIP, ndërsa në çdo sektor tjetër dryni do të kyçë hyrjet për të lënë shkallët të boshatisura. Si të mos mjaftonin këto, kryendeshja e javës së tretë, Kukësi-Tirana, do të zhvillohet pas 1001 peripecish.

tirana-kukesi

Në fillim, tifozëve iu tha se do të luhet në “Elbasan Arena”. Më pas, për të ruajtur impiantin në kuadër të ndeshjes së shtatë shtatorit, ku Kombëtarja do të përballet me Izraelin, axhenda u bë lëmsh. Fillimisht ishte kryeqyteti një alternativë, për të cilën u diskutua, por as “Selman Stërmasi” dhe as stadiumi i Kamzës nuk u caktuan si vendi për zhvillimin e këtij takimi. Së fundmi, versioni final i axhendës së ndeshjes, u caktua që të jetë impianti në Shkodër, “Loro Boriçi”, qytet shumë larg për tifozëritë e të dyja klubeve.

loro borici bosh vllaznia skenderbeu

E nëse në çdo situatë tjetër, rivaliteti i kryendeshjes do të afronte një numër të lartë spektatorësh, për të dielën, pasi axhenda u ndërrua disa herë, orari gjithashtu, rrezikon të ketë vetëm disa dhjetëra të pranishëm.

ELITA – Në momentin kur gjysma e Shqipërisë është e papërfaqësuar në futbollin elitar dhe një prej justifikimeve për këtë janë standardet e larta që duhen ruajtur, Kategoria Superiore katandiset me stadiume të boshatisura dhe të dënuara që në start, duke ofruar futboll vetëm për drejtuesit dhe organizatorët e garës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"