Gjatës dhe Mihanës po u soset durimi, sulmuesi: Partizani më josh, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2021 | 18:24

Gjatës dhe Mihanës po u soset durimi, sulmuesi: Partizani më josh, por…

Stërviten me mendjen larg Fierit. Është folur dhe po flitet e shkruhet shumë për këta dy lojtarë të Apolonisë, një situatë gati “telenovelë”. Mario Gjata, 21 vjeç dhe Redon Mihana, 22 vjeç, janë dy emrat më të lakuar dhe më të lakmuar të kësaj merkatoje të nxehtë verore në Superligën shqiptare. Asgjë konkrete për ta, një periudhë “gri” e tejzgjatur, kaluar gjer në caqet e bezdisjes, lodhjes dhe mërzisë për të dy futbollistët.

Mihana-Gjata

Që në mbyllje të kampionatit u fol për një shitje të padiskutueshme jashtë Shqipërisë, ku më tepër shanset ishin te Lugano në Zvicër. Madje, për Mihanën, presidenti i Apolonisë, Kokëdhima, përpara një viti deklaronte me bindje se do të shitej në Seria A të Italisë. Gjithsesi, momentalisht, të dy futbollistët ndodhen në një situatë pritëse dhe sfilitëse. Ata kanë dalë të stërviten me Apoloninë, por vetëm këmbët kanë në Fier, ndërsa mendjen dhe veshët diku larg, tej kufijve, më e pakta në elitën shqiptare.

Edhe vetë krerët e klubit fierak e dinë se kanë dy asete me vlerë për merkaton në dalje, ndaj po bëjnë përpjekjet maksimale për t’i shitur sa më shtrenjtë dhe në skuadra me sa më tepër emër. Nga burimet tona të sigurta pranë klubit fierak, situata e paqartë për Gjatën dhe Mihanën do të marrë fund maksimalisht brenda javën tjetër. Klubi nuk pret më sorollatje nga tregu i huaj dhe duke qenë paksa të trysnuar nga kërkesat dhe afatet e ekipeve të Superligës, fierakët nxitojnë të kapin rastin më të volitshëm në pistën shqiptar, por pa luajtur me afatet e “nervave” dhe durimit të skuadrave ofertuese. Nuk është vetëm Partizani, por të paktën edhe Dinamo, Tirana, Vllaznia, Skënderbeu, Kukësi apo edhe Egnatia, që i dëshirojnë këta lojtarë, pjesa dërrmuese e skuadrave të dy si “paketë e plotë”, ndonjë e rrallë edhe vetëm njërin mes Gjatës dhe Mihanës.

REAGIMI – Gjata dhe Mihana e kanë gati në sinjalin “SOS” nivelin e durimit momental. Nuk dinë gjë për ofertat jashtë, pak info kanë për kërkesat në Shqipëri dhe ca më pak se çfarë do të vendoset për të ardhmen e tyre. “Nuk di gjë se cila skuadër më ka kërkuar dhe nga cili kampionat. Dëshira ime ka qenë që të luaja jashtë Shqipërisë, por, nëse nuk realizohet, ka plot skuadra në Superligë. Partizani? Sigurisht që një emër i tillë, me tifozët më të zjarrtë në gjithë Shqipërinë, më josh, pa më trembur konkurrenca, sepse në asnjë ekip nuk pretendoj ta gjej shtruar, por do të luftoj fort për të merituar gjithçka, siç kam bërë edhe tek Apolonia. Shpresoj që pritja jonë të marrë fund sa më shpejt. Nëse nuk krijohet mundësia e shitjes te një skuadër tjetër? Unë e dua shumë Apoloninë, por dua edhe veten time. Nuk do të luaja më në Kategorinë e Parë dhe do të kërkoja tërheqjen e letrave. Por, kjo gjë nuk besoj se do të ndodhë, sepse kemi klub serioz, që e mban fjalën dhe që vlerëson me prioritet interesat e përbashkëta”, deklaron Gjata për “Panorama Sport”.

Ndërsa Redon Mihana qëndron indiferent në lidhje me këtë çështje. Stërvitet në heshtje, nuk flet me të tjerë dhe rri jo pak i distancuar. Në kohën pas mbarimit të stërvitjes, ai kryen ritualin e përhershëm, duke dalë shëtitje me qenin e tij, përshëndet me lëvizje të lehtë të dorës apo të kokës njerëzit që i flasin në rrugë dhe vazhdon në heshtje më tej. Gjithsesi, edhe Mihana ka përvijuar dhe e ka shprehur më parë për gazetën dëshirën për një karrierë tej Fierit, jashtë Shqipërisë dhe, më së paku, në kryeqytetin tonë… Si po rrjedhin ngjarjet, nuk është çudi që këta dy futbollistë të talentuar të bëhen pjesë e ndonjë skuadre tjetër dhe Partizani mund të mbetet “thatë”. Merkatoja në Shqipëri asnjëherë nuk parashikohet…

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"