Frenklin më produktiv sesa Balaj, Skënderbeu ka gjetur goleadorin/ Si Takaj refuzoi 200 mijë euro nga kampionët e…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2024 | 22:02

Frenklin më produktiv sesa Balaj, Skënderbeu ka gjetur goleadorin/ Si Takaj refuzoi 200 mijë euro nga kampionët e…

Skënderbeu ka gjetur goleadorin e ekipit dhe duket se tashmë ofensiva korçare është në duar të sigurta. Bëhet fjalë për nigeriani Frenklin Ahanonu. Vetëm 22 vjeç dhe shumë dyshime rënduan mbi të, kur u transferua nga Turbina te Skënderbeu.

Frenklin

Por në momentin e parë që iu dha mundësia për të qenë pjesë e ekipit, e shfrytëzoi më së miri. Me dygolëshin e shënuar ndaj Egnatias, Frenklin ka kapur kuotën e 9 golave në këtë sezon dhe pozicionohet i treti në renditjen e golashënuesve më të mirë.

SHIFRAT – Por, nëse u referohemi statistikave të golave të shënuar nga nigeriani, gjithçka flet për sulmuesin e Skënderbeut. Nëntë golat që mbajnë firmën e Frenklin, duke e bërë sulmuesin më produktiv të Skënderbeut, janë realizuar në më pak se 1200 minuta të luajtura në total. Për të qenë më të saktë, në 1154 minuta, që do të thotë se ai ka shënuar një gol në çdo 128 minuta. Raporti i golave me minutat e luajtura e bën sulmuesin e Skënderbeut më produktivin e gjithë kampionatit. Bekim Balaj, i cili udhëheq renditjen e golashënuesve më të mirë, ka shënuar 16 gola, por në 2428 minuta lojë, që do të thotë një gol në çdo 151 minuta.

Një tjetër fakt i rëndësishëm që vlen për t’u theksuar është se në 9 golat e realizuar, Frenklin asnjë prej tyre nuk e ka shënuar nga pika e bardhë e penalltisë. Janë të gjithë gola me aksion. Sulmuesi 22- vjeçar ka edhe një tjetër “rekord”: sa herë që shënon Frenklin, Skënderbeu merr pikë. Kjo edhe për vetë faktin se pjesa më e madhe e golave të shënuar, janë gola vendimtarë për fitoren e korçarëve.

Duke iu referuar statistikave, Frenklin ka arritur të shënojë gol në shtatë ndeshje, ndërsa në dy prej të cilave ka realizuar nga një dygolësh. Nga këto shtatë ndeshje, Skënderbeu ka fituar pesë dhe ka barazuar dy të tjera.

frenklin

“XHEVAHIRI”- Në kushte të tilla, duket se Skënderbeu ka gjetur një “xhevair” të ri në sulm, apo një makineri golash, gjatë merkatos së verës. Të dhënat e mësipërme i japin të drejtë vendimit të presidentit Ardjan Takaj dhe enturazhit të tij për të refuzuar ofertën që Ballkani paraqiti zyrtarisht në klubin korçar.

Kampionët e Kosovës ishin gati të paguanin 200 mijë euro për të siguruar shërbimet e sulmuesit afrikan. Presidenti Takaj e refuzoi atë ofertë, sepse besonte tek aftësitë e nigerianit dhe koha i ka dhënë plotësisht të drejtë. Në Korçë janë të bindur, tashmë se kanë gjetur goleadorin e ekipit edhe për sezonet e tjera.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"