FUTBOLLI I MOSHAVE/ FSHF-ja i zbriti nga Superiorja, Kukësi dhe Shënkolli bojkotojnë ndeshjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2022 | 16:39

FUTBOLLI I MOSHAVE/ FSHF-ja i zbriti nga Superiorja, Kukësi dhe Shënkolli bojkotojnë ndeshjet

Futbolli i moshave këtë fundjavë që kaloi ka folur me gjuhën e bojkotit. Në tri grupmosha skuadra e Kukësit nuk ka preferuar që të marrë pjesë në ndeshjet kundër Flamurtarit.

kukesi

Përkatësisht ekipi U-19, U-17 dhe ai U-13 i verilindorëve nuk e kanë zhvilluar ndeshjen e kësaj javë për shkak bojkoti ndaj reformës që Federata Shqiptare e Futbollit bëri një muaj më përpara, duke penalizuar disa klube dhe akademi futbolli. Sipas një vendimi të marrë në shkelje me statutin, pasi për ndryshimin e strukturës duhet minimalisht që të miratohet një sezon përpara, Kategoria Superiore për moshat U-19 dhe U-17 u vendos që të bëhet një grup i vetëm, dhe Kategoria e Parë po ashtu, e ngjashme me skemën e të rriturve.

KUKËSI– Skuadra e Kukësit është prekur direkt nga ky ndryshim pasi në sezonin e kaluar, me meritë absolute ekipi U-19 që garonte në Kategorinë e Parë e përfundoi kampionatin në vendin e parë dhe arriti që të ngjitej në nivelin e Superiores, por ndryshe nga ku i takonte, këtë sezon u përcaktua që të garonte sërish në Kategorinë e Parë. Kjo ka sjellë edhe pakënaqësinë e madhe të drejtueseve të ekipit verilindor, aq sa të bojkotojnë ndeshjen e kësaj fundjave. Ndërkohë, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me skuadrën e Shënkollit, e cila as ajo nuk ka marrë pjesë në përballjen e kësaj fundjave kundër Besës. Shënkolli U-19, sezonin e kaluar garonte në nivelin e Superiores dhe ishte nga pretendentët ndërkohë këtë sezon nuk është përzgjedhur për të garuar në Superiore, por FSHFja e ka kaluar në Kategorinë e Parë. Kështu kampionatet e moshave janë në një situatë shumë të rëndë, ku që në nisje hasemi me të tilla episode që vijnë nga ndryshime të pastudiuara mirë dhe nxitime që prekin ekipet e moshave dhe pasionin e fëmijëve.

DISIPLINA- Ndërkohë, për këtë bojkot ka reaguar edhe Komisioni i Disiplinës në FSHF, i cili ka publikuar disa vendime lidhur me këtë episod. Të tria ekipet e moshave të Kukësit dhe ai i Shënkollit kanë humbur ndeshjen në tavolinë dhe u janë zbritur tri pikë nga klasifikimi i përgjithshëm. Pritet të shihet nëse kjo situatë do të vazhdojë edhe në javët e ardhshme.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"