“Gjyq” te Vllaznia në analizën e humbjes, Cicmil nuk del në stërvitje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2017 | 15:53

“Gjyq” te Vllaznia në analizën e humbjes, Cicmil nuk del në stërvitje

Si asnjëherë më parë, dje trajneri Cungu dhe drejtori sportiv Eugenc Zekaj kanë zhvilluar një analizë për rreth 60 minuta me skuadrën për humbjen ndaj Skënderbeut. Trajneri Cungu ka qenë mjaft i ashpër me futbollistët e tij, ndërkohë që është shfaqur edhe mbrojtësi Cicmil për të cilin trajneri ka deklaruar se nuk do të jetë më pjesë e ekipit, pas gabimeve që ka bërë në ndeshjen e Korçës.

cicmil

Cicmil pasi ka komunikuar me drejtuesit është larguar dhe ekipi ka vazhduar normalisht analizën. Ndërkohë që portieri Agoviç, për të cilin gjithashtu trajneri është shprehur se nuk do ta mbajë në ekip, është stërvitur dje rregullisht me pjesën tjetër të ekipit.

“Më vjen keq që në ato pak minuta të mbetura të lëshonim. Nuk dua të ndalem dhe të merrem me emra konkretë. Por nuk është e drejtë që puna e të gjithëve të shkojë dëm për pak minuta. Është e pafalshme një gjë e tillë. Çfarëdo që t’ju them tani nuk ka vlerë. Gabimet ishin të njëpasnjëshme. Të gjithë keni gabimet tuaja. E keni marrë lehtë kur asgjë s’ka përfunduar ende”, ishin fjalët e Cungut në fillim të analizës.

Më pas, ai ka folur edhe për takimin e radhës ndaj Luftëtarit. “Ajo që iku nuk mund të kthehet më. Nuk duhet që të shohim prapa. Kemi një takim tepër të rëndësishëm. Kërkohet vetëm fitorja. Nuk është e pranueshme që të ketë rezultat tjetër veç fitores. Nuk është një takim i lehtë, por nëse luajmë siç luajtëm në Korçë për 90 minuta do t’ia dalim. Bëni maksimumin tuaj”, ka thënë Cungu.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"