Erkoçeviç e Bejte te Besëlidhja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2015 | 11:09

Erkoçeviç e Bejte te Besëlidhja

Karakaci dhe ErkocevicBesëlidhja godet sër ish në merkato, merr Bekim Erkoçeviçin dhe Ibrahim Bejten. Mesfushori shkodran dhe portieri, ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, janë paraqitur dje në Lezhë, ku kanë firmosur me këtë skuadër për pjesën e dytë të kampionatit. Të dy lojtarët i janë bashkuar grupit lezhjan në stërvitje, duke u vendosur nën urdhrat e trajnerit Kulli. Gjithashtu, këto nuk do të jenë afrimet e vetme, ndërsa pritet që sot t’i bashkohet skuadrës në stërvitje edhe sulmuesi serb, Kosta Bajiç. Krerët lezhjanë janë në tratativa edhe me disa futbollistë të tjerë cilësorë, që pritet t’i bashkohen Besëlidhjes ditët në vijim. Numri një i presidencës, Gjok Noka, është i vendosur për të mos u ndalur dhe për të mos e “rrudhur” dorën sa i përket merkatos, kjo për ndërtimin e një ekipi cilësor, me qëllim që të mos e diskutojë ngjitjen në Superiore.
Mesfushori Mesfushori shkodran, Bekim Erkoçeviç, i cili fazën e parë ka qenë pjesë e Apolonisë, në merkaton e janarit u thirr nga Tërbuni, por nuk arriti akordin me këtë skuadër. Në një bisedë për “Panorama Sport”, Erkoçeviç ka treguar për largimin nga fierakët, si dhe pse pranoi ofertën e Besëlidhjes. Ai beson se skuadra e tij e re nuk do ta diskutojë ngjitjen në Kategorinë Superiore. “Duke parë se tek Apolonia gjërat po degradonin, vendosa të largohesha nga andej. Pata shumë oferta, por në fillim u josha nga Tërbuni. Nuk arrita akordin me presidencën, e kësisoj iu përgjigja ofertës së presidentit Gjok Noka, që ishte e kënaqshme për mua. Menjëherë firmosa me këtë skuadër dhe tanimë jam zyrtarisht nën urdhrat e trajnerit Ritvan Kulli. Me sa pashë sot (dje) përbërjen e skuadrës, Besëlidhja e ka më se të mundur realizimin e objektivit, që është ngjitja në Kategorinë Superiore”, ka përfunduar mesfushori më i ri i Besëlidhjes, Bekim Erkoçeviç

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"