Feston Kastrioti, Vora dështon në debutimin e Zjarrit. Trajneri Ndreu: Fitore me shumë vlera

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2024 | 21:42

Feston Kastrioti, Vora dështon në debutimin e Zjarrit. Trajneri Ndreu: Fitore me shumë vlera

Krutanët janë “hakmarrë” ndaj Vorës për humbjet në dy fazat e para, duke arritur një fitore me përmbysje në transfertë. Kastrioti fitoi në Vorë në shifrat 3-1 dhe të katër golat e sfidës u shënuan në pjesën e dytë.

vora kastrioti

Vora u prezantua me trajner të ri, por debutimi i Endri Zjarrit nuk ka rezultuar i suksesshëm për vendasit. Vora vuajti mungesën e 5 titullarëve në këtë takim, duke sjellë kështu debutimin në fushë të 21-vjeçarëve, Denis Hasa dhe Rigers Hoxha.

Ndeshja –Takimi nis i ekuilibruar në lojë dhe me raste, ku krutanët dukeshin më kërkues. Në të 35-ën Doseh tregohet shpëtimtar për krutanët, që në vijën fatale largon topin. Në minutën e 44-t Hasa gjuan fort, por portieri Kiri shpëton portën dhe 0-0 mbyllet pjesa e parë. Fraksioni i dytë nis me golin e Vorës, ku asistin e Hasës nga e djathta e finalizon Ntepe dhe 1-0 për vendasit. Krutanët nuk demoralizohen, gjejnë forca në minutën e 66-të barazojnë me qendërmbrojtësin Omar Musaj, që shënoi me një “predhë” nga një distancë 25 metra. Në të 77-ën, Edmond Hoxha del i vetëm me Jatën dhe vjen goli i përmbysjes. Për të siguruar fitoren ka menduar kapiteni Sokol Neziri, që e ka nisur lojën me kokën e fashuar. Ai në të 80-ën, i ndodhur brenda zonës, vulos fitoren e krutanëve në shifrat 1-3. Me këtë sukses rriten shpresat për krutanët.

Trajneri Zjarri –Pas ndeshjes trajneri Endri Zjarri u shpreh: “Vora vinte në këtë takim me shumë mungesa, ndaj aktivizuam të rinjtë. Me gjysmë grupi ekipi nuk mund të jepte më shumë se kaq. Shënuam të parët, por Kastrioti, që është një ekip me mjaft përvojë, na goditi në momentin tonë më të mirë. Futbolli kështu e ka dhe skuadra do të përgatitet për takimin e radhës kundër Lushnjës”.

 

Ndreu: Fitore me shumë vlera

Trajneri i Kastriotit, Ramadan Ndreu, pas suksesit në Vorë u shpreh: “Ka qenë një fitore me shumë vlera dhe me shumë vuajtje. Lojtarët treguan karakter dhe e kthyen lojën. Kemi një rrugë të gjatë e të vështirë ku janë përfshirë të gjitha skuadrat, por ne do të shohim punën tonë. Tani radhën e ka Elbasani, ku ne do të japim gjithçka për gjithçka. Luajmë në fushën tonë dhe do japim maksimumin për të marrë tri pikët”.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"