Gjyqi ndaj FIFA-s, pse FSHF beson për Nedim Bajramin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2021 | 9:46

Gjyqi ndaj FIFA-s, pse FSHF beson për Nedim Bajramin

Shqipëria mund të ketë në dispozicion fantazistin që u shpall lojtari më i mirë i kampiones së Serisë B në sezonin që lamë pas. Shkëlqimi me Empolin, origjina shqiptare dhe forma e mirë bënë që Edi Reja të vihej pas Nedim Bajramit, si fantazisti që mund të ndryshonte thelbësisht lojën dhe modulin e kuqezinjve, duke qenë njeriu asist dhe ndërlidhësi apo furnizuesi më i mirë i mundshëm për sulmuesit tanë.

nedim bajrami

Mirëpo, në kërkesën e bërë në FIFA, për ndryshimin e kombëtares së tij, Shqipëria mori refuzim nga FIFA. Për këtë, FSHF i është drejtuar KAS-it në Lozanë, nga ku edhe pret përgjigje. “Panorama Sport”, nga burime të besueshme në FSHF, ka mësuar një pjesë të përgjigjes që FIFA ka kthyer në refuzimin për lojtarin dhe faktet mbi të cilat pritet të ndërtohet mbrojtja në seancën dëgjimore përballë qeverisë së futbollit.

“AKUZA” NGA FIFA

Në përgjigjen mohuese që FIFA ka bërë për lojtarin, duke ia ndaluar ndryshimin e përfaqësueses (ka luajtur me moshat e Zvicrës dhe kërkon të zgjedhë Shqipërinë), bazohet një pjesë e shpresës që ka në kampin shqiptar për këtë çështje. Teksa pritet edhe data e seancës dëgjimore që do të zhvillohet këtë muaj, gazeta ka mësuar se FIFA ka lënë “shteg” për optimizëm. Në përgjigje, FIFA ka përmendur si fakt rëndues marrjen e dokumentit të nënshtetësisë shqiptare si të pabazuar nga ana e lojtarit.

MBROJTJA NGA FSHF

Të njëjtat burime kanë saktësuar për gazetën se pikërisht në këtë dokument pritet që të bazohet edhe mbrojtja e Shqipërisë. Si? Shqipëria ka një legjislacion në fuqi, i cili saktëson detyrimet dhe kushtet që duhet të plotësojë një qytetar për marrjen e nënshtetësisë shqiptare. Për këtë, FSHF ka marrë miratimin nga të gjitha organet në zbatim të ligjit që kanë verifikuar dhe miratuar pasaportën shqiptare për Nedim Bajramin, një lojtar i cili, bazuar në origjinën e tij, e ka merituar këtë dokument.

Nedim-Bajrami-me-Shqiperine (1)

Ndërtuar me baza ligjore dhe argumente juridike, FSHF është “e larë” me FIFA-n në këtë aspekt, pasi qeveria e futbollit në vendin tonë është e detyruar të zbatojë ligjet e shtetit shqiptar dhe në bazë të tyre, ka marrë edhe nënshtetësinë mesfushori kuqezi, duke hequr çdo përgjegjësi sportive në kundërshti me rregulloret e FIFA-s. Kjo e fundit, bazuar në rregulloret sportive, nuk ka tagrin të ndryshojë legjislacionin në fuqi, bazuar për këtë çështje. Kësisoj, nisur nga ky argument, në FSHF ka optimizëm për mbrojtje dhe për marrjen e përgjigjes pozitive që lojtari të jetë i gatshëm që në ndeshjet e shtatorit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"