“Gjeta rrugën për në shtëpi”. Sulmuesi i Flamurtarit, Shkurtaj: Më bindi Ribaj, kemi shanse për ngjitjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2024 | 19:10

“Gjeta rrugën për në shtëpi”. Sulmuesi i Flamurtarit, Shkurtaj: Më bindi Ribaj, kemi shanse për ngjitjen

Vasil Shkurtaj flet si lab. Pasi ka shëtitur në disa skuadra, më në fund vendosi që të vijë në shtëpi. Është e para herë që luan me Flamurtarin, por vetëm tani duket se u “poqën” kushtet. Mendon se do të përshtatet edhe me Kategorinë e Parë, ndërsa nuk fsheh emocionet që është veshur kuqezi. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, sulmuesi rrëfen gjithçka rreth transferimit të tij në Vlorë.

VASIL SHKURTAJ

Thekson se ka marrëdhënie shumë të mira me Sinan Idrizin, por duket se këtë herë e ka bindur Andi Ribaj… Ka ardhur me ide të qarta dhe beson fort se misioni “Superiore” do të realizohet.

Për herë të parë luani në Vlorë, në skuadrën e qytetit të origjinës. Si ndihet Vasil Shkurtaj?

Është një ndjesi e bukur, më në fund gjeta rrugën për në Vlorë. Do luaj me skuadrën e qytetit tim të origjinës, ndaj ndihem shumë mirë. Mund të them se është shumë emocionuese kjo gjë.

Klubi ka tentuar edhe herë të tjera që t’ju marrë. Çfarë ju bindi tani?

Për arsye personale shkova në Qipro. Por kur më kontaktuan përsëri, vendosa ta pranoj sfidën dhe të vij te Flamurtari. Besoj shumë te ky projekt që klubi ka dhe dua të jem pjesë e tij për të dhënë më të mirën time.

Ju kontaktoi vetë Sinan Idrizi?

Me presidentin Sinan Idrizi kam marrëdhënie shumë të mira. Por...

Por…?

Ishte Andi Ribaj personi që më kontaktoi.

Cila është kontrata juaj me Flamurtarin?

Kontrata është deri në fund të këtij sezoni. Jam shumë i përqendruar për këtë pjesë. Pastaj, patjetër që do të flasim përsëri.

Pas eksperiencave me Kukësin dhe Laçin në elitë, kjo është hera e parë që luan në Kategorinë e Parë. Mendoni se do ta keni të vështirë?

Është e vërtetë që është hera e parë që luaj në Kategorinë e Parë. Kjo do të jetë një sfidë e re për mua. Patjetër që do të përpiqem të përshtatem dhe të kontribuoj sa më shumë për ekipin.

Si e vlerëson eksperiencën jashtë Shqipërisë?

Eksperienca jashtë Shqipërisë ishte një periudhë më shumë se frytdhënëse. Më ndihmoi të zhvillohem si futbollist.

Çfarë mendon për skuadrën e re, Flamurtarin?

Flamurtari? Për mua është një nder dhe një detyrë. Jam krenar që do të përfaqësoje ngjyrat e këtij qyteti.

Në Vlorë duan ngjitjen, a do të arrihet misioni “Supeirore”?

Objektivi është Superiorja dhe besoj se ka mundësi reale për ta arritur. Ekipi është i përgatitur dhe synimi është i qartë për të gjithë.

Si po ju duken këto ditë të para në Vlorë?

Çfarë ju ka tërhequr më shumë? Këto ditë të para në Vlorë janë shumë emocionuese. Më ka tërhequr thellë lidhja e fuqishme e komunitetit me klubin dhe bukuritë natyrore të qytetit. Ndihem në shtëpi… Brenda pak ditësh jam ambientuar shumë mirë. Për këtë më ndihmon që kam familjen time këtu dhe atmosfera e mirë që ekziston në ekip dhe klub.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"