Dushku firmos për dy vite: Këtu vij për trofe. Portieri Ilion Lika do nënshkruajë të hënën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 7, 2013 | 10:40

Dushku firmos për dy vite: Këtu vij për trofe. Portieri Ilion Lika do nënshkruajë të hënën

Dushku kryesoErjon Dushku është zyrtarisht lojtar i Flamurtarit. Mbrojtësi mësohet se ka firmosur dje pasdite një kontratë dyvjeçare, çka do të thotë se tashmë ai nuk është më lojtar i lirë. Kontrata është firmosur në ambientet e klubit të futbollit Flamurtari, në prezencë të shefit të klubit, Geri Çipi, si dhe të drejtorit sportiv, Ardi Behari. Dushku ka arritur parimisht akordin me drejtuesit e klubit vlonjat, gjë e konfirmuar edhe nga drejtori sportiv. “Kemi arritur parimisht akordin me lojtarin”, është shprehur Behari. Një fakt të tillë e ka pohuar edhe vetë mbrojtësi. “Unë tashmë nuk jam më i lirë, por lojtar i Flamurtarit. Arrita akordin me drejtuesit e klubit dhe për këtë jam i kënaqur. Do të jem pjesë e Flamurtarit për dy sezone. Uroj që së bashku të arrijmë objektivat dhe Flamurtari të paraqitet denjësisht në këtë kampionat të ri. Për objektivat do të flasim në një moment të dytë, sapo të na bëhen të ditura edhe nga klubi. Unë jam në Vlorë për të dhënë maksimumin tim”, ka deklaruar Dushku për “Panorama Sport”.
Portieri – Ndërkaq, në Vlorë me Dushkun ka qenë sërish edhe portieri Ilion Lika. Burime brenda takimit në klubin e futbollit Flamurtari bëjnë me dije se është arritur akordi edhe me portierin Lika, ndërsa drejtuesit vlonjatë ia kanë pohuar një gjë të tillë edhe lojtarit. Në ndryshim nga Dushku, Lika nuk ka firmosur, por pritet të nënshkruajë ditët në vazhdim. “Po edhe unë së bashku me Dushkun ishim në Vlorë dhe zhvilluam një takim me shefin e klubit të Flamurtarit, Geri Çipi dhe drejtorin sportiv, Behari. Ramë parimisht dakord që edhe unë për dy vite të jem pjesë e Flamurtarit. Ndoshta të hënën ose në ditët në vazhdim do të firmos zyrtarisht. Këto janë thjesht çështje procedurash”, përfundon Lika. Dushku dhe Lika mund të quhen tashmë pjesë e Flamurtarit. Dy lojtarët janë afruar në klub për shkak të cilësive të tyre, që njihen mjaft mirë nga trajneri Ernest Gjoka.
Rinovimet – Flamurtari nis fushatën e rinovimeve. Drejtues të klubit vlonjat kanë nisur kontaktet me disa prej titullarëve, të cilët kanë qenë pjesë e ekipit sezonin e shkuar. Një gjë të tillë e ka konfirmuar drejtori sportiv i Flamurtarit, Ardi Behari. “Kemi nisur tratativat me lojtarët, të cilët mbyllën sezonin e kaluar në Vlorë. Veliu, Zeqiri dhe Arbri janë të parët me të cilët kemi hyrë në bisedime, ndërsa do vazhdojmë gjatë këtyre ditëve edhe me lojtarët e tjerë. Patjetër që në planet tona është pjesa më e madhe e grupit të sezonit të shkuar, ku përmend këtu edhe Muzakën, por ky i fundit ka qenë me pushime në Francë dhe pritet ta kontaktojmë në ditët në vazhdim”. Drejtori sportiv i Flamurtarit, Ardi Behari, shpjegon edhe mënyrën e negociatave që klubi është duke aplikuar në këtë merkato. “Janë dy palë që negociojnë dhe, në këto kushte, do përpiqemi që të gjejmë një të mesme. Nëse na përputhen interesat, atëherë do të nënshkruajmë. Pra, nëse biem dakord ne si klub për anën sportive dhe monetare, por edhe futbollistët me kërkesat e tyre, do të arrijmë akordin. Deri më tani, konkretisht nuk kemi zyrtarizuar asnjë futbollist, por siç e thashë, jemi të interesuar për të gjithë grupin që mbylli sezonin te ne”. Behari në përfundim të prononcimit thekson se Flamurtari nuk do të marrë lojtarë me probleme kartonësh: “Në asnjë mënyrë që nuk na intereson të marrin lojtarë që kanë probleme me kartonin. Nuk kemi pse sakrifikojmë kot, as që e shkojmë nëpër mend një gjë të tillë”.

Toni Pezo merr ofertë nga Kroacia
Kroati Toni Pezo ka marrë ofertë nga një ekip i Kroacisë. Me shumë gjasa, mesfushori do të qëndrojë në vendlindjen e tij, pas ofertës që ka marrë nga një skuadër kroate, emri i së cilës nuk bëhet i ditur për momentin. Megjithatë, shpresat për një rikthim të tij të mundshëm te Flamurtari ekzistojnë, edhe pse lojtari nuk i është përgjigjur ashtu siç duhet filozofisë së klubit vlonjat për shkak të mospërshtatjes. Gjithsesi, ditët në vazhdim do të jenë decizive për të ardhmen e 26-vjeçarit, nëse do jetë apo jo pjesë e Flamurtarit për sezonin e ri futbollistik.

Kuqezinjtë do ta nisin me gjoba
Kontrata afatgjata, paga më të ulëta, premio në rast arritjesh së objektivave dhe gjoba në të kundërt. Ky është plani i drejtuesve të klubit të Flamurtarit për sezonin e ri futbollistik. Është hedhur tashmë në letër projekti për skuadrën dhe mënyrën se si do funksionojë klubi këtë edicion. Gjithçka, në fakt, do të nisë me gjoba, teksa drejtuesit pritet t’ua komunikojnë masat ndëshkuese futbollistëve menjëherë sapo të startojnë përgatitjet për sezonin e ri. Ato janë vendosur për mosarritjen e objektivave të sezonit të shkuar, dhe do të prekin rreth 30% të pagës. Klubi vlonjat këtë sezon po ndjek një tjetër strategji, pasi kërkon ndërtimin e një skuadre cilësore.

Vlonjatët, më 10 korrik zbresin në fushë
Flamurtari do të nisë më 10 korrik përgatitjet, në kuadër të sezonit të ri futbollistik. Ekipi i drejtuar nga Ernest Gjoka mendohet të jetë i plotë deri të mërkurën e ardhshme, ndërsa këto ditë do të jenë intensive për klubin vlonjat. Hair Zeqiri, Franc Veliu dhe Gjergj Muzaka janë lojtarët e parë, që pritet të firmosin me Flamurtarin. Ndërsa lidhur me fillimin e përgatitjeve, drejtori sportiv, Ardi Behari ka pohuar se Flamurtari do të nisë stërvitjen me grupin që ka në dispozicion. “Patjetër që do të nisim përgatitjet në datën e përcaktuar me grupin që ne kemi në dispozicion”.
ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"