Futbolli elbasanas “noton” në ujëra të turbullta/ Nga moshat tek ekipi i parë, verdhblutë në krizë totale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2021 | 20:42

Futbolli elbasanas “noton” në ujëra të turbullta/ Nga moshat tek ekipi i parë, verdhblutë në krizë totale

Prej afro një dekade, Elbasani “noton” në ujëra të turbullta, teksa ditët kur militonte në Superiore dhe rivalizonte denjësisht në futbollin shqiptar duken të largëta. Verdheblutë hyjnë në kampionat gjithnjë me rrezikun e rënies një kategori më poshtë.

ELBASANIIIIIIIII

Kjo po ndodh edhe këtë sezon, teksa janë pozicionuar në fund të klasifikimit pa asnjë pikë të grumbulluar. Kriza është ulur “këmbëkryq” në klub dhe gjasat që të mbarojë shpejt janë të pakta. Mirëpo, kjo krizë e ekipit të parë duket se ka pasur një efekt zinxhir edhe më poshtë sepse ashtu si të rriturit, moshat nuk po kalojnë një periudhë të mirë.

TË RRITURIT – Ky sezon, siç edhe pritej duke parë investimet e gjeti Elbasanin në rangun e ekipeve që do ta konsideronin sukses nëse do t’ia dilnin të mbijetonin. Në tetë ndeshjet e para të sezonit, verdheblutë kanë një rekord negativ: tetë humbje dhe vetëm një gol i shënuar, duke qenë edhe më dobët në klasifikim se sa Luftëtari që u përjashtua nga gara.

Në merkaton e janarit ekipi ka ndërruar trajner dhe ka afruar disa lojtarë të rinj, por edhe startin e këtij viti e nisën me humbje. Javët kalojnë, por Elbasani nuk është i aftë të bëjë kthesën, pasi i duhet të rikuperojnë shumë pikë të lëna rrugës. Por, fakti që janë bërë ekspertë të mbijetesës këto sezonet e fundit, është një avantazh i lehtë për ta në krahasim me rivalët.

egnatia elbasani

MOSHAT – Kriza në ekipin e parë nuk ka se si të mos reflektohet edhe te moshat. Ekipi i të rinjve, për fat të mirë vijon të militojë në Superiore, por është ende larg pritshmërive. Pretendimet për të qenë konkurrues në kampionatin e tyre, janë zbehur me kalimin e javëve pas disa rezultateve negative.

Gjithsesi, disa të rinj janë në “lupën” e ekipit të parë dhe kjo është një rreze shprese për të ardhmen. Situatë edhe më e nderë është te paratërinjtë. Këta militojnë në Kategorinë e Parë prej dy sezonesh.

Por, të gjitha gjasat janë që edhe këtë vit të mos pretendojnë më ngjitjen, pasi rivalët e tyre kanë bërë më mirë dhe janë shkëputur disa pikë. Për të mos shkuar më poshtë te grupmoshat U-15 dhe U-13, të cilat marrin pjesë edhe në kampionatin Kombëtar, por mbajnë vendet e fundit në renditje.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"