Flamurtari largon sulmuesin nigerian, braziliani i afruar këtë verë kthehet në çështje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2023 | 14:16

Flamurtari largon sulmuesin nigerian, braziliani i afruar këtë verë kthehet në çështje

Flamurtari heq Namdi Franklin Ahanonu. Vetëm një muaj ka zgjatur aventura e nigerianit me vlonjatët. 21-vjeçari zhvilloi edhe fazën përgatitore në Korçë, por një javë përpara startimit të kampionatit vjen edhe vendimi për të ndërprerë bashkëpunimin. Të shutnën sulmuesi Franklin nuk u paraqit fare në stadium, ç’ka e bën zyrtare “divorcin”. Burime konfidenciale pranë klubit thanë për “Panorama Sport”, se sulmuesi nuk ka bindur stafin teknik.

FLAMURTARI

21-vjeçari u provua në disa miqësore, por ishte larg pritshmërive. Kjo ka bërë që drejtuesit të mos harxhojnë, duke e mbajtur në organikë. Të bindur se nuk do u vëjë punë, kanë vendosur “t’i japin duart” pa e federuar. Kujtojmë se Namdi Franklin Ahanonu u soll në Vlorë nga presidenti i Turbinës. Kujtojmë që Gentjan Gjoka ka qenë i angazhuar edhe me merkaton e Flamurtarit këtë verë. Sulmuesi 21- vjeçar, sezonin e kaluar nënshkroi një kontratë trevjeçare me Turbinën. Por duke qenë se cërrikasit ranë në Kategorinë e Dytë, afrikani me konsensus ka kërkuar zgjidhjen e kontratës. Ai erdhi në Vlorë si autori i 6 golave dhe shikohej si një vlerë e shtuar për ofensivën e vlonjatëve, por nuk ka rezultuar kështu. Megjithatë nga burime jo zyrtare, gazeta mëson se destinacioni i radhës për Namdi Franklin Ahanonu mund të jetë Apolonia.

ESTEFANO – Aleksandre di Estefano kthehet në çështje. Stafi teknik së fundmi duket se ka pakënaqësi edhe brazilianit të vetëm që është afruar në këtë merkato vere. Sulmuesi u aktivizua si titullar në miqësore e luajtur kundër Apoloninë, më 19 gusht. Trajneri ka mbetur i pakënaqur nga paraqitja e 30-vjeçarit në atë ndeshje. Emilajno Çela ia ka vënë në dukje problematikat edhe vetë lojtarit. Kulmi ka arritur ditën e premte, ku ka pasur sërish një lloj përplase. Tekniku është kapur përsëri me Estefanon, duke i vënë në dukje çfarë nuk shkon.

Por ky i fundit nuk ka duruar dhe ka reaguar. Kjo gjë nuk i ka pëlqyer trajnerit që e ka nxjerrë nga stërvitja 30-vjeçarin. Por edhe të shtunën, trajneri i ka shfaqur pakënaqësi Estefanos, gjatë një testi kontrolli brenga grupit që është zhvilluar me qëllim të shikohet gjendja e skuadrës një javë përpara nisjes së kampionatit. Në këtë situatë gjasat janë që braziliani të humbasë formacionin kryesor. Megjithatë, për momentin nuk mund të flasim për një largim të mundshëm të lojtarit nga Vlora që më parë ka pasur eksperienca në Brazil, Japoni, Kore e Jugut apo Tajlandë.

DI ESTEFANO

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"