Foto me Bekenbauerin, Gut Tafaji: M’u deshën 50 vite që ta gjeja, Francin e kapëm në nxemje me Sabah Bizin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2024 | 18:16

Foto me Bekenbauerin, Gut Tafaji: M’u deshën 50 vite që ta gjeja, Francin e kapëm në nxemje me Sabah Bizin

Ish-portier i njohur i 17 Nëntorit të viteve 70-80-të, i ekipit “Shpresa”, pjesë e atij kombëtar në atë ndeshje të zhvilluar në qershor të 71-shit në Karlsruhe, ndaj Gjermanisë së Bekenbauerit, Mylerit, Overatit e Netzerit. Por, krahas rezultatit, atë që përcolli prag-sfida dhe ndeshja, ka dhe një detaj tejet të veçantë për Tafajin, mikun e tij Sabah Bizi, që sot e kujton duke e rrëfyer për “Panorama Sport”. “I kisha humbur shpresat, kur pas 50-të vitesh, më erdhi në dorë, e pabesueshme”, shprehet ndërsa mban në dorë, një foto të tij me Bekenbauerin.

MixCollage-12-Jan-2024-06-15-PM-7980

Z. Tafaj, siç dihet, këto ditë është ndarë nga jeta një legjendë, një emër i madh i futbollit gjerman dhe atij botëror: Franc Bekenbauer. Si u ndjetë kur morët vesh lajmin?

Si mjaft sportdashës, edhe mua më erdhi shumë keq. Vërtet ka qenë dhe do të mbetet “Kaizer”. E kam fjalën si sportist dhe si njeri. Pikërisht ashtu siç e kanë vlerësuar në vendlindjen e tij. Ishte një personalitet në fushë dhe jashtë saj.

Si i keni pasur kontaktet e para dhe si e keni njohur Bekenbauerin?

Nga ato informacione që vinin në Shqipëri, nga Botërori “Londër ‘66’, ku shkëlqeu dhe pastaj ai i vitit 1970 në Meksikë, ku ishte një ndër më të dalluarit e Gjermanisë, një skuadër me Zeler, Myler, Overat, Shnelinger, Netzer, etj. Kujtoj ndeshjen e famshme me Italinë, 4-3, e cilësuar si ndeshja e shekullit. Pastaj, ardhja e Gjermanisë në Tiranë, në shkurt të vitit 1971, pra pas një viti e gjysmë nga Meksika.

Çfarë kujtoni nga ato ndeshje të zhvilluara në Elbasan dhe “Qemal Stafa”?

Në Elbasan, një ditë më parë, e martë, luajti ekipi Shpresa. Si unë edhe Shefa ishim të dëmtuar, dhe në atë ndeshje u aktivizua Habibi. Në atë sezon kryeja shërbimin ushtarak, isha portier me Labinotin e Elbasanit. Humbën 0-2 dhe kujtoj që Brajtner luante me Gjermaninë. U kthyem në Tiranë dhe të nesërmen ndeshjen e ekipeve kombëtare e kam ndjekur nga tribuna.

WhatsApp Image 2024-01-12 at 18.01.01 (1)

Përgatiteni për në Gjermani, për në ndeshjet e kthimit. Si i përjetonit?

Në muajin maj luajtëm me Poloninë, që e kishim në grup dhe barazuam 1-1, si ekipi përfaqësues edhe ai i Shpresave. Kanë shënuar Zhega dhe Ben Çela. Në qershor ishte ndeshja me Gjermaninë, saktësisht me 11 qershor. Isha përgatitur të luaja me ekipin “Shpresa”, por pak ditë para nisjes, në takimet me Olimpiken e Rumanisë, për një gabim pa dashje të Dinellës, trajnerët Loro Boriçi, Ilia Shuken, nuk e morën atë, duke më njoftuar mua, që isha portier i “Shpresës” në sfidën e kthimit. Nuk e prisja. Bashkim Muhedini i Partizanit ishte portier i parë dhe unë rezerva e tij. Për në Gjermani, udhëtuam bashkë, ekipi Shpresa dhe ai kombëtar, me linjën Tiranë- Budapest-Frankfurt. Ndeshja e Kombëtares do të zhvillohej në Karlsruhe.

Mbërrini në Gjermani, por në hotel patët një vizitë surprizë, apo jo?

Ishte një hotel tejet modern për kohën dhe kujtoj që na erdhi një gjerman, një burrë goxha i mbajtur. U prezantua dhe fliste shumë mirë shqip. Ishte i qeshur, e takuam, na tregoi për historinë e tij. Na tregoi se forcat partizane e kishin zënë rob gjatë Luftës së Dytë Botërore, në një zonë, pranë Stabilimentit “Mihal Duri”. Për vite kishte punuar si kuzhinier. Në vitin 1949, shteti shqiptar e kishte lejuar të kthehej në Gjermani. Ruante simpati dhe konsideratë për shqiptarët.

Ekipi kombëtar, i grumbulluar para takimit me Gjermaninë, nga e majta në këmbë: Cani, Balluku, Berisha, Zhega, Tafaj, Borici (Tr), Muhedini, Dhales, Çeço, Vaso, Ali Kastrati (mas), Rragami. Ulur nga e majta: Ziu, Thaka, Leshteni, Sejdini, Pano, Gjika, Kasmi

Ekipi kombëtar, i grumbulluar para takimit me Gjermaninë, nga e majta në këmbë: Cani, Balluku, Berisha, Zhega, Tafaj, Borici (Tr), Muhedini, Dhales, Çeço, Vaso, Ali Kastrati (mas), Rragami. Ulur nga e majta: Ziu, Thaka, Leshteni, Sejdini, Pano, Gjika, Kasmi

Flasim pak për ndeshjen, çfarë ndodhi?

Ajo u zhvillua në mesditë pa drita, me 12 qershor, ditë e shtunë ka qenë, dhe u fituar 2-0 nga gjermanët me gola të Netzerit, pas një goditje dënimi ballore në fund të pjesës së parë, dhe Grabovskit në fillim të së dytës. Në atë takim gjermanët nuk kishin ndryshuar, thuajse ai formacion i “Qemal Stafës”, por kujtoj se Shnelinger i Milanit nuk luajti. Pas ndeshjes u organizua një banket i bukur në “Park Hotel”.

Ndërsa në ekipin tonë, pati disa ndryshime…

Thuajse gjysma e skuadrës dhe në atë takim luajtën Muhedini, Sejdini, Berisha, Balluku, Zhega që munguan në Tiranë me 17 shkurt.

Një formacion i ekipit “Shpresa” të kohës

Një formacion i ekipit “Shpresa” të kohës

Zoti Tafaj, vijmë te fotoja… Mund të na e tregoni historinë e pabesueshme të saj?

Bashkim Muhedini, pati marrë me vete një aparat fotografik rus “Fed 2”, me film bardhezi, që vetëm ai kishte, asnjë nga ne. Para ndeshjes, kur ishim në dhomat zhveshjes, Sabah Bizi, më thotë: “Gut, merrja aparatin Bashkimit dhe kur të dalim në nxemje, unë do shkoj te Bekenbaueri, t’i kërkoj të bëj një foto me të. Ti eja pas meje. Kështu veprova. I mora aparatin Bashkimit dhe kur skuadrat dolën në fushë për nxemje, unë nisem me vrap pas tyre, pa marrë parasysh asnjë pasojë. Duke menduar që pas Bizit të bëja edhe unë një foto me Bekenbauerin.

Dhe si vijoi, pra si u bë fotoja e shumëpritur?

Bizi, e takoi në mesfushë Francin, i kërkoi të bënin foton dhe ai pranoi me shumë kënaqësi. Ndërruam pozicionet, dhe Bizi më bëri një foto edhe mua me Bekenabuerin. Isha i gëzuar, një foto me Bekenbaurein në Karlsruhe mbetej një kujtim i madh. Mendoni për kohën dhe vlerën që kishte. Ishte një rast që nuk të përsëritej më.

Vijmë në Tiranë, në pritje për të stampuar foton. Si ia bëtë?

Pas kthimit, kishte kaluar pak kohë, takoj Bashkimin, i cili nuk jeton dhe e kujtoj me shumë respekt. I them të më jepte filmin, që ta stampoja. Sot, nesër, sot, nesër, një ditë më thotë se filmi ishte dëmtuar, apo ka humbur, pra diçka e tillë. Si përfundim, fotot tona, ajo e Bizit dhe e imja me Bekenbauerin, nuk u panë, dhe i konsiderova të humbura. Me qejf të madh do të kisha bërë një foto të madhe me Bekenbauerin, ndonëse bardhezi.

Dhe papritur nga Filadelfia ju vjen befasia?

Para tri vitesh, ndodhesha në Amerikë, te vajza, kur duke biseduar me Hajri Frashërin, mikun tonë, ish-lojtari i 17 Nëntorit, bashkë në një skuadër në atë periudhë, që prej vitesh jeton në Filadelfia, më thotë se në një uebsajt gjerman kishte parë një foto timen me Bekenbauerin. U habita, pasi nuk e imagjinoja, nuk kisha asnjë ide. “Kushedi – mendova, – çfarë mund të jetë ajo foto”. I befasuar, kureshtar, u futëm në kompjuter dhe vetëm kur e pashë. Ishte pikërisht ajo para takimit në Karlsruhe. Por, surpriza tjetër, ishte edhe më e madhe.

Për çfarë bëhet fjalë?

Ajo ishte një foto e bërë nga një fotograf gjerman, i cili ka fiksuar çastin kur Bizi po më bënte foton mua dhe Bekenbauerin. Pata emocion, se më riktheu tek ai takim, tek ajo kombëtare, ata futbollistë, mbi të gjitha ai moment, ajo foto me Bekenabuerin, që e kisha konsideruar të humbur dhe pa asnjë shpresë për ta gjetur. Dhe që të më rikthehej e gjeja pas 50 vitesh, kurrë nuk e kisha menduar.

Para Hotel Schwarzvald në Karlsruhe, nga e majta Leshteni, Sejdini, Tafaj Rragami

Para Hotel Schwarzvald në Karlsruhe, nga e majta Leshteni, Sejdini, Tafaj Rragami

Po thoni që ekziston një foto, ku jeni ju, Bizi dhe Bekenbauer?

Po. E kam një kujtim të bukur bashkë me Bizin, për të tre ne edhe pse me humor e them, ai Sabahu është në rolin e fotografit, një nder i madh për mua apo jo?…(qesh). Dhe që munda ta marr vetëm pas një gjysmë shekulli. Imagjinojeni pak… Kohët e fundit një mik nga Italia, Ad Vigani, më ka nisur edhe foto të tjera të asaj ndeshjeje.

Sabah Bizi duke fotografuar Gut Tafajin me Bekenbaurein

Sabah Bizi duke fotografuar Gut Tafajin me Bekenbaurein

Z. Tafaj, për ju futbollistët në Karlsruhe ishte rezervuar një dhuratë e veçantë për kohën. Çfarë ishte?

Që lidhet më atë kishin organizuar vendasit dhe na bëri firma “Adidas”. Para ndeshjes erdhi një grua, përfaqësuese e firmës, na mori numrat e këmbëve dhe pas takimit na sollën të gjithëve nga një palë këpucë futbolli “Adidas”. Për ne ishte një ëndërr, për të pasur e për të luajtur me një markë të tillë. Bashkë me këpucët edhe një çantë, të zezë ku shkruhej “Adidas”.

Jua lanë t’i merrnit, se me Ajaksin, një veprim i tillë nuk u lejua?

Po, e kujtoj, kur para fillimit të ndeshjes, 17 Nëntori-Ajaks, ata dhuruan për lojtarët disa sende te firmës “Adidas”, si topa të vegjël, flamurë, por që në fushë u dha urdhër për të t’i kthyer e mos i marrë. Ndryshe në Karlsruhe, nuk na thanë asgjë, përkundrazi, na lejuan t’i marrim.

Gut Tafaji sot

Gut Tafaji sot

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"